Atletike

Izmir Smajlaj tërhiqet nga Europiani i Gllasgout për shkak dëmtimi

Një dëmtim ka bërë që Izmir Smajlaj të mos garojë në Europianin që po zhvillohet këto ditë në Gllasgou. Atleti shqiptar i kërcimit së gjati, kampion Europe në vitin 2017, kur kërceu 8.08 m, ka qenë vërtet pa fat këtë herë.

Gara kualifikuese e Izmir Smajlajt ishte programuar sot, në orën 11:00, por është mësuar lajmi se shkodrani nuk do të garonte për shkak të një dëmtimi të pësuar disa ditë më parë në stërvitje. Konfirmimi është dhënë nga trajneri Gjergji Ruli, njëkohësisht edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës. Sipas Rulit, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, do të ishte shumë e rrezikshme që Smajlaj të futej në garë, pasi do të dëmtohej më keq, duke bërë rrupturë.

Izmir Smajlaj

Tashmë Izmir Smajlajt i duhet të riaftësohet sa më shpejt dhe të nisë përgatitjet për kompeticionet e tjera, për Kampionatin Botëror. Në Gllasgou, në Europianin e sallave të mbyllura, konkurron edhe atletja Luiza Gega, si gjithmonë, në garën e 3000 metrave. Shpresojmë që Luiza të na dhurojë medalje edhe këtë herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë