Bota

Gaza, kaos për ndihmat. Izraeli qëllon për të shpërndarë turmën. Hamasi: 100 të vdekur

Gazeta Si - Të enjten në mëngjes rreth orës 4:30 me orën lokale (3:30 me atë shqiptare), dhjetëra njerëz vdiqën në qytetin e Gazës teksa prisnin të merrnin ushqim nga një ose më shumë kamionë me ndihma humanitare, përgjatë rrugës bregdetare al Rashid.

Burimet izraelite dhe palestineze të asaj që ndodhi janë kontradiktore: autoritetet në Rripin e Gazës, të kontrolluara nga Hamasi, pretendojnë se ushtarët izraelitë qëlluan mbi turmën, duke vrarë më shumë se njëqind njerëz. Ushtria izraelite, tha se njerëzit vdiqën për shkak të turmave rreth kamionëve të ndihmës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Rripit të Gazës, të kontrolluar nga Hamasi, ushtarët izraelitë qëlluan mbi turmën, duke vrarë të paktën 104 persona dhe duke plagosur më shumë se 700.

Ushtria izraelite, megjithatë, konfirmoi vdekjen e dhjetëra njerëzve, por specifikoi se shumica e tyre vdiqën në turmën e madhe rreth kamionit të ndihmave.

Sipas Izraelit, vetëm dhjetë persona u qëlluan nga ushtarët izraelitë: këta të fundit pretendojnë se kanë qëlluar, sepse civilët palestinezë po afroheshin shumë me ta.

Ushtria izraelite tha gjithashtu se qëlloi të shtëna paralajmëruese në ajër. Avi Hyman, zëdhënës i qeverisë izraelite, tha se sipas disa rikonstruksioneve drejtuesit e kamionëve të ndihmës i futën automjetet në turmë, duke vrarë dhjetëra njerëz.

Mbërritja e ndihmave humanitare në Gaza, në veri të Rripit, është e vështirë dhe e rrallë. Për shkak të mungesës së ushqimit, shumë njerëz vuajnë nga uria, e disa prej muajsh mund të jetojnë vetëm me ushqimin e kafshëve.

Sipas UNRËA (agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë), pak më shumë se 2,300 kamionë me ndihma hynë në Rrip në shkurt, gjysma e atyre që hynë në janar.

Hyrja e ndihmave ngadalësohet gjithashtu nga inspektimet e gjata të kryera nga autoritetet izraelite në dy pikat e vetme të hyrjes në Rrip, vendkalimet Kerem Shalom dhe Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Për shkak të kushteve të sigurisë në zonë, disa agjenci ndërkombëtare, duke përfshirë Programin Global të Ushqimit, kanë ndaluar dërgimin e ndihmave në veri të Rripit në javët e fundit.

Një dëshmitar i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se trupat izraelite qëlluan mbi civilët që po arrinin te kamionët, sepse ata iu afruan shumë tankeve izraelite të parkuara në vend.

Jadallah al Shafei, drejtor i infermierisë në spitalin al Shifa të Gazës, i tha Al Jazeera-s se "shumica e të vdekurve dhe të plagosurve kanë plagë me armë zjarri dhe copëza në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit".

Të plagosurit u dërguan kryesisht në spitalet Shifa dhe Kamal Adëan të Gazës, por mungesa e karburantit për ambulancat ngadalësoi transportin e tyre në kohë.

Sapo mbërritën në spital, mungesa e personelit, furnizimeve mjekësore, hapësirës dhe karburantit për gjeneratorët e ndërlikoi më tej shpëtimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë