Futboll

Garsinë e bëjnë palaço në rrjetet sociale, Lioni denoncon tifozët

Duhej të ishin momente gëzimi për Lionin, pas fitores ndaj Juventusit në Ligën e Kampionëve, por ky sukses nuk ka mjaftuar për të evituar përplasjen mes tifozëve dhe klubit. Pas parullave në shkallët e stadiumit, përplasjes fizike mes lojtarëve dhe tifozëve dhe fushatave online, vjen edhe momenti për denoncim.

Rudi Garsia, trajneri i Lionit, po e drejton me sukses këtë skuadër, por ai nuk është pëlqyer kurrë nga tifozët për shkak të së kaluarës së tij tek Olimpiku i Marsejës. Ai nuk është vlerësuar kurrë nga tifozët e Lionit, të cilët kanë publikuar së fundi një foto të tij si një palaço në rrjetet sociale. Për këtë shkak klubi ka vendosur t’i denoncojë tifozët e vet. Me një njoftim në Tuiter, klubi francez ka shpjeguar se do të denoncojë çdo tifoz që nëpërmjet rrjeteve sociale shpreh urrejtje ndaj skuadrës, lojtarëve dhe stafit.

Presidenti i Lionit, Aulas, u shpall "luftë" tifozëve të vet. Gazeta Si, 28 shkurt 2020

Ka qenë vetë presidenti i Lionit, Zhan Mishel Aulas, i cili ka ngritur zërin dhe ka lënë të kuptohet se prapa postimeve negative në rrjetet sociale është një organizatë që do të keqen e klubit. “Janë disa persona që po e çojnë përpara këtë nismë në rrjetet sociale në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar”, - ka thënë numri 1 i Lionit, edhe ai i etiketuar shpesh si kloun nga tifozët. Në këtë pikë klubi ka vendosur të bëjë denoncim për postimet “kriminale”. Edhe në një moment kaq pozitiv, Garsia dhe të tijtë nuk mund të jenë të qetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë