Futboll

Futboll solidar, në stadium për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti

Tërmeti i 26 nëntorit që mori dhjetëra jetë njerëzisht dhe shkatërroi qindra e mijëra banesa, paralizoi edhe futbollin në vend. Solidarizimi nga bota e sportit ishte i menjëhershëm për familjet e prekura nga kjo fatkeqësi, donacionet ishin të shumta dhe në vlera të konsiderueshme monetare. Por nuk ka përfunduar me kaq.

Sot rikthehet futbolli i luajtur dhe shumica e klubeve, nga Superiorja e deri te Kategoria e Dytë, kanë marrë iniciativën që të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave për ndeshjet e radhës të shkojnë të gjitha për familjet në nevojë, kryesisht në zonën e Durrësit dhe Thumanës, ku dëmet e tërmetit ishin më të mëdha. Është një iniciativë e përkrahur nga të gjithë dhe për tifozët është një motiv më shumë që sot të mbushin shkallët e stadiumit.

Kulmi i donacioneve nga futbolli pritet të jetë javën e ardhshme, kur luhet derbi Partizani-Tirana. Klubi i Partizanit i ka propozuar FSHF-së që të lejojë zhvillimin e derbit në “Air Albania Stadium” pa qera dhe të ardhurat e biletave të shkojnë për të prekurit nga tërmeti. Nga FSHF-ja nuk ka ende një përgjigje zyrtare, për vështirë të thuhet “jo” në këtë rast. Në derbi të ardhurat nga biletat shkojnë zakonisht rreth 50 milionë lekë dhe nuk është një shumë e vogël.

Nga një ndeshjes mes Tiranës dhe Kukësit. Gazeta Si, 7 dhjetor 2019

Superiroja luan sot tri nga ndeshjet e javës së 14-të të saj dhe vëmendja është te sfida e kryeqytetit mes Tiranës dhe Kukësit, ku edhe prania e tifozëve pritet të jetë më e madhe. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 16:30. Tirana është munduar të reflektojë për të bërë kthesën, pas tri ndeshjeve pa fitore, por përballë Kukësit të ngjitur në vend të dytë do ta ketë mjaft të vështirë. Është një sfidë mes dy skuadrash me sulme të forta, por me probleme në mbrojtje, kështu që golat janë të “garantuar”.

Më parë luhen dy ndeshje të tjera, Partizani kryesues shkon në fushën e Bylisit, surprizës së këtij kampionati, ndërsa Luftëtari pret Vllazninë. Gjirokastritët janë në përpjekjet e fundit për të mbetur në garën e mbijetesës dhe vetëm fitorja i mban në lojë. Shkodranët vijnë pas një serie ndeshjesh pa fitore dhe nuk kanë çfarë humbin. Dy ndeshjet e tjera të javës së 14-të, Teuta-Skënderbeu dhe Laçi-Flamurtari, luhen nesër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë