Futboll

Futbollistet Amerikane padisin federatën, kërkojnë 66 mln dollarë

"Pagë e barabartë". Kjo është ajo që lojtaret e ekipit amerikan të futbollit, kampionë të botës në fuqi, kanë kërkuar prej kohësh. Duke vazhduar betejën që nisi në vitin 2019, Megan Rapinoe dhe ekipi kërkojnë një dëmshpërblim prej 66 milion dollarësh nga Federata Amerikane e Futbollit, në akuzën e diskriminimit sa i përket shpërblimeve në krahasim me kolegët meshkuj. Kërkesa është përpiluar në një seri dokumentesh të depozituara në gjykatën e Los Anxhelosit: Padia do të shqyrtohet në gjyqin e planifikuar për 5 majin e ardhshëm.

Do të paraqiten dokumente që tregojnë në detaje pabarazitë te pagat, të cilat nxjerrin në pah diskriminimin për ekipin e femrave. Ndër këto është dëshmia e Rapinoe, në të cilën kampionia e botës akuzon Russell Sawyer, një nga avokatët e federatës amerikane, që ka deklaruar  "duke u bazuar në tregun e sotëm, gratë nuk meritojnë të paguhen aq sa burrat ".

Shifrat e pagave nuk lënë vend për dyshime. Një futbollist në SHBA përfitoi 179.375 dollarë për përpjekjen e dështuar për t'u kualifikuar në Kupën e Botës 2018; nga ana tjetër një futbolliste amerikane mori 52.500 dollarë për kualifikueset e vitit të kaluar dhe për fitoren mori 147.500 dollarë. Shpërblimi është i ndryshëm sepse – sipas  federatës - femrat kanë kërkuar dhe negociuar një kontratë të ndryshme nga ajo e burrave pavarësisht se "u është ofruar  një marrëveshje e ngjashme". Një shpjegim që nuk është bindës dhe që ka për qëllim vetëm të ndezi gjakrat në një proces që do të shënojë një faqe të re në fushatën #MeToo, për trajtim të barabartë mes gjinive të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë