Një shpërthim tritoli ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, në oborrin e përbashkët të shtëpisë së Besim dhe Ramazan Muçës.
Ky i fundit është gjyshi nga ana e mamasë së Xhisiela Malokut, në shtëpinë e të cilit ajo jeton bashkë me nënën dhe motrën.
Por, fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, sikurse as dëme materiale.
Policia ka mbërritur në vendngjarje ku edhe ka shoqëruar në komisariat 9 persona për t’i marrë në pyetje.
Më herët në një intervistë, Xhisiela Maloku u shpreh se nuk ka kërkuar urdhër mbrojtje nga forcat e policisë, pasi nuk ndjehej e kërcënuar.
Ndërsa, pas shpërthimit ajo ka reaguar dhe në një prononcim, ajo shprehet se sulmi ka ardhur nga radhët e opozitës, pasi ajo i nxori blof në lojën e tyre politike.
Tanimë ajo do ta pranojë urdhrin e mbrojtjes, pasi ndjehet vërtet e kërcënuar.
“Është mëse e qartë është bërë nga PD dhe opozita. Të vërtetën e di unë dhe vetëm unë. Unë dola thashë të vërtetën, ata dolën blof në lojën e tyre politike. Deri dje nuk isha e rrezikuar tani jam e rrezikuar nga opozita. Tani do ta pranoj mbrojtjen. Por s'do largohem nga Shqipëria”, ka thënë Xhisiela.
Më tej, Xhisiela është shprehur se asnjëherë nuk është ndier e kërcënuar nga Rexhepi apo dhe nga familja e tij, madje në momentin e shpërthimit të eksplozivit personi i parë që ajo ka telefonuar është kushëriri i ish-partnerit të saj.
“Me Rexhepin kam marrëdhënie të mira. Sot kam kërkuar që të më qëndrojë pranë një nga familjarët e tij. Vetëm kështu ndjehem e sigurt. Ishte një shpërthim i fuqishëm. Pas tritolit telefonova menjëherë kushëririn e Rexhepit. Unë s'do largohem nga Shqipëria. Sërish bashkë me Rexhepin? Nuk i dihet”, shprehet Xhisiela.
Ndërkohë, edhe familjarët janë trembur dhe ndihen të kërcënuar nga kjo ngjarje.
“Nuk dimë asnjë gjë. S’ia vendosim dot fajin asnjërit. Ishte ora rreth 12 e natës. U trembëm shumë. Na e hodhën tritolin në oborrin e shtëpisë. Jemi të kërcënuar. Nuk kemi asnjë ide kush mund ta ketë hedhur, vetëm kur dëgjuam zhurmë, dolëm të frikësuar përjashta dhe pamë se kishin hedhur lëndë plasëse”, ka qenë kjo dëshmia e gjyshes së Xhisielës.
Deputeti i PD-së, Edi Paloka, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Xhisiela Malokut, e cila akuzoi opozitën për vendosjen e tritolit në banesën e gjyshit të saj.
Paloka shprehet se nuk arrinte ta imagjinonte që Xhisiela do të nxirrej të deklaronte se tritolin ia vuri opozita.
“Këta kalojnë dhe fantazinë...
Që mund ta nxirrnin atë vajzën të deklaronte se e kishte vënë vetë tritolin e mendova, po që të deklaronte pas Ramballës se ia kishte vënë opozita nuk arrita ta imagjinoja.
Ja pra dhe bomba në ambasadën jugosllave u gjet...
Rama i kalon vërtet me distancë paraardhësit e tij në të keqe”, shkruan Paloka në “Facebook”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.