Njerez

Gala që zbuti Drago(t)in

Lajmi i ditës dje dhe sot ka qenë padiskutim vajza e Robert Aliaj Dragot, që me zërin dhe intepretimin e këngës “Don’t Know Why” të Norah Jones, ngriti peshë jurinë e “The Voice Kids Belgium”. Gala, e bukur ishte rasti i rradhës që dëshmoi se kur në skenë shfaqet diçka e bukur rrjetet sociale marrin zjarr furishëm e kur çudinë e bën një vajzë me gjak shqiptar, e pastër dhe e çiltër, s’ka duf e shfryrje, s’ka vend për asnjë koment negativ, madje edhe pse u mor menjëherë vesh se ajo ishte e bija e atij që s’ka lënë njeri pa sharë e sherrosur, me fraza të drejpërdrejta, të patakt për shumëkënd e të guximshme për shumë të tjerë.

Por ja që magjia e Galës ishte aq e fuqishme sa mpiu çdo mendje djallëzore e përkuli edhe vetë “djallin” Dragot që u shfaq në skenë më i zbutur se kurrë ndonjëherë. Edhe pse ishte përsëri me atë skeptrin e tij, identifikues të stilit të tij të pas viteve ‘90, fuqia e tij kishte rënë nën këmbët e së bijës dhe para jurisë që e la pothuajse pa fjalë.

Askush, nga ata që e kanë njohur pas viteve ‘90, s’do ta kishte besuar pa e parë atë skenë, se “i çmenduri” Robert Aliaj Dragot mund të jetë edhe ashtu i butë. Por kush e kujton nga koha e ekranit, festivaleve e Koncerteve të Pranverës në RTSH, nuk do të jetë çuditur aspak nga ajo pamje njerëzore. Sepse Robert Aliaj atëherë ishte imazhi i djalit të mirë, romantik, që këndonte ëmbël e qetë “Dashuria”, “Një çast”, “Jetës fali zemrën” e në fund të pragikjes nga Shqipëria na la këndej këngën ndoshta më hit të tij “Dy gjysma molle”. S’kishte mbetur asgjë nga ai këngëtar, kur u rishfaq si një specie e çuditshme, e modernizuar deri në “lajthitje” në ekranet e spektaklet e postkomunizmit. Por Gala në skenën e “The Voice Kids Belgium” ja çorri maskën, ja mori nga duart skeptrin e “çmendurisë” dhe e riktheu në njeri, me shpirt e zemër të butë, me lot të ngrohtë prej babai që sot shkruan mbërthyer nga emocionet “Faleminderit për suportin dhe vëmendjen për çupën time, për rrushen e jetës sime”.

Gala shënoi suksesin e saj të parë të madh duke saktësuar në instatagramin e saj” Ky është vetëm fillimi”. Jehona e këtij suksesi që erdhi fuqishëm edhe në Shqipëri i takon gjysmës asaj e gjysëm babait të saj. Në mënyrë të barabartë si atëherë kur ai ndante dy gjysma molle në këngën e fundit që këndoi para se të iktë për të lindur yllin e ri, Galën e tij, në Belgjikë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë