Futboll

Futbollisti anti-luks: Kam vuajtur nga uria, ç’më duhen 10 Ferrari e 2 avionë?

Në fushë dallohet lehtë për atë që bën, kurse jashtë kuadratit të blertë vështirë të gjesh lajme për të. Sadio Mane është më pak “glamour” e më pak “social”, jo vetëm nga lojtarët e Liverpulit, por në përgjithësi nga të gjithë kolegët e tij. Ajo që bën nuk shkruhet në gazeta, sepse nuk u kushton rëndësi parave dhe luksit.

Nga treshja sulmuese e Liverpulit, ndoshta Sadio Mane është lojtari më pak mediatik, por jo më pak i rëndësishmi. Senegalezi ia ka dalë mrekullisht të mos mbetet në hijen e dy shokëve të repartit, Salah dhe Firmino. Nuk ka dëshirë ta bëjë publike atë që bën, përveç rasteve kur është dikush që e fotografon, si në rastin kur po pastronte xhaminë në Liverpul. Mane është larg stereotipit të futbollistit të sotëm. Nuk është i dhënë pas parave dhe luksit, por është i impenjuar për të ndihmuar të tjerët, siç shpjegon për “nsemwoha.com”. “Pse duhet të kem 10 Ferrari, 20 orë me diamantë apo 2 avionë? Për çfarë më duhen këto gjëra?”. Pyetje që me shumë mundësi pjesa më e madhe e futbollistëve nuk ia bëjnë vetes…

Sadio Mane viziton vendet e varfra në Senegal, ku ka bërë bamirësi. Gazeta Si, 18 tetor 2019

Eksperienca e jetës i ka mësuar shumë sulmuesit senegalez. Me paratë që fiton ai preferon të ndihmojë ata që kanë pasur më pak fat në jetë se ai. Me anë të futbollit ka gjetur rrugën për t’i shpëtuar varfërisë. “Kam vuajtur nga uria, kam mbijetuar në kohë të vështira, kam luajtur zbathur dhe nuk kam shkuar në shkollë. Sot, me atë që fitoj, mund të ndihmoj të tjerët. Kam ndërtuar shkolla, një stadium, kam dhuruar rroba, këpucë dhe ushqime për njerëzit më në nevojë. Jap 70 euro në muaj për të gjithë banorët e një zone shumë të varfër në Senegal, për të kontribuuar në ekonominë e tyre familjare”. Janë fjalët e futbollistit që nuk e pret. Thjesht Sadio Mane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë