Njerez

Fullani ankohet në Strasburg, kërkon dëmshpërblim për “prishje imazhi”

Ish-Guvernaatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka paditur në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar, pasi sipas pretendimit të tij, dështoi që ta rikthejë në detyrën që mbante para se të shkarkohej nga Parlamenti për skandalin e vjedhjes nga arkat e BSH-së të 7 miliardë lekëve.

Në padinë e ngritur kundër shtetit shqiptar, ai pretendon gjithashtu dëmshpërblim për cenim të integriteti dhe prishje imazhi.

Fullani u arrestua për shpërdorim detyre në shtator të 2014. Pasi fitoi pafajësinë në të treja shkallët e gjyqësorit shqiptar, ish-Guvernatori u ankua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit i dha të drejtë dhe e dëmshpërbleu me 56 paga, duke filluar nga momenti i shkarkimit e deri në 2018, për një total prej rreth 300 mijë eurosh.

Gjatë proceseve gjyqësore ndaj tij, Fullani u akuzua gjithashtu edhe për blerjen e dyshimtë nga ana e institucionit që ai drejtonte të Hotel “Dajtit”, në vlerën e rreth 30 milionë eurove si dhe për degradimin e tij.

Për anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj, për të cilin Qeveria kërkon shkarkimin, rasti i Fullanit është njëri prej shumë rasteve që u kushtojnë qytetarëve shqiptarë milionë euro. “Ka shumë raste kur vendimet jo në përputhje me hapat ligjore për kompani, apo individë do t’ju kushtojnë taksapaguesve shqiptarë qindra-milionë dollarë, euro, apo miliardë lek”, deklaroi ai për Gazetën “Si”.

Malaj kërkoi më shumë përgjegjëshmëri nga deputetët në momentin kur ngrenë kartonin për një vendim.

“Deputetët duhet të votojnë me përgjegjësinë ndaj taksapaguesve, jo me besnikëri partiake dhe përulje udhëheq-dashëse ndaj kryetarëve të partive apo qeverive”, mbyll reagimin e tij për gazetën, Arben Malaj.

 

Më Shumë