Futboll

Gatuzo merr vendin e Ançelotit, 750 mijë euro deri në fund të qershorit

Karlo Ançeloti ka lënë zyrtarisht Napolin. Drejtimin e këtij ekipi e merr tashmë një nxënës i tij, Ivan Xhenaro Gatuzo. Ishte presidenti De Laurentis ai që komunikoi largimin e trajnerit 60-vjeçar pas fitores me Genkun dhe kualifikimin në fazën tjetër të Championsit.

Ishte një vendim i pritshëm, ashtu siç pritej edhe ardhja e Gatuzos, pasi kontaktet kishin avancuar. Trajneri me përvojë ka boshatisur dollapin e tij te dhomat e Napolit. Ai deklaroi pas fitores në Champions se nuk jep asnjëherë dorëheqjen, por presidenti De Laurentis e kishte ndarë mendjen për të bërë ndryshimin në stolin e skuadrës së tij, duke pasur parasysh situatën e fundit. Napoli po kalonte një krizë rezultatesh dhe kushti për Ançelotin ishin dy fitore në ndeshjet me Udinezen në kampionat dhe me Genkun në Champions. Ançeloti arriti vetëm një fitore dhe kështu marrëveshja është mbyllur tashmë.

Karlo Ançeloti largohet nga Napoli. Gazeta Si, 11 dhjetor 2019

Te Napoli nis era “Gatuzo”, i cili pritet që të dalë në konferencë shtypi dhe të bëjë prezantimin zyrtar në krye të kësaj skuadre. Për Karlo Ançelotin gjasat më të mëdha janë që të shkojë në Angli për të drejtuar Arsenalin. Gatuzo do të firmosë me Napolin një kontratë dyvjeçare me 1.5 milionë euro. Ai do të ketë një rrogë prej 750 mijë eurosh neto deri në fund të qershorit. E ardhmja e tij pastaj do të varet nga vendi që Napoli do të zërë në kalsifikimin përfundimtar të Serisë A. Nëse Gatuzo kap vendin e 4-t, pra zonën Champions, do t’i zgjatet kontrata edhe për dy vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë