Futboll

Galliani ngre alarmin: Nëse sezoni nuk përfundon, na pret kolapsi ekonomik

Ndërsa është akoma e paqartë nëse dhe kur mund të rinisë futbolli, paralajmërimi i Adriano Galliani, administratori i deleguar i Monzës, që për “La Politica nel Pallone” lëshon alarmin: “Nëse nuk mbaron sezoni gjithë sistemi i futbollit rrezikon kolapsin”.

Duke nisur nga baza: “Në Serie D nuk ka të ardhura, në Serie C pothuajse – thekson ish-drejuesi i Milan – Serie C humbet 120 milionë në vit që janë vendosur nga 60 sipërmarrës me një mesatare prej dy milionë secili. Kam frikë se kriza ekonomike që do të godasë në mënyrë të fortë Italinë do ti pengojë këta 60 zotërinjtë të investojnë edhe vitin e ardhshëm. Por, Serie C e Serie D kryejnë një detyrë të rëndësishme sociale, largojnë fëmijët nga rruga e duhet gjetur ndonjë mënyrë për të bërë që kjo detyrë të njihet e vlerësohet. Për Serie A e B duhet kuptuar cila do të jetë sjellja e publikut, sponsorëve dhe televizioneve. Duhet vlerësuar cila zgjidhje do të bëjë më pak dëme për futbollin”.

Është e kuptueshme se kohët e rifillimit do të varen nga zhvillimi i emergjencës koronavirus, por sezoni duhet mbaruar “në siguri, pa dëmtuar askënd apo shtuar të infektuarit”, sepse sipas Galliani është çështje mbijetese: “Nëse ndërpresim sezonin do të ketë një reduktim të madh të të ardhurave, prandaj sipas meje zgjidhja duhet gjetur duke pasur një këshilltar të shkëlqyeshëm që i vlerëson rastet një nga një, nëse do të jetë më e përshtatshme të mbyllet në 30 qershor, 30 korrik apo në 30 gusht e kështu me radhë, sepse secila zgjidhje sjell të ardhura shumë të ndryshme”.

“Shpresoj të zgjidhet rruga që sjell më pak dëme, sidomos në Serie A – ka shtuar Galliani – Futbolli italian ka një numër të pafund borxhesh, e mungesa e të ardhurave mund ti çojë shumë skuadra në Serie A në pragun e kolapsit dhe ne gjithashtu duhet të gjejmë një sistem për të shmangur mosmarrëveshjet me tre burimet e të ardhurave: publiku, sponsorët dhe e drejta televizive “.

Më Shumë