Ngjarje

Gaz lotsjellës e molotov – Orë pas ore çfarë ndodhi në “Astir”

Mentor Kasa - Shpallja e fituesit për lotin 1 të Unazës së Madhe nga aksi “Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja” çliroi nga pengesat ligjore Inspektoriatin e Kombëtar Mbrojtjes së Territorit dhe strukturat e tjera shtetërore për të vazhduar prishjen e ndërtesave, punë e lënë përgjysmë që pas shpërthimit të skandalit “DH Albania”.

Sipas dëshmive që banorë të zonës dhanë për Gazetën “Si”, fadromat e IKMT-së u shfaqën pranë rrethrrotullimit "Shqiponja" në kahun e brendshëm të Unazës së Re rreth orës 5 të mëngjesit të së martës (12 nëntor). Mbërritjes së mjeteve të rënda u kishte paraprirë policia me forca të shumta, që nga grupet e forcave “Shqiponja” deri tek Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Aksioni përqëndrohej në një zonë të kufizuar në rreth 300 metra vijë lineare. Nga një verifikim i Gazetës “Si” në terren, në këtë zonë nuk preken më shumë se 10 banesa dhe po kaq ndërtesa që shfrytëzohen për aktivitet biznesi.

Prania e përforcuar e policisë nuk ishte paralajmëruar zyrtarisht, por në rrugë jozyrtare njoftimi që u kishte mbërritur nëpër shtëpi dhe biznese banorëve që planifikohej t’u prisheshin banesat, ishte përhapur edhe tek banorët e tjerë që preken nga projekti në lotin 2 dhe 3 të këtij aksi.

Njoftimi mobilizoi banorët që protestojnë prej më shumë se një viti pranë Mbikalimit te Pallatit me Shigjeta, të cilët gjatë orëve të pasdites u organizuan dhe vendosën që në mbrëmje të grumbulloheshin tek një prej bizneseve që shërben si lokal pranë rrethrrotullimit "Shqiponja". Nga ky takim u vendos më pas që një grup protestuesish, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë, të qëndronin përgjatë gjithë natës për të kundërshtuar aksionin e IKMT-së.

LEXO EDHE:
Basha: Goditje e planifikuar, Rama e Veliaj do mbajnë përgjegjësi
Meta: E papranueshme dhuna e përsëritur ndaj banorëve të Astirit
Paloka: Rama si Millosheviçi, do kompensojmë banorët me vlerën e tregut
Veliaj thirrje banorëve: Nëse ke marrë paratë, ndalo sabotimin e Tiranës

Dëshmitë e banorëve dhe të efektivëve të policisë që në kushte anonimati folën për Gazetën “Si” sugjerojnë se situata u përshkallëzua pak pas orës 5:00, kur protestuesit panë të lëviznin fadromat e IKMT-së. Vendndodhja e protestës ishte në kahun e kundërt me ku do të niste aksioni për prishjen e ndërtesave. Policia u vendos fillimisht në trafik-ndarësen mes dy kaheve të qarkullimit të Unazës së Madhe, për të ndalur protestuesit që t’u afroheshin punonjësve të IKMT-së.

Këtu, sipas konfirmimeve edhe të policisë, një pjesë e banorëve nisën të godasin me gurë, bomba molotov dhe sende të tjera të forta nga ambientet e lokalit në drejtim të efektivëve. Policia thotë se u detyrua që të ndërhyjë me forcat Shqiponja dhe FNSH për të shpërndarë grupin e protestuesve.

Banorët thonë se mes grupit të protestuesve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar. Pohimet e tyre vërtetohen edhe nga disa video që po qarkullojnë në internet dhe nëpër rrjetet sociale. “Ishim 50 veta brenda në lokal. Gra, fëmijë e pleq. Na hodhën gaz lotsjellës! Nuk pyetën fare. Theu njëri xhamin e lokalit që të merrnim frymë se përndryshe nuk dihej fati ynë, mund të kishim vdekur të gjithë sot. Gjenocid!”, rrëfen njëra prej protestueseve.

Banorët thonë se të paktën 15 vetë janë plagosur, ndërsa policia në njoftimin zyrtar flet për 7 protestues dhe 5 efektivë të plagosur, që të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Numrin e saktë të të plagosurve nuk e jep dot as institucioni i Avokatit të Popullit. Një përfaqësi prej tre personash e këtij institucioni ndodhej në terren për të mbledhur dëshmi nga banorët në lidhje me dyshimet për tejkalim kompetencash dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e policisë.

“Kemi dërguar përfaqësues të Spitali i Traumës, por nuk mund të themi numrin e saktë as të personave të plagosur, as të personave të arrestuar. I kanë shpërndarë nëpër spitale dhe komisariate të ndryshme, mbase edhe për të humbur gjurmët”, thotë një përfaqësues i Avokatit të Popullit për Gazetën “Si”.

Pervaqësues të Avokatit të Popullit duke folur me protestues. Gazeta Si, 12 nëntor 219

Kontakti me drejtuesin e policisë që udhëhoqi operacionin për shpërndarjen e protestuesve është i pamundur, ndërsa burime brenda radhëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në këtë aksion, pohuan për Gazetën “Si” praninë e fëmijëve dhe të moshuarve brenda lokalit në momentin e mësymjes së tyre. Por, burimet thonë se ndërhyrja ka mbërritur pas refuzimit të vazhdueshëm të protestuesve për të mos goditur forcat e rendit me gurë dhe bomba molotov dhe për të protestuar paqësisht.

Burimet sqarojnë gjithashtu për Gazetën “Si” se policia nuk priste të haste në rezistencë të fortë, nisur nga fakti që sipas informacioneve që kishte marrë nga IKMT, Bashkia e Tiranës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pjesa më e madhe e banorëve që u prisheshin shtëpitë dhe bizneset e kishin pranuar këtë. Për këtë arsye, thonë burimet, plani fillestar ishte që policia të vendosej në trotuar për të mbrojtur mjetet e IKMT-së, duke lejuar si normalisht qarkullimin e mjeteve në nyjen me trafikun më të madh të makina në kryeqytet, siç është “Rrethrrotullimi Shqiponja”.

Por, llogaritë e autoriteteve ishin bërë pa protestuesit që u preken pronat nga projekti në lotin 2 dhe 3 të këtij aksi. Pjesa dërrmuese e protestuesve ishin pikërisht banorë që nuk prekeshin drejtpërdrejtë nga aksioni i IKMT-së ditën e sotme (12 nëntor).

“Dola të protestoj se pasi të mbarojnë këtu, nesër vijnë te shtëpia ime këta”, tha njëra prej banorëve, duke shtuar se vetë e kishte shtëpinë disa qindra metra më tutje në drejtim të Pallatit me Shigjeta, në lotin 2 të tenderit të fituar nga kompania “Salillari”.

Përballë rezistencës së banorëve, burimet nga policia thonë se plani i veprimit u ndryshua. Përmes përforcimeve që mbërritën pas orës 6:00 të mëngjesit u vendos që të bllokohej qarkullimi në të dyja akset e Unazës së Re tek vendi i njohur si “Ura e Lanës” dhe tek “Rrethrrotullimi Shqiponja”. Në mes të kësaj hapësire të mbrojtur nga dy kordonë të përforcuar të policisë kishte vetëm fadroma të IKMT-së dhe punonjës të policisë.

Gazeta “Si” u interesua se me çfarë arsyetimi ishte vendosur bllokimi i kësaj rruge dhe përgjigja që morëm pas nga policia ishte ajo se “rrezikohej jeta e qytetarit nga punimet publike”, pavarësisht faktit se distanca mes zonës ku shembnin fadromat e IKMT-së dhe trotuarit e rrugës ku mund të kalohej si këmbësor, ishte e konsiderueshme dhe pa asnjë rrezikshmëri.

Efektet anësore të bllokimit

Në zonën e Unazës së Re nuk ka asnjë shkollë publike. Prindërit që kanë fëmijë në shkolla 9-vjeçare, gjimnaze apo shkolla profesionale i dërgojnë ata nëpër zona të tjera të Tiranës, si në Laprakë, “Vasil Shanto” apo Kombinat.

Por, bllokimi i beftë i Unazës së Re në Tiranë shkaktoi një kaos në qarkullimin e minibusëve shkollorë, që nuk arritën as të marrin dhe as të çojnë nëpër institucionet arsimore përkatëse qindra fëmijë të kësaj zone.

Një kënd lodrash pranë "Astirit" me fëmijë që nuk shkuan dot në shkollë këtë të martë. Gazeta Si, 12 nëntor 219

Një pjesë e prindërve dhe nxënësve shkuan në këmbë në shkollë, ndërsa pjesa që nuk kishte kohë që edhe të çonte fëmijët në shkollë edhe të kapte orarin e punës zgjodhën që të lënë në shtëpi fëmijët e tyre.

“Nuk ka furgon sot. As nga Yzberishi, as nga Shqiponja. Këtej nga “Pallati me Shigjeta” është bllokuar fare qarkullimi, trafik i madh. Po e lë në shtëpi gocën”, thotë një banor i zonës që saktëson se vajzën e ka në klasë të dytë tek shkolla “Vasil Shanto”.

Po jo vetëm fëmijët. Me qindra banorë të tjerë humbën oraret e punës për shkak të bllokimit të rrugës, ndërsa më të guximshmit mbetën me orë të tëra në trafikun e krijuar si pasojë e këtij bllokimi.

“Kam 40 minuta dhe as kam ecur 100 metra. Pak trafik ka përditë në këto zonë, edhe kjo na duhej sot?!”, thotë një drejtues mjeti i bllokuar pranë mbikalimit të Unazës së Re.

Protestuesit dhe politika

Vetë banorët e vijës së parë të përplasjes me policinë shprehen mosbesues ndaj politikës. Ata thonë se ndjehen të zhgënjyer si majtas, ashtu edhe djathtas, por kur vjen puna që u ofrohet mbështetje, deklarojnë se e pranojnë atë nga çdo anë që të vijë.

“Ça të bëjmë?! Ky është halli që na ka zënë dhe kushdo që mund të na mbështesë le ta në mbështesë”, thotë një pensionist, që qëndron larg kordonit të policisë së vendosur tek ura mbi Lumin Lana në Unazë të Re.

Por, para kësaj deklarate një grup protestuesish u përplasën me ish-deputetin e LSI-së Endri Braimllari, që mbërriti rreth orës 7:00 në zonë. Protestuesit i kërkuan “llogari” se ku ishte më parë, se përse nuk ishte kur policia ndërhyri duke i dëbuar me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome nga lokali ku ishin mbledhur.

Të njëjtën “llogari” protestuesit u kërkuan edhe një grupi të përfaqësuesve të Partisë Demokratike që mbërritën rreth orës 10:00. “Çfarë mund të bëjë opozita? Opozita s’mund të kapë armët?”, iu përgjigjën ish-deputetët protestuesve të irrituar.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta reagoi përmes rrjeteve sociale. Ai e cilësoi si të papranueshme dhunën dhe ftoi banorët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe i ftoi, sipas tij, që të mos bien pre e provokimeve.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2604262256286698

Lulzim Basha foli në hyrje të Spitalit të Traumës pas vizitës tek disa protestues të plagosur nga përleshjet e ndodhura që në orët e para të mëngjesit.

“Është e rëndësishme që gjithë qytetarët ta kuptojnë sot se nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi; qytetarët e Tiranës e dinë, shumë qytetarë të tjerë që nuk jetojnë në Tiranë e dinë se ky projekt nuk ka të bëjë me një rrugë të re. Është një rrugë ekzistuese që përdorej në mënyrë normale për transportin. Ishte një projekt vjedhje i denoncuar nga Partia Demokratike, i denoncuar nga qytetarë, i faktuar më vonë nga mediat prestigjioze botërore, siç është Zëri i Amerikës. Një projekt vjedhjeje me një kompani fantazmë dhe Edi Rama është i vendosur ta çojë këtë vjedhje deri në fund. Për ta çuar këtë vjedhje deri në fund, për të mbushur xhepat e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij nuk kursen as jetët e qytetarëve, as shtëpitë e tyre, as fëmijët e tyre, as shëndetin e tyre. Prandaj ky është një akt kriminal, është një krim i rëndë kundër jetës së qytetarëve, kundër jetës së tyre, krim i rëndë kundër banesave të tyre”, deklaroi Basha.

Nga strukturat shtetërore e vetmja që reagoi ishte Bashkia e Tiranës, por jo përmes një deklarate që lidhej drejpërdrejtë me atë çfarë ndodhi këtë të martë (12 nëntor) në Unazën e Re, por si reagim ndaj qëndrimit të degës së Shqipërisë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në reagim, Bashkia e Tiranës e cilëson deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pakuptimtë, dashakeqe dhe të nxituar. Bashkia Tiranë thotë se banorët po trajtohen me përparësi sipas ligjeve shqiptare në fuqi dhe se shumica prej tyre janë dëmshpërblyer.

“Ne dimë se Vetëvendosja është votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut, apo suflerin e Orjolës në Tiranë. Nëse Vetëvendosja kërkon të marrë votat e një PD-je të degraduar, kjo nuk bëhet duke e imituar atë, por duke treguar se bën tjetër lloj politike! Kurse sa për dhunën shtetërore ndaj dhunuesve të policisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës s’ka mbështetur dhe as ka ndërmend të mbështesë ndonjëherë ata që mund të sulmojnë policinë me gurë e me shishe në Kosovë për llogari të shkelësve të ligjit kur Albini të jetë në detyrë”, thuhet në reagim.

Para këtij reagimi, Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë kishte dalë me një deklaratë të shkurtër ku nuk përmend Bashkinë e Tiranës si institucion, por e vlerëson projektin si korruptiv dhe kërkon ndaljen e tij.

https://www.facebook.com/LVVShqiperi/posts/414803486127775

“Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.

Ndërkohë, në deklaratë të veçanta, përfaqësues të PD-së dhe të LSI-së i kanë cilësuar episodet e dhunës dhe ndërhyrjen e policisë si një tjetër provë që Qeveria nuk është në krah të qytetarëve, por në krah të oligarkëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë