Art dhe Kulture

Ftesë në Studion-Muze të Ismail Kadaresë

“Gjithçka mund të burgoste diktatura, veç mendimit jo!”, i drejtohet një zonjë vajzës që bën guidë. Miranda është arkitekte dhe në muze, në ditën e parë të çeljes zyrtarisht për vizitorët, e ka sjellë jo vetëm kërshëria profesionale, për të parë nga afër sesi është punuar me konceptin. “Pse kaq zi, e gjitha?! Pse kjo mani sikur në ato kohë nuk ekzistonte asgjë tjetër veç Sigurimit dhe se të gjithë jetonim nën terrorin e përgjimit?! Dinim të jetonim edhe atëherë”, vijon zëri i saj i ngulmët, ndërsa ngre perden që ndan dy ambiente. “Ku është ajo e kaltra? Ku është ai mendimi i tij që na jepte një copëz lirie?”. Ajo është admiruese e hershme e shkrimtarit dhe brenda shtëpisë-studio të sapo shndërruar në muze duket se kërkon të rigjejë të shkuarën, epokën e saj, rininë me xhirot nëpër bulevard, ku pasditeve interesoheshin se ku do të shëtiste ai dhe e shoqja, të gjejë qoshet ku është frymëzuar njeriu që i dha shpresë dhe ëndrra një kombi apo edhe t’i hedhë një sy Broduejit të dikurshëm, nga ballkoni.

.

Të bësh një vizitë në banesën e një shkrimtari do të thotë të pranosh një ftesë për të zbuluar hapësirat e një mendjeje. Këtë duket se kërkon edhe vizitorja e vetme atë mesditë të së martës, e cila kërkon të dijë çdo hollësi nga punonjësja e re, së cilës pa mbaruar një përgjigje i drejton pyetjen dhe sugjerimet e radhës.

Ajo që duhet të ishte bota private e një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë të shekullit XX, të hapet si një shfaqje teatri, siparin e së cilës duhet ta ngresh, duke lëkundur një perde të rëndë kadifeje në ngjyrë blu, në hyrje të saj. Por jo pa hedhur një sy vjedhurazi në dritaren e vogël, rreth së cilës është stampuar një shprehje e Walter Benjamin se “të jetosh, do të thotë të lësh gjurmë” e nga ku dallohet një copëz biblioteke dhe libra nga brendia.  Të lësh gjurmë apo të gjurmohesh? Frëngjia të lë përshtypjen e një vështrimi “through the looking glass”; një prelud i zbulimit të një bote paralele, laboratorit të shkrimtarit apo një ndërmendje se atëbotë gjithkush ishte i vëzhguar nga një lloj “Vëllai i madh”, sa imagjinar aq edhe me fytyrën konkrete të  një miku, kolegu, fqinji...

Gjithë brenda - mobiliet origjinale të prodhuara në kombinatin “Misto Mame”, librat e vjetruar nga koha, orenditë - është një shpërngulje në vitet ’70, kohë kur çifti mori autorizimin për një banesë në godinën në rrugën e Dibrës, projektuar nga arkitekti Maks Velo. Sipas konceptuesve të tij, bashkisë Tiranë, studiove arkitekturore, por edhe të gjithë institucioneve dhe njerëzve që kontribuuan në krijim, apartamenti i Kadaresë nuk është muze i zakonshëm, por një hyrje drejt kultivimit të mendimit dhe të letërsisë. Nuk është rindërtim i atij origjinalit e as vitrinë e dokumenteve apo materialeve mbi shkrimtarin, por një strehë e përkohshme nga momenti, një vend i cili përcjell pjesëza të imagjinatës së shkrimtarit. Ndonëse nuk është katedrale apo stacion treni, kabineti i mendjes së një shkrimtari dhe struktura e mendimit të tij, meritojnë të kujtohen po aq sa edhe çdo shpikje e mendjes. Shtëpia-studio është e ndarë në pesë hapësira, duke iu përmbajtur edhe planimetrisë së apartamentit 4+1.

Dhoma e Kujtesës

E para vjen “Dhoma e Kujtesës”. Botimet e Ismail Kadaresë renditen sipas vitit mbi murin e gjatë të kësaj hapësire, por edhe në dhomën përbri. Katër tema përcillen në raftet e përfshirë. Dy prej të cilave trajtojnë vendlindjen e shkrimtarit,  Gjirokastrën, si edhe përvojën e tij të parë  në një metropol të huaj, Moskën. Mes tyre nisi të krijojë poezinë dhe prozën e tij të parë, një proces i ngadaltë e i mundimshëm, i cili gjurmon shfaqjen graduale të një prej temave kryesore të tyre, tragjedinë.

“Gjuha shqipe jo vetëm ekzistonte, por quhej gjuhë themelore e kontinentit, e hetuar qysh prej vitit 1695, jo prej kombëtaristëve të përndezur shqiptarë, por prej gjeniut gjerman Gottfried Leibnitz, e pas tij prej dhjetëra gjuhëtarëve të tjerë, nga e gjithë bota. Se jo vetëm kishte një alfabet shqiptar, por kishte qindra libra të botuar në këtë gjuhë, i pari i të cilëve një libër i shenjtë, ishte përkthyer e botuar në shqip prej murgut katolik Gjon Buzuku më 1565, vetëm 30 vjet pas përkthimit të Biblës prej Martin Luterit”, kjo shprehje nga libri “Ra ky mort e u pamë”, botuar në vitin 2000, është stampuar në xhamin e njërës nga dritaret e sallonit të madh, shoqëruar edhe nga dy të tjera; një prej  librit “Përse mendohen këto male” dhe tjetra, e nxjerrë prej “Ftesë në studio”. Ishte një natë tetori, një vit më pas, gjatë ardhjes sime të dytë, kur duke vështruar nga dritarja e hotelit rrëzëllimin e dritëzave të Parisit, në një çast mpirjeje, gjysmë përndezjeje, thashë me vete: Ky qytet do të më vrasë”.

Botimet e pasura, voluminoze, të bujshme, që kapërcyen kufijtë edhe para se shkrimtari t’i kalonte fizikisht ato, zëfillin me “Lirika Djaloshare”,  në vitin 1954. Në dhomën-kujtesë gjen edhe disa katalogë, që sjellin atmosferën brenda dhe jashtë apartamentit, gjatë atyre kohëve. Nga skicat e projektimit të Maks Velos, me të cilat pak kohë më parë çeli edhe një ekspozitë edhe u nderua me çmim nga Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë, tek modelet e mobileve që  vishnin shtëpitë e shqiptarëve, prodhim i “Misto Mame”, apo tek Autorizimet për strehim, apartamenti tip e deri tek fotografitë e Petrit Kumit që sjellin Broduejin e dikurshëm, por edhe Kadaretë në shtëpi.

Harta e Tiranës së shkrimtarit  

Tirana, ajo e vërteta dhe ajo imagjinarja, mbeti qyteti i shkrimtarit kudo që ai shkonte. Një hartë mbi dyert prej xhami, si edhe dokumente të tjerë që tregojnë historinë e një qyteti që u rindërtua disa herë gjatë shekullit të XX.  Dera prej xhami prin në një dhomë ku vijojnë në mur botimet e shkrimtarit deri më 2018, me librin “Kur sunduesit grinden”.  Tirana vjen në sytë e Petrit Kumit, por edhe vizatimeve të vajzës së vogël të Kadaresë, brenda një katalogu ku shfaqen momente familjare të mbërthyera brenda atyre mureve. Të tjera shprehje janë shkëputur nga “Ditë kafenesh” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”. 

Një perde me fotografinë e shkrimtarit dalë në studio bëhet si një ftesë, ashtu si në një prej titujve të librave të tij. E kanë pagëzuar si Streha e apartamentit, studioja ku Kadare ka ngjizur dhe sjellë në jetë shumë prej letërsisë së tij.

Shkrimorja dhe makina mbi të në të majtë, një bibliotekë e bardhë që thuhet se shkrimtari e pat porositur në Itali dhe oxhaku, historia me andralla e të cilit mund të qe një roman më vete...“Is me një pasion të veçantë ndiqte ndërtimin e oxhakut në studion e tij, të projektuar në fillim prej Maksit e të plotësuar tani prej arkitektit Koço Çome”, shkruan Helena Kadare në librin e saj autobiografik “Kohë e pamjaftueshme”.

Një kujtim i gjallë i vatrës në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Gjirokastër, oxhaku kërkoi që miqtë e shkrimtarit të kontribuonin  me  disa nga tullat e shumëkërkuara të tipit “chamotte”,  në mënyrë që komoditeti jetik i studios të shpërndante ngrohtësinë e duhur, për të mbështetur imagjinatën e tij. Gjetja e copave të mermerit, e tullave chamotte, e drurit, etj. Ishte një punë mëse e vështirë e plot kokëçarje, për vetë faktin se ato nuk ekzistonin në treg.

“Por Is e gjithë kjo i jepte kënaqësi. Më kujtohet se pikërisht në atë dimër, kur shoqja ime, inxhinierja Lili Zheji, vinte ndonjëherë për darkë apo për të kaluar pasditet, duke dëgjuar kasetat me muzikë klasike, të gjetura me aq vështirësi, në vend të luleve apo shishes së  verës,  sillte ndonjë tullë chamotte, Is mahnitej krejt. Një herë tjetër ishte shkrimtari dhe historiani Moikom Zeqo që solli ca tulla chamotte nga Lushnja, me motoçikletë”, nga ky rrëfim i Helenës, vizitori mëson diç më shumë rreth atij oxhaku minimalist, ashtu si edhe arredimi i gjithë pjesës tjetër të shtëpisë.

Historia e një oxhaku

Aty, pranë oxhakut, shkrimtari kreu shumë prej veprimtarisë së tij i rrethuar nga libra dhe dorëshkrime. “Is i jepte një rëndësi të madhe oxhakut të tij në studio. Saherë që ai shihte se unë bezdisesha nga tërë ajo rrëmujë, me copa të prera mermeri, druri e llaç nëpër këmbë, më përsëriste pa u lodhur se oxhaku, më shumë se çdo pjesë e apartamentit, do të lidhej me punën e tij krijuese. Siç e tregoi koha, doli se kjo ishte më se  e vërtetë”, shkruan Helena Kadare. “Ndezja e parë e oxhakut të përfunduar ishte një festë e kaluar festës. Pas kësaj Is e bëri zakon, si një ritual të përditshëm, që mëngjeseve të punonte në një poltronë përbri tij. Zjarri, me zhurmat dhe kërcitjet e veta të vogla, ishte një shoqërues i vërtetë, për një punë aq të vetmuar si ajo e shkrimtarit.”

Zanafillën e oxhakut e pat rrëfyer edhe Kadare, në parathënien e librit “Kohë antishenjë”, ku shkruan për Maks Velon, i cili nuk hezitoi të bënte ndryshimet e nevojshme për t’i dhënë jetë objektit. “Maksi ishte i guximshëm; pa pyetur askënd, te njëri nga apartamentet, ai që ishte parashikuar “me një dhomë pune”, bëri ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhoma e punës të kishte një hapësirë të pazakontë për stilin socialist të banesave. Pa u mjaftuar me këtë parashikoi vendin e një oxhaku...Ishte ndoshta i vetmi apartament në një ndërtesë banimi të përbashkët në Shqipëri i projektuar me një oxhak”, shkruan Kadare, ndërsa hapësira dhe oxhaku u bënë problem që ra deri në vesh të kryeministrit të shtetit.

“Vetë ndërtesa do të vihej në shënjestër të akuzave, sidomos pas dënimit të Maksit; do të quhej moderniste, kubiste, madje disa herë do të propozohej shembja e saj”. Në godinën e banimit karshi Mapos nr.1 në Tiranë, projektuar nga Maks Veloja mbizotëron një anomali në ndërtimin e brendshëm të apartamenteve, me sipërfaqe banimi të pajustifikuara, me forma e madhësi të ndryshme, për hir të “arkitekturës së lirë” është rënduar funksioni dhe pamjet e ndërtesës. Vepra të tilla nuk kanë dobi shoqërore. Ja pra kush e lind kontradiktën: ndikimi dhe shija e huaj dhe jo faktori ekonomik...Madhësinë e një vepre nuk e përcaktojnë ngarkesa me format ekstravagante ose voluminoze, ...por në radhë të parë përmbajtja dhe vlera e saj ideoestetike. Kështu shkruhej në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

“Gjyqi qe bërë. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes i kërkoi autokritikë, sikurse pati ndodhur edhe me artistë të tjerë. Maksi qe i vetmi ndër ta që nuk e bëri. Ndofta ishte i vetëdijshëm për natyrën dhe disidencën e arkitekturës së tij. U mbrojt “keq” dhe e shtynë...të tërë...edhe kolegët. U shkarkuar nga detyra. Iu ndalua projektimi. U çua për punë të detyruar në bujqësi, në kooperativën e Ndroqit. U përgjua. U arrestua. U dënua...10 vjet.” Sipas Kadaresë, Maks Velo ishte personaliteti i parë në krejt Lindjen Europiane e ndofta i veti  në të gjitha “demokracitë popullore” që u dënua nga një gjykatë shtetërore veç për mënyrën e të bërit art dhe për arkitekturën e tij.

Kthim tek kujtimet

Miranda, vizitorja e muzeut i hap kanatet e rafteve në anë të djathtë të studios, si të ishte kthyer në shtëpinë e vjetër, vite pas. Po aq vizitorë dukeshin në shtëpinë e tyre edhe çifti Kadare, të cilët e vizituan muzeun në ditën e përurimit.  “Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij”, do të shprehej shkrimtari ndërsa vizitoi shtëpinë e tij tashmë muze të aksesueshëm për çdo mendje kureshtare.  

“Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”. Të gjitha emocionet e përjetuara aty do t’i parakalonin para sysh bashkëshortes së shkrimtarit.

 “Në këtë shtëpi kemi pasur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore.

Për arkitekten  Elisabetta Terragni, e cila e ka kthyer shtëpinë në muze,  kjo është një mundësi për të nxjerr në pah vlerat e gjuhës shqipe dhe të epokës kur jetoi dhe punoi shkrimtari. “Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë përsa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari, dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer gjithë punët e tij. Ndaj, kjo është gjithashtu ajo çfarë duam të nxjerrim fillimisht në pah, që bota të shohë se ai gjithmonë shkroi në gjuhën shqipe”, do të thoshte Terragni. Koncepti, i ngjashëm me muze të tjerë të komunizmit në kryeqytet, si “Bunkart” apo “Shtëpia me gjethe”, duket se ka pasur kryesisht vizitorin e huaj në fokus.

E shkuara që lëviz

Në korridorin e ngushtë qëndron një portmanto druri, me gjasë edhe ajo prodhim i kombinatit të përpunimit të drurit “Misto Mame” dhe mbi një mobilie qëndron aparati i një telefoni në ngjyrë të kuqe. “...Megjithëse kalonim thuajse gjithë ditën bashkë në të njëjtat zyra ku i kishim redaksitë, gjenim përsëri plot gjëra për t’ia thënë njëra-tjetrës në telefon. Bisedat e zgjatura në telefon ishin gjithmonë shkak që do ta nervozonte Is dhe për këtë nuk linte rast pa ma vënë në dukje, gjë që do ta bënte gjithë jetën për këdo. Për atë telefoni ishte thjesht një mjet pune dhe asnjëherë kënaqësi në vetvete, siç ndodhte me mua”, kjo shprehje është stampuar aty pranë nga libri “Kohë e pamjaftueshme”, ndërsa në të majtë është një dhomë e errët projektimit, ku historia rrëfehet përmes imazheve. Aty, vizitorja e mesditës së të martës, arkitektja Miranda gjen atë për të cilën kishte ardhur.  Kohën e saj. Atë Tiranë bardhezi, por të mbushura me  ngjyra nostalgjie.

Nga filmimet e siguruara prej Arkivit Qendror të Filmit, që vijnë për herë të parë për publikun gjen pamje, por edhe njerëz të njohur. Dhoma i dedikohet dy filmave;  njëri prej tyre nga Ismaili dhe tjetri nga Helena, që dokumentojnë punën e çiftit për Kinostudion. “Ballë për Ballë”, i cili dramatizon ndërprerjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik  dhe, “Nusja dhe Shtetrrethimi”, një kthesë vendimtare drejt çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman. Një ndodh në afërsi të porteve detare, tjetra në Tiranë. Dokumente nga arkivi i Kinostudios ofrojnë informacion të mëtejshëm mbi kontekstin,  si edhe detajet e përzgjedhjet së aktorëve dhe vendxhirimet, të cilët mund të krahasohen lehtësisht me prodhimin franko-italian të Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur.

Një dhomë për Mastroianni-n

Hapësira përballë është Dhoma e Gjeneralit. Një prej sukseseve më të mëdhenj të  veprës së hershme të Kadaresë ishte pikërisht përkthimi  në frëngjisht i Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur.  Një alegori e ndërtimit të historisë sipas dëshirës të periudhës së pasluftës, romani krijoi jehonë në shumë kultura e vende të ndryshme, duke shpërndarë e mbështetur  në këtë mënyrë emrin e shkrimtarit për dekada të tëra. Romani është tragjik në mënyrën sesi përcjell idenë se e kaluara nuk mund të varroset  e as të ringjallet, duke shtuar kështu veçse një barrë të rëndë mbi të tashmen. Në një prej faqeve të murit qëndron afishja e aktorit të madh italian, Marcello Mastrioanni, në rolin e gjeneralit, në filmin franko-italian “Le Général de l'armée morte”.

Historia e projektit kinematografik për gjenerali i ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë është sa e trishtë,  aq edhe absurde. Që në vitin 1972 kryeministri Mehmet Shehu porosiste që të veprohej sa më parë projekti francez për realizimin në Shqipëri të filmit. “Duhet vepruar sa më parë me këtë projekt që t’i pritej rruga realizimit të një filmi amerikan që shpallte se prej librit të Kadaresë mund të dilte një kinokomedi” – porosiste kryeministri vartësit e tij. Regjisori Piro Milkani rrëfen në hyrjen e katalogut kushtuar të gjitha peripecive nëpër të cilën kaloi bashkëpunimi me producentët dhe kineastët e huaj dhe sesi u la në mes në vitin 1980. E megjithatë tre vjet më vonë, regjisori Tovoli pat premierën e filmit të tij dhe madje e shfaqi në festivalin e filmit të Çikagos, në Amerikë.

Pjesë e projektit më vonë u bënë edhe kineastët  italianë, kur Luciano Tovoli vendosi të bëjë regjinë e filmit me Marcello Mastroianni-n dhe Michel Piccoli-në  në rolet kryesore.  Piccoli dhe Tovoli erdhën në Shqipëri disa herë për të përcaktuar vendet e xhirimit të filmit dhe më pas për të përmbyllur kontratën e bashkëpunimit me palën shqiptare. Gjatë këtyre viteve nga pala shqiptare u vu në dispozicion të tyre çdo gjë dhe u premtua se Kinostudioja  ishte në gjendje ta furnizonte ekipin me mjete teknike dhe pajisje ndriçimi si dhe me kostume apo rekuizitë të nevojshme për realizimin me vërtetësi të episodeve të filmit.

Një artikull gazete risjell intervistën me dy producentë të  huaj Jean Pierre Labrand dhe Robert Kyperberg, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të lidhur kontratën mbi të drejtat për filmin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. “Ne mendojmë që në fillim se filmi i ardhshëm, ashtu si edhe romani duhet t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë, e nuk do të dënojë vetëm agresorët e këtij vendi. Problemi i dënimit të agresorëve, linja kryesore e filmit, është sot një problem i disa  vendeve. Sepse, mendoj unë, për 10 ose 20 vjet, mund të xhirohet edhe një tjetër gjeneral i ushtrisë së vdekur duke pasur në qendër përsëri një gjeneral, por këtë radhë amerikan, që shkon të mbledhë eshtrat e ushtarëve të tij në Vietnam a gjetkë”, shprehej Kyperberg, ndërsa zbulonte se pjesa më e madhe e filmit do të xhirohej në Shqipëri, ndërsa personazhet do të ishin aktorë të huaj, të njohur. “Kinostudioja do të na ndihmojë për sigurimin e një numri jo të vogël figurantësh, për xhirimin e disa skenave të luftës, për rekuizitë, etj.”

I gjithë aparati shtetëror me sytë nga  Gjenerali

Por e gjithë kjo u shndërrua në një sagë letërkëmbimesh, me vërejtje, relacione,  mes Kadaresë, Dritëro Agollit, Manush Myftiut, Ramiz Alisë, Mehmet Shehut nga një anë dhe nga ana tjetër e producentëve francezë,  regjisorit Piccoli dhe aktorit Mastroianni. Kontrata parashikonte shumën e 10 mijë dollarëve për shitjen e të drejtës mbi filmin, ndërsa si pronar krahas shkrimtarit ishte “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve”.

Që skenari të ruante vijën ideologjike dhe të mos e shtrembëronte atë në një shtet të huaj, Kadaresë iu desh të udhëtonte disa herë drejt Francës. Por para një prej udhëtimeve të tij, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve atëkohë, shkrimtari Dritëro Agolli i shkruan Ramiz Alisë:

Shoku Ramiz,

Kohët e fundit ka lindur një problem që tani për tani ndofta nuk përbën ndonjë shqetësim të dukshëm. Por megjithatë meriton vëmendje. Çështja qëndron këtu:  na vjen një njoftim nga ambasada jonë ne Paris nëpërmjet Komitetit për marrëdhënie kulturore me botën e jashtme se I.Kadareja është ftuar nga Eskarpiti, shkrimtar e miku ynë, për një aktivitet që do të organizohet në Bordo. Ambasada kërkonte përgjigje. Ndërsa ne nuk dinim asgjë, I.Kadareja i ka përgatitur me kohë dokumentet i udhëzuar nga kryeministria për aktivitetin në Bordo e për punë të tjera. Që shkon në Francë, është një gjë shumë e mirë dhe ne duhet t’i inkurajojmë këto lidhje dhe aktivitete. Por mendoj se : E para, nuk veprohet drejt kur nuk njoftohet Lidhja, sikur kjo të jetë një organizatë e papërfillshme as nga ata që e dërgojnë as nga ai vetë.

Atëherë, e gjithë kjo organizatë paskësh për detyrë vetëm t’i sigurojë I.Kadaresë veturë për aeroport; E dyta, duke mos na njoftuar për misionin që shkon, neve na privohet e drejta të bisedojmë me I.Kadarenë për ato botime të tjera që francezët i kërkojnë në rrugë zyrtare: një antologji për poezinë, një përmbledhje tregimesh, ndonjë roman, etj.

E treta, çdo njeri në vendin tonë ka një qendër pune të tij dhe bën një veprimtari të organizuar dhe shokët e tij, institucioni apo ndërmarrja duhet ta dinë. Dhe kjo ka të bëjë me mirësjelljen, etiken dhe respektin e vendit zyrtar. E katërta, ju e dini natyrën e ftohtë të I.Kadaresë. Duke e ditur edhe vetë se për shkuarjet e tij në Francë a gjetiu askush nuk pyetet zyrtarisht në Lidhje, fillon të manifestojë një mospërfillje e të mbajë distancë ndaj kësaj organizate. Atëherë largohet nga njerëzit, asnjëri mund të mos pyesë, duke e konsideruar veten të paprekshëm nga kritika.

Kjo pastaj ka pasoja për gjithë unitetin e Lidhjes, pasi ai me talentin e tij influencon  në çdo punë të saj. Unë nuk dua të fillojnë përsëri thashethemet se gjoja askush nuk e pyet Lidhjen kur është fjala për ndonjë apo disa...ju e dini sa kemi vuajtur nga këto përpara Plenumit IV të KQ të Partisë! Prandaj, shoku Ramiz, mendoj se duhet të porositen instancat që i nisin jashtë shtetit I.Kadarenë apo ndonjë tjetër, që zyrtarisht të njoftohet Lidhja dhe ajo t’ia bëj të njohur të interesuarit, duke kryer veprimet e nevojshme si për çdo anëtar të saj. Këtë nuk e them i nisur nga ndonjë fyerje, por e theksoj për hir të rregullave të vendosura nga Partia, për hir të ruajtjes së unitetit të forcave krijuese, që të mos i lihet rrugë thashethemeve. Edhe njëherë e theksoj se shkuarja e tij në Francë këtë herë dhe herë të tjera, kur të jetë nevojë, është shumë e frytshme për nderin e kulturës sonë. Por si për çdo rast tjetër, qoftë edhe formalisht, të kalojë nëpërmjet Lidhjes, anëtar i së cilës është.

Tiranë 13.3.1979. Dritëro Agolli.

Pak ditë më vonë, Manush Myftiu i shkruan Alisë një letër, në lidhje me udhëtimin e Kadaresë jashtë shtetit.

Shoku Ramiz,

E lexova letrën që ju dërgonte juve shoku Dritëro Agolli. Parimisht është e drejtë dhe ashtu siç thoni edhe ju, në çdo rast duhet vepruar sipas rregullave dhe çdo gjë të kalojë nga institucioni apo organizata që e dërgon personin jashtë shtetit.

Ismail Kadareja ka shkuar në Francë katër herë. Për të gjitha rastet, pavarësisht se Ismaili i është drejtuar me letra shokëve të veçantë, nga ana jonë i është kërkuar mendim Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të cilët zyrtarisht kanë paraqitur propozimet për daljen jashtë shtetit të Ismailit, duke përcaktuar edhe qëllimin e vajtjes.

Nga ky rregull, për shpejtim të punës, përjashtim është bërë në dy raste: për vajtjen e Ismail Kadaresë në Francë dhe për vajtjen e Dritëro Agollit në Itali, propozimet u bënë nga lart. Sidoqoftë në çdo rast do të sigurojmë zbatimin e rregullave.

3 prill 79, Manush Myftiu.

Mastroianni dhe Piccoli në filmin "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur"

Kur Michel Piccoli vizitonte Tiranën

Një relacion rrëfen hollësishëm vizitën e aktorit francez, Mishel Piccoli dhe regjisorit italian Lucciano Tovoli,  më 4 deri 11 shtator të 1979-s. Pra gjendja e punëve gjer tani është kjo: Nuk është gjetur akoma një burim për financimin e filmit. Pikoli po përpiqet t‘i ulë në minimum shpenzimet dhe kërkon ndihmën tonë. E sa kuptuam Pikoli dhe Tovoli erdhën në Shqipëri për të eksploruar mundësitë për të bërë filmin e tyre një film të përbashkët franko-shqiptar.

Skenarin e filmit po e punon Tovoli në bashkëpunim me Pikolin dhe Mastrojanin. Këta dy të fundit do të interpretojnë rolin e priftit dhe të gjeneralit. Tovoli dhe Pikoli nga kontaktet që patën me Ismailin konsultuan mjaft probleme të skenarit. Aktori dhe regjisori vizituan atëkohë edhe Kinostudion. Një tjetër relacion përmban të gjitha vërejtjet e skenarit, pas variantit të parë, nga pala shqiptare, ndërsa filmi ishte parashikuar t’i niste xhirimet në vjeshtën e vitit 1980.

“Jam i mendimit se mund të dërgojmë Ismailin në Francë për një kohë deri 10 ditë. Por mendoj gjithashtu që Ismaili kërkesën ta bëjë me anë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të mos vazhdojë të ngrejë në rrugë personale  këto probleme pune. Presim mendimin tuaj”, i shkruante Myftiu Mehmet Shehut. “Unë s’përzihem në dhënien ose mosdhënien leje këtij ose atij shkrimtari për të dalë jashtë shtetit. Vendosni vetë”, përgjigjej Shehu, më  19 maj të  1980-s.

Edhe Agolli i dërgon letër Këshillit të Ministrave, që Kadare të shkonte në Francë, pas ftesës nga Kinostudio franceze “Films 66”. “Nëse filmi do të keqinterpretojë romanin, atëherë moralisht shkrimtari ynë do të ndodhet më vështirë sesa të mos kishte shkuar në Francë.

Për këtë film ka qenë edhe herë të tjera në Francë. Skenarit të autorëve francezë u janë bërë zyrtarisht vërejtje na një grup shokësh, ku bënte pjesë edhe I.Kadare.  A nuk e cenon prestigjin e autorit shkuara disa herë në Francë për të njëjtën gjë? Konkretisht nuk dihet se çfarë konsultime do të bëhen dhe ku konsistojnë vërejtjet e autorëve të filmit pas atyre të bëra zyrtarisht në Shqipëri”, shkruan Agolli.

Edhe pas vdekjes së Mehmet Shehut në dhjetor të 1981-shit, dukej se asgjë nuk po ndryshonte në planet e realizimit të filmit. “Vetëm në gusht 1982, pala shqiptare, Kinostudioja,  befas njoftoi se nuk ishte e mundur që grupit të filmit franko-italian t’i plotësonte kërkesat e tyre. Ndërkohë shtabi i filmit kishte planifikuar me saktësi kalendarin e xhirimeve në ditën dhe vendin e caktuar. Arsyet e këtij refuzimi ishin më absurdet. Të ndodhur para kësaj situate grupi franko-italian i transferoi të gjitha xhirimet në Itali. Pala shqiptare nga ky shërbim teknik kishte humbur mundësinë e bashkëpunimit me profesionistët  e nivelit të lartë dhe inskenimit të  më shumë se 400/500 mijë dollarëve. “Sot, gjykuar në distancën e 37 viteve më parë, mund të themi se shkaku kryesor i anulimit të këtij projekti ishte situata e rëndë politike në të cilën ndodhej Shqipëria. Pas eliminimit të “grupeve armiqësore” në art e kulturë, në ushtri, ekonomi, etj., i vinte radha “asgjësimit” të kupolës kryesore të Ministrisë së Brendshme. Autoritete zyrtare nuk mund të toleronin që 40 a 50 kineastë të huaj të ishin prezent kur fillonte fushata e arrestimeve që ndodhi vërtet në tetor të vitit 1982, duke filluar me Kadri Hazbiun apo Feçor Shehun e të tjerë. Logjika elementare të thotë se këtë urdhër e ka dhënë vetë ai, Enver Hoxha”, shkruan Piro Milkani.

Pasi lë pas dhomën me historinë e një prej romaneve më të suksesshëm të shkrimtarit, por edhe atmosferën e censurës, izolimit dhe diktaturës, hapësira e fundit është dikur dhoma bashkëshortore e Ismailit dhe Helenës. Një faqe muri është veshur me një fotografi të çiftit, nga kohët e rinisë, si për të risjellë intimitetin.

Kohë për lexime

Dhoma e fundit shërben për të rikthyer ndjesinë e letërsisë tek vizitorët, duke u mundësuar atyre vlerësimin e nivelit të veprës, si edhe kthimin në leximin dhe studimin e një veprimtarie letrare të larmishme. Duke mos dhënë një përfundim të caktuar, dhoma e fundit kërkon të hapë sytë e publikut, mbi praninë publike të Kadaresë pikërisht në vendin ku ajo është krijuar.

Ndryshe nga atelieja e në artisti, përmbajtjet e së cilës janë zhvendosur në hapësirën e një muzeu, shumë objekte, dorëshkrime, libra dhe fotografi tashmë rikthyer në apartamentin e tij, aty ku mundojnë zhbërjen e disa prej fijeve të pëlhurës së dendur që përbën veprën e tij; fëmijëria në Gjirokastër gjatë muajve të fundit të luftës, puna e tij e palodhur mbi gjuhën dhe rrëfimin, koha e tij në Moskë si një poet i ri dhe vitet e mërgimit të zgjedhur nga vetë shkrimtari në Paris.

Domethënia  e vendit merr peshën e duhur: një apartament brenda dhe jashtë lindës komunitet ë Europës, brenda topografisë së Tiranës, por edhe në imagjinatën e shkrimtarit.

Aty brenda ndoshta ata që mundën të ishin të lirë vetëm përmes leximeve të romaneve të Kadaresë, ndoshta nuk do ta gjejnë atë ndjesi aq intime që vjen vetëm përmes aktit intim të leximit, por do të shëtisin nëpër mjediset, ku shkrimtari ngjizte dhe përpunonte në mendjen e tij atë brumë letërsie, që e bëri të njohur e të dashur brenda dhe jashtë vendit.

Në dalje të apartamentit, përmes një dere tjetër, ai që  flet është  shkrimtari gjerman që pat zgjedhur të emigronte në Angli, W.G Sebald. “Shpeshherë pyes veten, cilat janë ato lidhje të padukshme që përcaktojnë jetët tona dhe si ato, lidhen prej fijesh të ndryshme?”

Tregimet, thashethemet, bisedat dhe monologët mbajnë historitë e Kadaresë dhe i dhurojnë atyre një zë, i cili u jep krahë fjalëve në një recitim të ngjarjeve sikur ato të ishin në gjendje të qëndronin pezull në ajër...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë