Menaxhim

Gara për aeroportin e Sarandës e hapur në 2 gusht-23 shtator, vlera e investimit 37 mln euro

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një konference për mediat ka njoftuar se është hapur gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.

Balluku tha se gara do të jetë e hapur në faqen e ministrisë duke filluar nga data 2 gusht deri në datën 23 shtator 2021.

Aeroporti sipas Ballukut do të jetë i kategorisë 3C me pistë 2200 metra edhe pse për këtë kategori pistat limitohen edhe deri në 1800 metra por kjo bëhet për të krijuar më shumë lehtësi. Numri i pasagjereve në vitin e parë të operimit pritet që të jetë 150 mijë dhe sipas studimit pritet që të konsolidohet  në mbi 1 milionë brenda 3-4 vitesh. Aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport sezonal.

“Puna flet dhe nuk ka shumë nevojë për fjalë. Aeroporti i Sarandës do t’i shtohet kësaj kurore infrastrukture ajrore shumë të rëndësishme.

Dua të theksoj se zona e Sarandës është një zonë me interes. Ne kemi pasur interes nga grupet që operojnë në Aviacionin Civil në Europë.Do të jetë një investim privat i kuotuar në vlerën 37 milionë eurove. Zona e Sarandës është një zonë e rëndësishme që ka marrë vrull zhvillimi në sektorin e turizmit. Kjo garë do të jetë e hapur. Ajo do të jetë aktive në faqen tonën duke nisur nga data 2 gusht dhe deri në 23 shtator të 2021.”-tha Balluku.

Ajo gjithashtu shtoi që më anë të këtij aeroporti mund të kryhen tashmë edhe fluturime brenda vendit nga aeroporti i Kukësit në atë të Sarandës, duke ofruar lehtësi për qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë