Futboll

Gati dhe Perin nderojnë Juventusin, Mançester Junajtid bën ‘vetëvrasje’

Gazeta Si – Pas një pjese të parë të vuajtur, Juventusi gjeti golin e fitores me Gatin në minutën e 73-të. Vendimtare ishin edhe pritjet e Perin në fundin e ndeshjes, ndërsa kualifikimi vendoset në Lisbonë pas 7 ditësh.

Juventusi mundi 1-0 Sportingun e Lisbonës në Torino, në raundin e parë të çerekfinaleve të Ligës së Europës. Djemtë e Alegrit hasën jo pak vështirësi në pjesën e parë, rrezikuan të pësonin gol disa herë, u rritën më pas në pjesën e dytë. Për të zgjidhur një ndeshje të komplikuar mendoi mbrojtësi Federiko Gati, i cili shënoi 2 hapa larg portës golin e parë bardhezi, duke përfituar edhe nga gabimi i portierit Adan, pas gjuajtje me kokë të Vlahoviç.

Në fund u ngjit në katedër Perin, me një ndërhyrje të dyfishtë në kohën shtesë, duke e shpëtuar Juventusin nga goli i barazimit. Italianët shkojnë në Portugali me avantazhin e fitores në ndeshjen e parë.

Në fundin e pjesës së parë, portieri Shezni nuk u ndje mirë. Ai vendosi dorën në gjoks dhe kërkoi ndërrim menjëherë. Dukej mjaft i frikësuar, por shkoi me këmbët e veta në dhomën e zhveshjes. Elektrokardiograma doli mirë për portierin polak, që do të kryejë edhe kontrolle të tjera të detajuara, por frika ka kaluar tashmë.

Portieri Shezni ne momentin e daljes nga fusha. Gazeta Si, 13 prill 2023

Në ndeshjet e tjera, Roma humbi 1-0 në fushën e Fejnordit. Përveç ndeshjes, Mourinjo humbi edhe dy dy sulmuesit Dibala dhe Abraham për shkak dëmtimi.

Mançester Junajtid po fitonte 2-0 deri afër fundit të ndeshjes me Seviljen, por pastaj bëri ‘vetëvrasje’. “Djajtë e kuq’ u barazuan në 2-2 nga spanjollët me Navas dhe En Nesyri, i ndihmuar edhe nga Meguajër, kështu që duhet të nisin gjithçka nga e para në ndeshjen e kthimit. Barazim edhe mes Bajer Leverkusen dhe Union SG.

Liga e Europës
Sot
Fejnord-Roma 1-0
Bajer Leverkusen-Union SG 1-1
Juventus-Sporting 1-0
Mançester J.-Sevilja 2-2


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë