Atletike

Gafa me rregulloren e la jashtë garës, Gega: Ndihem e thyer

Sikur të mos mjaftonin të gjitha problemet e tjera, sporti shqiptar vuan edhe mungesën e madhe të organizimit dhe në shumë raste sportistët tanë më të mirë janë penalizuar. Më i fundit rast është ai i atletes së njohur shqiptare, Luiza Gega, e cila nuk mundi të futej në garë për shkak të një gabimi dhe mosnjohje të rregullores.

Atletja 31-vjecare ishte në garë për të marrë pjesë në kampionatin Europian të atletikës në salla të mbyllura që po mbahet në Gllazgou të Skocisë. Duke mos njohur plotësisht rregulloren, Gega kishte kërkuar që të mos merrte pjesë në një nga garat, ku ajo ishte regjistruar paraprakisht. Atletja kishte programuar që të merrte pjesë në garat 1500 dhe 3000 metra, por bashkë me trajnerin e saj Taulant Stërmasi kishin vendosur që të tërhiqeshin nga një garë dhe të marrin pjesë vetëm në njërën prej tyre.

Siç shkruan vetë në rrjetet sociale, Gega bashkë me trajnerin e saj vendosën të marrin pjesë vetëm në garën e 3000 mijë metrave dhe të tërhiqeshin nga 1500 metrat. Por ky vendim do duhej të ishte marrë 24 orë para garës, pasi në rast të kundërt rregullorja parashikon që atletja përjashtohet nga të dyja garat. Në mesazhin e saj në rrjetet sociale, Gega shprehet thellësisht e zhgënjyer, por se sërish do të vazhdojë të punojë për të plotësuar ëndrrën e saj dhe të bëjë krenarë shqiptarët kudo që janë.

“Sot më shumë se kurrë ndjeva aq dhimbje, trishtim që s’më lanë të futem në garë, ku nuk ka rëndësi në do fitoja apo jo, nëse do e arrija qëllimin tim apo jo. Thjesht do jepja maksimumin tim dhe kaq për të cilin jam lodhur çdo ditë me ato kushte pa marrë parasysh në binte shi, në ishte ftohtë, në ishte diell dhe kaq. Nuk u futa për një rregullore të re që nuk e kishim ditur.”- shkruan Luiza ndër të tjera.

Më tej ajo shkruan se do të vazhdojë me këtë sport dhe kjo është një goditje që atë nuk e lëkund.

https://www.facebook.com/LuizaGega.Official/photos/a.1500445726854149/2339196409645739/?type=3

Më herët zhgënjim në kampionatin e Europian të atletikës në salla të mbyllura që po mbahet në Gllazgou të Skocisë, zhgënjim kishte qenë edhe Izmir Smajlaj. Sportisti Shkodran u tërhoq pa u futur në garë, duke mos marrë pjesë për shkak të një dëmtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë