Futboll

FSHF kërcënon: Duam policinë në stadiume ose mbyllim kampionatin

Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në stadiumin e Kamzës në fundin e ndeshjes Kamza-Laçi ka ngritur në këmbë organin më të lartë të futbollit shqiptar, FSHF. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp para medieve kanë dalë sekretari i përgjithshëm i Federatës, Ilir Shulku dhe kreu i sindikatës së arbitrave, Tahir Kastrati. Numri dy i FSHF-së, Shulku ishte shumë i ashpër në fjalën e tij dhe ka kërkuar që të rikthehen uniformat blu në stadiume ose rrezikojmë që të mbyllim kampionatin.

“FSHF dënon dhunën ndaj Hamiti dhe të gjithë aktorët. Kërkojmë ndërhyrje nga policia dhe të ruajnë rendin dhe qetësin publike. Kërkojmë nga klubet që të merren masa për të mirën e ndeshjeve. Kërkojmë të zbatohen të gjitha ligjet për dënimet më të rëndë. Duke u gjetur në këtë situatë, shohim me shqetësim praninë e policisë në stadium, pasi iu kemi dërguar shkresa zyrtare dhe nuk i kanë marrë përsipër. Në ndeshjen Kukësi-Tirana janë identifikuar të gjithë autorët dhe nuk ka masa. Ka pamje të qarta në ndeshjen Partizani-Flamurtari dhe nuk janë marrë masa. Mediat e kanë mbështetur këtë. Biznesmenët po mbajnë gjallë futbollin me shpenzimet e tyre, por policia private shton barrën financiare. Në ndeshjen e fundit u bë një ‘show’ nga policia ku tifozët hynë në fushë duke takuar futbollistët. Media dhe opinioni publik ka pyetje: A është i interesuar shteti shqiptar dhe policia që sporti më i dashur të vazhdojë kështu, pasi deri më tani duket e vështirë shumë. Jemi në mes të kampionatit dhe imagjino çfarë mund të bëhet në fund. Mund të shkohet në ndërprerje të kampionatit dhe shpresojmë që situata të mos agravohet”, tha Shulku.

Shulku tha se ligji është zbatuar në mënyrë selektive gjatë këtij viti, pasi në disa ndeshje e kemi pasur policinë në stadiume dhe në raste të tjera, ajo nuk ka qenë. “Nëse ligji aplikohet në mënyrë selektive, nuk është ligj. Do të shikohet në mënyrë serioze nëse do të ketë reagim. E them që të shoh reagimin e policisë dhe të marrë përgjegjësitë e tyre. Ruajtja e rendit në vende publike është detyrë e policisë së rendit thuhet në ligj, por nëse ka interpretime të tjera nuk kemi faj”, tha Shulku.

Më tej në prononcimin e tij sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, tha se do pritet se si do të jetë reagimi nga Policia për të dalë në vendimin nëse do të luhet futboll në javën e ardhshme apo jo. “Për sa kohë thirrjet tona do shkojnë në vesh të shurdhër, që situata të mos agravohet, ne do e shohim me seriozitet vazhdimësinë e garës. Ne e kemi kundërshtuar ligjin që kur është hartuar, në lidhje me largimin e Policisë nga stadiumet shqiptare. Do e shikojmë me shumë seriozitet reagimin e Policisë. Do e shikojmë me kujdes vazhdimin e kampionatit.”

I ashpër në reagimin e tij ishte edhe kryetari i shoqatës së arbitrave, Tahir Kastrati, i cili tha se ky është një moment i vështirë për futbollin shqiptar dhe se është vënë në rrezik jeta e arbitrave. "Është një momenti i vështirë i futbollit shqiptar. Ngjarje shumë e rëndë që trondit çdo qytetar që shikon pamje të tilla. Jeta e arbitrave është në rrezik. Para jetës së njeriut, nuk mund të vëmë asgjë. Ne jemi pjesë e Federatës, dhe bashkëpunojmë me to, si me të gjithë aktorët. Ka paragjykime, se pse ne bashkëpunojmë me FSHF. Ne bashkëpunojmë, sepse nuk kemi mundur të sigurojmë një sponsor. Imagjinoni, po të kishim një sponsor, do paragjykohej se ai sponsor ka lidhje me këtë apo atë klub. FSHF është e paanshme, dhe ka për detyrë sigurinë e drejtë të garës", tha Kastrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë