Lajme

Fuga: Taksa e mbartëseve, mesjetare. Ja 4 masat që duhet të merren

Profesor Artan Fuga, duke mbështetur protestën e studentëve nënvizon nevojën e një reformimi të plotë të universiteteve, duke propozuar një ndërhyrje në 4 drejtime. “Universitetet publike dhe private kanë nevojë të: demokratizohen, menaxhohen teknikisht, mbajnë përgjegjësi për cilësinë e mësimdhënies! Studentët, aq sa i njoh në auditore, nuk dëshirojnë thjesht dhe vetëm shpenzime të ulëta për studimet, por mbi të gjitha shpenzime të drejta, pra në përputhje me cilësinë e mësimdhënies dhe të potencialit integrues të studimeve në tregun e punës”, shkruan Fuga në Facebook.

Për akademik Fugën taksa e vendosur për mbetësit është mesjetare dhe duhet të hiqet, duke propozuar katër masa konkrete për realizuar një përfaqësim të drejtë të studentëve në senatet e universiteteve.
“Decentralizim i tarifave, pra përgjegjësi e universiteteve për to! Heqje e menjëhershme e taksës mesjetare për provimet e mbartura, absurde dhe e dëmshme për funksionimin e universiteteve, lëre pastaj financiarisht që është zhvatje. Të drejta studentore për përfaqësimin e tyre real dhe jo me kukulla në senate, dekanate, borde universitare! Vendimmarrja duhet të përfshijë realisht trupat studentore dhe pedagogjike dhe jo thjesht ca individë që nuk dihet se zërin e kujt përçojnë dhe çfarë legjitimiteti kanë për të marrë vendime! Kondicionim i grantit publik për universitetet në funksion të numrit të studentëve dhe arritjes të parametrave të cilësisë të mësimdhënies dhe jo me kritere burokratike nga agjenci jo funksionale! Kështu universiteti publik kur me tarifa të larta rrezikon të uli numrin e studentëve, ai do të ketë si pasojë uljen e grantit publik, pra rrezikon të ardhurat e tij në krahun tjetër. Nëse redukton kostot e mësimdhënies në kurriz të cilësisë, atëhere do të ketë si pasojë reduktimin e të ardhurave nga granti publik sepse nuk do të kishte plotësuar parametrat e cilësisë! Ky është ekuilibri!”, shkruan më tej profesor Fuga.
Sipas tij, nëse ky ekuilibër si mekanizëm rregullator bllokohet, si tani, atëherë shpenzimet për arsim do të shkojnë në stratosferë kurse niveli i mësimdhënies dhe vlerave e diplomave do të shkojnë në puse të thella nën nivelin e detit.
Rishikim i mënyrës të funksionimit të bordeve të universiteteve publike është kërkesa tjetër e akademik Fugës, pasi sipas tij, ato janë qesharake dhe pa funksion! “Kërkesa për të barazuar në këto borde qesharake numrin e anëtarëve që vijnë nga Ministria e Arsimit me numrin që vijnë nga IAL është krejt e gabuar. Bordet në vetvete ashtu si funksionojnë dhe kompetencat që kanë janë qesharakë. Problem është bordi jo numri i anëtarëve të tij. Futja e një studenti atje, në një mekanizëm qesharak, është pa asnjë ndikim. Duhet ndryshuar dhe reformuar tërësisht modeli i universiteteve shqiptare! Ministria e Arsimit ka shansin e madh që pakënaqësinë e studentëve, oh sa legjitime !!!, ta kthejë sot në një energji të madhe për modernizimin e sistemit financiar të universiteteve publike që sot është : as mish as peshk! Një simbiozë mes burokratizmit stalinist dhe gjoja tregut, por pa konkurrencë, pa matësa të cilësisë të produktit, pa të drejta të atyre që u propozohet produkti”, thekson Fuga.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë