Motosport

Garë me tri nisje në Muxhelo, triumfon Hemilton, Ferrari katastrofë

Ljuis Hemilton ka fshirë nga memoria zhgënjimin e Moncës, duke fituar në “Çmimin e Madh” të Toskanës. Një garë e mbushur me incidente dhe dy flamuj të kuq. Piloti anglez ka kaluar binishin para Valteri Botas dhe kjo është fitorja e radhës e dyfishtë për Mercedesin. Plotëson podin Red Bull-i me Aleksander Albon. Ferrari sërish me probleme, Leklerk e mbyll i 8-i, kurse Fetel i 10-i.

Renditja pas garës së Muxhelos. Gazeta Si, 13 shtator 2020

Një parakalim fantastik nga ana e jashtme në kthesë ka ndihmuar Hemiltonin të arrijë fitoren numër 90 në karrierë dhe tani ëhstë vetëm një fitore larg rekordit të Mikael Shumakerit. Nisje ishte e dobët për anglezin, pasi Botas i doli përpara, por flamuri i kuq pas incidentit në linjën e nisjes, i dha një tjetër shans Hemiltonit, i cili nuk e shpërdoroi. Ai dominoi në garë dhe i vetmi që arriti ta mbante në presion ishte shoku i skuadrës, Botas. Por edhe këtë herë piloti finlandez ishte i pari i humbësve.

E nëse flitet për humbës, sigurisht që i tillë është Ferrari. Në ditën e garës numër 1000, skuderia italiane nuk dhuroi emocione për tifozët e saj në tribunë. Provoi i zakonshmi Leklerk, duke e nisur mirë pas dy makinave Mercedes, por më pas u parakaluar nga Stroll, Riçardo, Albon, Perez, Norris dhe Kvjat. Në fund iu desh të kënaqet me vendin e tetë. Më keq Fetel, kurrë protagonist dhe i dhjeti në fund. Në Maranelo duhet të shohin që tëni për 2021-shin.

Makina e Hemilton gjatë garës. Gazeta Si, 13 shtator 2020

Duartrokitje për Albon, për podin e parë historik në karrierë. Pak meritë e tij dhe pak dështim i Racing Point, që në fund zuri vetëm një vend të 5-të me Serxhio Perez, pasi Lens Stroll, 15 xhiro para fundit, u përplas fort he përsëri flamur i kuq në pistë. Përpara Leklerk edhe Daniel Riçardo, Lando Norris dhe Danil Kvjat. Dy pikë për Alfa Romeon, falë Kimi Raikonen, i cili në pistë e mbylli i teti, por u penalizua me 5 sekonda, pasi kishte kaluar linjën e hyrjesn në bokse.

Një e diel për t’u harruar për Maks Vershtapen, i cili i shkaktoi probleme Red Bull-it, u nis keq dhe gjatë garës u godit nga Raikonen dhe përfundoi në rërë e mbeti i bllokuar. Në të njëjtin incident u përfshi edhe fituesi i Moncës, Pierr Gasli. Edhe nisja e dytë ishte rokamboleske. Pati një përplasje në linjën e nisjes mes Karlos Sainz, Kevin Magnusen dhe Antonio Xhovinaci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë