Futboll

Futbollisti italian: Si po jetoj me koronavirusin

Kanë të njëjtin pasion, kanë luajtur në periferi dhe tani e gjejnë veten duke luftuar kundër të njëjtit kundërshtar, që  nuk ka asnjë lidhje me futbollin. Mattia, Pacienti 1 dhe A.F, shokë skuadre te "Picchio Calcio Somaglia", skuadër që aktivizohet në Eccellenza (kategoria e pestë në Itali), po përballen me një sfidë të re, një kundërshtar të ri, me emrin koronavirus. Duhet mposhtur, si të gjithë të tjerët, por këtë herë jo "krah për krah". A.F në një intervistë për Corriere.it, tregon aventurën e tij me koronavirus. "Një doktor infektiv nga Milano më telefonoi, duke më pyetur si ndihesha. Pasi i thashë që ndihem mirë, më thotë: Më vjen keq, analizat rezultuan pozitive. Fillimisht kam qëndruar disa sekonda i shtangur dhe pashë orën. Ndoshta kam dashur të fiksoj një moment kaq të rëndësishëm në kujtesën time, ishte ora 11.53, ditë e diel. Mora frymë thellë dhe i thashë vetes: mos u shqetëso dhe provo të jesh racional. Dhe kështu fillova të jetoja me të".

Pacienti 1 - "Të shtunën, më datë 15, ai luajti me mua, unë isha ulur pranë tij. Kur u bë e ditur se ai ishte në spital, të gjithë ne u vetëizoluam dhe të shtunën ata na dhanë tamponin."

Simptomat - "Disa duhet ende të shfaqen. Tani për tani, gjashtë prej nesh kanë rezultuar pozitivë, plus Mattia. Ne të gjithë ndodhemi në karantinë, në shtëpitë tona. Askush nga ne nuk është shtruar në spital. Disa simptoma, ethe, por asgjë serioze. Jam i martuar, kam qenë i bindur që e kam infektuar gruan time dhe në vend të kësaj, për habinë time, tamponi i saj rezultoi negativ. Unë duhet të qëndroj brenda, të mos kem kontakte të ngushta me njerëz të tjerë, duke filluar nga gruaja ime që është si unë në karantinë. Temperatura  varion midis 37.1 dhe 37.8. Nuk kam vështirësi në frymëmarrje dhe herë pas here kollitem, por asgjë e veçantë ".

Ekipi - "Kemi krijuar një grup fantastik në WhatsApp. Ne shkruajmë vështirësitë, detaje që na shqetësojnë apo na argëtojnë. Është një mënyrë për të kaluar kohën. Për pjesën tjetër, unë dëgjoj muzikë, flas në telefon, dërgoj mesazhe, dhe pastaj nuk e di se sa ndeshje dhe dokumentarë kam parë. Shikoj qenin duke luajtur me gruan time në kopsht. Do të doja shumë ta përqafoja por nuk mundem. Ne flemë në dhoma të ndara dhe përdorim banjo të ndryshme. Rreth shtatëdhjetë njerëz janë kontrolluar. Por unë mësova një gjë surprizuese nga specialisti i sëmundjes infektive: për të marrë një tampon dikush që më njeh, ka shpikur kontakte me mua që nuk kanë ndodhur kurrë ".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë