Analize

Fushatë mbështetjeje me artistë – A do t’i “përdorë” edhe Veliaj si Obama?

Aristoteli besonte se për nga natyra njeriu është kafshë politike, një krijesë sociale me fuqinë e ligjëratës dhe arsyetimit moral. Kështu sipas filozofit të madh grek, ose jemi kafshë politike, ose të përjashtuar nga ajo krijesë e natyrës që ai besonte se ishte shteti; zogj që fluturojnë të lirë... Por kafsha-njeri e ka shfaqur natyrën politike përgjatë historisë, edhe pa u përfshirë domosdoshmërisht në politikëbërje.

Që në fillesat e tij arti, veçanërisht ai skenik, ishte kritiku më i madh që qesëndiste, ngacmonte e godiste përmes parabolash, moralin e shoqërisë, tabutë,  pushtetin – qoftë ai religjioz a monarkik dhe qeverisjet e forcave politike, qysh kur demokracia doli nga agorat e koncepte filozofike Athinase, duke u shndërruar në regjimin në mos ideal, të paktën optimal, të përfaqësimit qytetar.

Veliaj i uron mirëseardhjen në PS, Vikena Kamenicës dhe Iris Luarasit

Por shumë aktorë parapëlqyen t’i kapërcejnë skenat e artit dramatik, për të vënë gishtin në kritika a lëvdime jo përmes petkave të personazheve, për me zërin e tyre, duke u përfshirë kështu aktivisht në politikë. Rastet e martesave të aktorëve me politikën nuk janë të rralla. Mjaft t’i hedhim sytë nga “toka e mundësive”, ku president i  40-të i ShBA-së, Ronald Reagan vinte direkt nga Hollivudi, me karrierë në aktrim.

Ylli i filmave aksion, Arnold Schwarzenegger ndoshta nuk kishte pasur rastin në karrierën e tij hollivudiane të interpretonte ndonjë rol presidenti, por kjo nuk e ndali të zgjidhej Guvernator i Kalifornisë në dy mandate, shteti në të cilin shtrihen edhe kodrat e famshme të Hollivudit, ku mbështetja nga ish-kolegët do të ishte e dukshme.

Ermal Mamaqi në fushatën e mbjelljes së pemëve

Edhe aktori legjendar i filmave western, Clint Eastwood ka shpërfaqur dimensionin e tij politik, megjithëse jo në përmasat e kolegëve të tij. Ai ka qenë kryeashkiaku i Carmel-by-the-Sea më 1986-n dhe u caktua në Komisionin e Rekreacionit dhe  Parkut Shtetëror të Kalifornisë, si edhe në Komisionin e Filmit në Kaliforni, respektivisht më 2001-shin dhe 2004-n.

Shembulli i freskët i flirteve, që më pas bëhen histori serioze angazhimi, i aktorëve me politikën, është ai i presidentit të Ukrainës, i zgjedhur më 2019-n, Volodymyr Zelensky.Komediani, para se të bëhej presidenti i gjashtë, njihej nga publiku për serialin satirik  televiziv  “Shërbyesi i Popullit”, ku një mësues gjimnazi zgjidhet rastësisht në krye të shtetit. Prej mëse një viti, presidenca e tij, i kapërceu kufijtë e fiction-it, duke u bërë fakt.

Alban Skënderaj dhe Miriam Cani me kryebashkiakun Veliaj

Ndoshta ngaqë u duket një komedi e madhe apo një absurd që i bën edhe komikët të bëhen seriozë, që aktorët lënë humorin dhe satirën për të kapur foltore përballë publikut, që shndërrohet në popull, të cilëve u kërkohet besimi me votë.Kështu, komediani italian  Bepe Grillo u përfshi në politikë, duke krijuar Lëvizjen “Cinque Stelle”, duke u bërë një nga prurjet më të famshme të populizmit që kaploi Europën më 2010-n.

Edhe Shqipëria lidhjet e artit me politikën nuk i ka të rralla e as të vona. Arben Imami, përveçse ishte lektor  në Institutin e Lartë të Arteve gjatë Lëvizjes së  Dhjetorit ’90,  që përfshiu studentë e pedagogë në grevën dhe protestat që pasuan, por edhe një aktor i njohur i ekranit shqiptar në filma si “Në çdo stinë”, “Ballë për Ballë”, “Njeriu me top” apo “Ilegalët”.

Kryebashkiaku Veliaj me këngëtarin Ermal Meta

Pas ’90, jo vetëm që u përfshi në themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, por shërbeu në një sërë detyrash të larta si deputet i parlamentit dhe ministër në disa dikastere si ai i Mbrojtjes, i Drejtësisë apo i Pushtetit Vendor.  Edmond Budina ishte një tjetër aktor i përfshirë politikisht në themelimin e PD-së e më vonë si deputet në një legjislaturë.

Nga Instituti i Lartë i Arteve në Lëvizjen e Dhjetorit e më pas në politikën e madhe të vendit, do të dilte edhe pedagogu dhe piktori Edi Rama.Ndonëse ai zgjodhi një jetë boheme pas ndërrimit të regjimeve, duke jetuar dhe punuar në Paris, do të kthehej më 1998 për ta parë veten ministër Kulture, tri herë radhazi kryebashkiak i Tiranës dhe sot, gëzon mandatin e dytë si kryeministër dhe kërkon votëbesimin për herë të tretë, në zgjedhjet e  25 prillit 2021.

Vikena Kamenica i bashkohet PS

Shembuj të tjerë do të vinin më vonë me aktorë humori si Erion Isai, i cili pasi u emërua drejtor i Teatrit të Kukullave për një periudhë, kandidoi në logon e Partisë Socialiste për bashkinë e Kolonjës, në zgjedhjet  vendore të 30 qershorit,  2019.Po ashtu, Gazmend Paja, i njohur dhe i dashur për publikun në rolet e tij në programin komik “Portokalli”, u përfshi në politikë si anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë, duke e shfaqur hapur mbështetjen dhe besimin tek kryebashkiaku Veliaj, i cili fitoi një mandat të dytë, në zgjedhjet e vitit të kaluar.Julian Deda është një tjetër aktor humori, i cili megjithëse nuk e ka braktisur aktrimin është i përfshirë në strukturat e Partisë Demokratike  dhe një zë kritik i qeverisjes së socialistëve dhe kryeministrit Rama.

Aktori Gazmend Paja, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës

Aktori i humorit, Besart Kallaku nuk e fsheh miqësinë me presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.Megjithëse me nota humori dhe kryesisht në rrjete sociale, Kallaku dhe bashkëshortja e tij, këngëtarja Xhensila Myrtezaj u shfaqën në disa raste me kryetaren e LSI-ë, gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2017-s.

Një tjetër aktore e ka  bërë publik  angazhimin e saj politike, kohëve të fundit.  Tropojania Arjola Demiri, interpretoi në filmin “I love Tropoja”, një produksion i Ermal Mamaqit –i  cili më herët kishte mbështetur fushatën për Tiranën të politikanit të ndjerë Sokol Olldashi – ku një rol episodik, por të bujshëm mediatikisht e kishte kryeministri Edi Rama.

https://streamable.com/2esud9
Aktorja Arjola Demiri në aktivitetin e PS, Fresh Voice

Por në intervistat e dhëna, Demiri është shprehur se është pjesë e strukturave të PS-së, prej 2015-s. Por zhurma e këtyre ditëve sillej rreth figurave të disa artistëve, të cilët kryebashkiaku Veliaj i prezantoi si bashkime të reja në familje e me ta u shfaq në një sërë njësish administrative të Bashkisë, duke folur për punët e mira të bëra deri më tani dhe përse PS e meriton edhe e një mandat të tretë qeverisjeje, në zgjedhjet e ardhshme.

Pranë tij u shfaqën figura si kurora e parë e bukurisë shqiptare, Valbona Selimllari – e cila prej disa kohësh punon në Bashkinë e Tiranës -, këngëtari i Roland Hysi ( i cili gjithaq është angazhuar më herët, në këngën e famshme “Tirona” me atëherë kryebashkiakun Edi Rama dhe grupin West Side Family), aktorja  Monika Lubonja ( e cila për një periudhë ka qenë drejtore e Teatrit të Kukullave) dhe mexosopranoja Vikena Kamenica. Dikur ishte këngëtarja e njohur Elsa Lila, që mbështeste hapur PS, kur kjo protestonte me çadra në bulevard, si parti në opozitë, por pa u angazhuar politikisht.

Valbona Selimllari dhe kryebashkiaku Veliaj

“Vikena Kamenica është një diva në çdo skenë - opera, familje, shoqëri e tani në aktivizëm qytetar. Artist i mirë nuk është dikush që prej famës nuk ka asnjë opinion. Përkundrazi, prej njohjes publike, lipset të ketë më shumë angazhim kur vendi është në prag të vendimeve të mëdha për vazhdimin e misionit transformues”, shkruante Veliaj në profilin e tij të Instagramit, duke i uruar Kamenicës mirëseardhjen në familjen Socialiste.

Për vetë këngëtaren lirike, është përgjegjësi e të gjithë personave publikë të kenë një qëndrim “cilidoqoftë ai”, “Nëse me angazhim kuptojmë ndjeshmërinë ndaj përgjegjësisë që i jepet një artisti apo profesionisti shqiptar për situatën ku punon e krijon dhe të ardhmen e publikut që do të konsumojë krijimin, produktin e tij atëherë po, është angazhim i ri”, rrëfehej Kamenica në një intervistë, duke shtuar se në këtë fazë  të jetës dhe karrierës së saj nuk ka komplekse “në shprehjen e mbështetjes sime qoftë për individë, ide apo forca politike!”

Këngëtari Roland Hysi mbështet PS

Nëse nuk do të qe artiste e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, që megjithë deklaratat e ministres së Kulturës se nuk duhet të jetë njëqind për qind i varur nga shteti, Kamenica do të ishte një nga shumë shembuj të artistëve dhe të të famshmëve të Amerikës, që mbështetën presidentin Barack Obama në fushatën e zgjedhjeve të 2012-s, për një mandat të dytë. Nuk ishin të paktë as ata që mbështetën kandidatin Mitt Romney, por mbështetja e Obamës ndër yjet e Hollivdit ishte e pashoqe.

Të famshmit përdorën platformat e tyre publike për të ushtruar ndikimin e tyre tek fansat. Jay-Z, Bruce Springsteen dhe Katy Perry dhanë koncerte falas për ta mbështetur, Gwen Stefani dhe Gavin Rossdal mblodhën fonde për Fondin e fitores së Obamës. “Barack nuk ia del dot vetëm. Ai nuk është Spider Man. Nuk është superhero. Është njeri dhe ka nevojë për ndihmën tuaj”, u drejtohej Michelle Obama të famshmëve. Eva Longoria mblodhi  afro 500 mijë dollarë për fushatën, ndërsa George Clooney ishte mikpritësi i një eventi  mbledhjesh fondesh duke arritur një shumë rekord prej 15 milionë dollarësh për fushatën e Obamës.

Aktorja Monika Lubonja është përfshirë së fundi me PS

Gjatë viteve, ish-presidenti Obama kishte ndërtuar marrëdhënie me disa nga emrat më të mëdhenj të Hollivudit. Ndër më të afërtit Beyonce dhe Jay Z .edhe përpara se të zgjidhej president, Obama mbështetej tek Oprah  Winfrey dhe Roert De Niro mes të njohurve që mbështetën fushatën e tij dhe me vizitat në “The Tonight Show’ dhe intervistat me Ellen De Generes, e bënë edhe atë vetë një lloj ylli.

Në nivele më modeste dhe lokale, duket se kryebashkiaku Veliaj ndjek shembullin e Obamës në miqësitë e tij me të famshmit apo në përfshirjen e tyre në punët e bashkisë. Më e famshmja, fushata e mbjelljes së pemëve, ku ishin të panumërt personazhet e njohur – nga blogeret e Instagramit, tek ish-kapiteni i Kombëtares Lorik Cana dhe legjendat e futbollit shqiptar si  Igli Tare, Alban Bushi, Klodian Duro, Altin Haxhi, Foto Strakosha dhe Erion Bogdani. Veliaj spikat edhe për miqësinë që ka me rreperin Noizy – i përfshirë në disa konflikte edhe me armë   me grupe rivale -, me të cilin u tha se ka mbjellë 550 pemë në zonën e Farkës.

Yjet e futbollit shqiptar duke mbjellë pemë me Veliajn

Në  fushatën e tij të mbjelljes së pemëve u angazhua edhe aktorja Marjeta Ljarja, por edhe aktorë e regjisor të teatrit si Jonida Beqo, Rozi Kostani, e shumë të tjerë. Këngëtarë si Soni Malaj, Kejsi Tola, Anxhela Peristeri, Alban Skënderaj e Miriam Cani, Lind Islami e Venera Lumani apo edhe Ardit Gjebrea apo aktorë të humorit si Ermal Mamaqi apo Rezart Veleshnja janë përfshirë në nismën e Veliajt. Por edhe yje, me karrierë në vende të huaja si Ermal Meta, iu bashkua nismës së Veliajt për mbjelljen e pemëve. Ftesës së Veliajt për këtë fushatë, që i shfaq të famshmit me ushtritë e tyre të fansave, krah kryebashkiakut  që i përket një force politike,  nuk i ka refuzuar thuajse askush.

Veliaj dhe Noizy

Përfshirja në fushatë e yjeve të artit, qofshin ata edhe të paangazhuar politikisht , por që në një moment të caktuar e mbështetin, është zgjedhje inteligjente jo vetëm e komunikimit mediatik të Veliajt, por edhe komunikimit politik, veçanërisht në kohë fushate.

Ashtu siç thoshte Aristoteli se njeriu si kafshë politike duhet të angazhohet me fuqinë e ligjëratës dhe arsyetimit moral, përfshirja e artistëve që ende punojnë në institucione shtetërore me partinë në pushtet më së paku të bën të pyesësh, nëse këtu ka përplasje apo konflikt interesi. Megjithëse të gjithë janë të lirë të shprehin parapëlqimet e tyre, të përfshihen në një forcë e madje edhe të bëjnë një karrierë të tyre në politikë. Shembujt nuk mungojnë, mjaft që ata të jenë të lirë e të pandikuar./ S.B  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë