Lajme

Funeral shtetëror për viktimat e Xhenovës – Italia në zi

18 nga 42 viktimat e tragjedisë së Xhenovës u përcollën për në banesën e fundit, në funeralin shtetëror që u mbajt nën praninë e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella dhe gjithë kabinetit qeveritar. Ndërkohë që sot është nxjerrë edhe viktima e fundit nga rrënojat. Bëhet fjalë për një punonjës i firmës së pastrimit të Bashkisë së Xhenovas, i cili pak para rënies, kishte qenë poshtë Urës Morandi për të marrë turnin.

Mes viktimave të nderuara sot ndodheshin edhe trupat e dy të rinjve shqiptarë Marjus Djerri 22 vjeç dhe Admir Bokrina 31 vjeç.

Arkivolet e dy të rinjve shqiptarë ishin mbuluar me flamurin kuq e zi. Ata ishin duke udhëtuar në urën e tragjedisë, teksa ishin duke shkuar për në punë. Marjusi, nga Shijaku, kishte pak ditë që ishte kthyer nga pushimet nga Shqipëria. Ndërsa trupi i Admirit u gjet në sytë e prindërve të tij dhe bashkëshortes.

Në lutjen dedikuar dy të rinjve shqiptarë, përfaqësuesi i bashkësisë islame të Xhenovas, imami Salah Hussein u shpreh se "Xhenova, e cila në arabisht do të thotë "e bukura", do të dijë të ringrihet".

Në ceremoni mungonin ministrat shqiptarë, si ai i Diasporës, Pandeli Majko ashtu edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Shumica prej familjeve italiane e refuzuan ceremoninë shtetërore dhe i përcollën privatisht të afërmit e tyre.

Ndërkohë, dita e sotme është shpallur ditë zie kombëtare, ku shteti italian ka ulur flamujt në gjysmë shtizë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë