Politike

Fshirja e lajmit për Bashën nga "Bild" trazon Tiranën

Gazeta gjermane “Bild” u rikthye edhe njëherë tjetër në qendër të artikulimit politik, mediatik e publik në vendin tonë dhe shkak për këtë u bë publikimi i një artikulli me titull “A qëndron Rusia pas fushatës kundër anëtarësimit në BE”.

Artikulli pa autorësi hidhte dyshime se Partia Demokratike ka përdorur 675 mijë euro, para ruse kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Risia nuk ishte përmbajtja e këtij artikulli, pasi akuza të ngjashme ndaj opozitës janë hedhur edhe nga media të tjera. Por, risia ishte fakti që artikulli në fjalë qëndroi vetëm për pak orë në faqen online të Bild dhe më pas u zhduk, duke lënë pas vetëm gjurmën “Fehler 404 Not Found”.

Publikimi i artikullit nga media që Kryeministri Edi Rama deklaroi se do ta padisë në Gjermani për publikimin e serisë së përgjimeve me shitblerje votash, ku në një bisedë telefonike shfaqet edhe vetë ai, shkaktoi reagime në Tiranë. Socialistët, që deri para këtij momenti e kishin përdorur emrin e “Bild” vetëm në deklaratat mbrojtëse ndaj publikimit të përgjimeve mbi shitblerjen e votave, tashmë po e përdornin të njëjtin emër për të akuzuar opozitën. Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla shkroi në Facebook.

“Artikulli i BILD tregon edhe njëherë se si përmes një financimi rus, Lulzim Basha tentoi t’i vinte flakën Shqipërisë dhe të dëmtonte më çdo mjet imazhin e Shqipërisë dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë”, deklaroi ai, duke sjellë edhe artikullin e plotë të përkthyer në shqip së bashku me linkun përkatës ku ishte publikuar në faqen online të medias gjermane.

Nga Partia Demokratike, Bujar Nishani e cilësoi artikullin në fjalë propagandë të sponsorizuar nga mazhoranca.

“Nuk u ka mbetur më asgjë me çfarë të paraqiten përpara shqiptarëve, veçse shpresojnë të sajojnë thika ndaj imazhit të opozitës. Depërtimi qesharak për të trafikuar një thriller rilinds kundër opozitës në gazetën Bild, tregon edhe njëherë se sovjetët shqiptarë kanë mbetur shumë prapa në teknikat orientale të financuesve të tyre. Nëse ka një dosje reale të mashtrimit me lobim është ajo ku ka të dënuar me burg nga drejtësia amerikane e ku është i përfshirë rilindsi shqiptar”, deklaroi ai.

Edhe zëra të tjerë brenda opozitës ndanë thuajse të njëjtin qëndrim. Fshirja e lajmit “dogji” entuziazmin, por për socialistët është fshirë vetëm lajmi dhe jo akuzat ndaj Lulzim Bashës.

“Këtë çështje (fshirjen e artikullit) sqarojeni me gazetën. Por, nuk është vetëm një, por disa gazeta botërore që shkruajnë për këtë çështje, Që nga Neë York Times, e The Times. Prandaj, këtë bëjani pyetje gazetës përkatëse. Unë do të ripostoj në Facebook-un tim çdo shkrim që vë gishtin në një plagë. Është në nderin e PD dhe jo të Bashës, që të shpjegojë arsyen se pse emri i saj gjendjet në librat, regjistrat e DASH për shumat përkatëse”, deklaroi këtë të hënë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Çfarë shkruante BILD?

Në artikullin në fjalë Bild shkruante se opozita shqiptare po provon me të gjitha mjetet që të largojë Kryeministrin Edi Rama, duke përmendur këtu edhe publikimin e përgjimeve të prokurorisë, një pjesë të mirë të të cilave i ka publikuar po vetë kjo medie. Bild shkruante se përgjimet shpërndaheshin qëllimisht dhe këto metoda i cilëson jodemokratike.

Artikulli ndalej më pas tek emri i Nick Muzin, për të cilin “Bild” shkruante me bindje se është përdorur nga Partia Demokratike për të parandaluar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“…dhe kostoja e përdorimit të Muzin padyshim që është e lartë”, thuhej aty. Më pas ndalej tek shifra 675 mijë euro.

Bild thotë se Muzin duhej të merrte 675,000 euro për misionin e tij tremujor. "Informacioni vjen nga vetë ai. Shuma e tarifës dhe origjina e parave tani e vënë klientin në vështirësi. Lulzim Basha, drejtuesi i Partisë Demokratike Shqiptare, kishte nënshkruar kontratën me Muzin. Një tarifë prej 25,000 dollarë ishte rënë dakord tre herë. Sidoqoftë, shumë më tepër u paguan. Për këtë arsye, hetimet ndaj liderit të opozitës Basha filluan në Shqipëri në qershor. Po nga kanë ardhur paratë për Muzin?”, pyet Bild.

Në fakt, për këtë çështje Gjykata e Tiranës gjeti të pafajshëm Lulzim Bashën dhe Arben Ristanin e Ilir Dervishin. Gjykata tha se dëshmia e Nick Muzin nuk mund të merret si provë dhe se nuk ekziston asnjë dokument tjetër që të provojë se shuma prej 600 mijë eurosh është paguar nga Partia Demokratike për kompaninë Binniata Trade, pas të cilës dyshohet se qëndrojnë rusët.

“Në fakt, Rusia ka pak interes për afrimin e Shqipërisë me BE. Pranimi do të dobësonte më tej ndikimin e rusëve në Ballkan”, theksonte artikulli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë