Lajme

Basha: Goditje e planifikuar, Rama e Veliaj do mbajnë përgjegjësi

Kryedemokrati Lulzim Basha ka vizituar nga afër banorët që ngelën të plagosur pas përplasjes me policinë tek Astiri. Nga Spitali Ushtarak, ai tha se po merren të gjitha masat për t’u dhënë ndihmën e nevojshme të lënduarve.
“Gjendja e të plagosurve vazhdon të mbetet e rëndë, janë dhunuar në mënyrën më barbare. Kam parë disa të moshuar në moshën mbi 70 vjeç, të gjakosur nga dhuna me shkopinj dhe me grushte. Gra të alivanosura nga përdorimi genocidal i gazit lotsjellës. Pra, janë një numër i madh banorësh të lënduar, të traumatizuar. Një pjesë prej tyre ndodhen të shtruar, një pjesë prej tyre nuk janë të shtruar në spital. Dhe ne po marrim të gjitha masat për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Janë plagosur sipas raportimeve, janë lënduar edhe 5 efektivë të policisë të cilët janë larguar më pas nga Spitali Ushtarak pasi kanë marrë ndihmën e parë’, u shpreh Basha.
Basha tha se aksioni është një skenar i planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm për një projekt vjedhjeje prej 40 milionë eurosh me një kompani fantazëm.
“Ky është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Edi Rama ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur që mbronin shtëpitë e tyre. Ky është një skenar i përgatitur me kujdes dhe ka një qëllim dhe vetëm një qëllim; të çonte drejt gjakosjes së qytetarëve, drejt përçarjes së qytetarëve, të çonte drejt konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që Edi Rama, Erjon Veliaj dhe të tjerët që kanë planifikuar tek i ashtuquajturi projekti i Unazës së Re.
Ishte një projekt vjedhje i denoncuar nga Partia Demokratike, i denoncuar nga qytetarë, i faktuar më vonë nga mediat prestigjioze botërore, siç është Zëri i Amerikës. Një projekt vjedhjeje me një kompani fantazëm dhe Edi Rama është i vendosur ta çojë këtë vjedhje deri në fund”, u shpreh ndër të tjera Basha.
Kryedemokrati tha se Edi Rama dhe Erjon Veliaj janë ekzekutorët dhe do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sjellje kriminale paralajmëroi gjithsecilin përgjegjës për këtë nga urdhëruesit që qartësisht është Edi Rama, është Erjon Veliaj, janë ekzekutorët dhe do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Dita nuk do të vonojë dhe ju jap fjalën që nuk do të mungojë kur ata të përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare mbi qytetarët, mbi nënat, mbi baballarët, mbi fëmijët e tyre, me të vetmin qëllim për të mbushur xhepat e tyre me 40 milionë eurot e korrupsionit.
Së dyti, po i bëj thirrje çdo qytetari dhe punonjësi të ndershëm të policisë që mos bien pre e këtij skenari që synon që ta zhvendosë lajmin nga vjedhja e 40 milionë eurove nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij tek dhuna që ka planifikuar kundër banorëve të Unazës”, tha Basha.
Lideri demokrat u zotua se me ardhjen e PD në pushtet çdo centimetër katror i pronës së banorëve të “Unazë së Re” do të kompensohet me vlerën e tregut.
“Ne kemi një zotim politik me shkrim, e zezë mbi të bardhë. Çdo centimetër katror i pronës së tyre do të kompensohet me vlerën e tregut, me ardhjen e PD në pushtet.
Asnjë qindarkë nuk do të humbasë, çdo cm katror i shtëpive, banesave dhe objekteve të tyre edhe atyre të përjashtuara në mënyrë kriminale nga kompensimi, do të kompensohen me vlerën e tregut”, tha ndër të tjera kryedemokrati Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë