Një kupë e përbashkët mes ekipeve shqiptare dhe atyre kosovare, me emrin domethënës “Nënë Tereza”. Nuk është thjesht një dëshirë e gjithë shqiptarëve, por një projekt konkret që ka nisur të hedhë hapat e parë tashmë. Një projekt që përfshin dy federatat, por edhe dy qeveritë, që nëpërmjet futbollit do të bashkojnë Shqipërinë me Kosovën.
Gjithçka e ka zbuluar presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili jep disa detaje interesante të projektit. Sipas tij, aktiviteti do të organizohet me një fond të posaçëm që do të akordojnë FSHF-ja, FFK-ja dhe qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Madje, Ademi shkon edhe më tej, duke pohuar se do t’i kërkohet UEFA-s që ekipi fitues të jetë pjesëmarrës në kompeticionet europiane dhe në këtë pikë “topin” ia kalon kolegut Duka, i cili është pjesë e Komitetit ekzekutiv të UEFA-s.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka deklaruar: “Ka një projekt për një kupë që do të quhet kupa "Nënë Tereza”, një kativitet masiv dhe që do të zhvillohet gjatë gjithë vitit. Ndeshjet mendohet të luhen në mesjavë, kur nuk ka kampionat. Është një projekt i përbashkët mes dy federatave të futbollit dhe dy qeverive, që do të krijojnë një fond të posaçëm. Fituesi, përveç shpërblimit që merr nga dy federatat, merr një shpërblim edhe nga dy qeveritë. E kemi dorëzuar në UEFA projektin, por nuk kemi marrë përgjigje. Vitin tjetër do të kemi një mbledhje për këtë çështje, që më shumë i takon presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Ai është edhe përgjegjës i federatave të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. UEFA-s i kërkojmë që ekipi fitues të marrë pjesë në kupat e Europës. Kupa e Mbretit në Spanjë, për shembull, njihet nga UEFA”, - tha për “Zëri” presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Ademi.
Dy federatat duket se kanë shumë seriozisht dhe tani mbetet për t’u parë reagimi i UEFA-s në lidhje me këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.