Lajme

Dhunuan arbitrin, arrestohen drejtuesit e Kamzës

Tre drejtues të klubit dhe një tifoz i skuadrës së Kamzës kanë përfunduar në pranga pas dhunës kundër gjyqtarit Eldorian Hamiti në ndeshjen ndaj Laçit.

Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, drejtori sportiv i klubit dhe shefi i klubit, së bashku me tifozin me inicialet E.Gj u arrestuan pak orë pas përfundimit të takimit.

Në kërkim janë shpallur katër persona të tjerë, që të gjithe tifozë të Kamzës.

Policia u akuziua për mungesën e efektivëve të saj në këtë takim. Në njoftimin e uniformave blu argumentohet mungesa e gatishmërisë për të ndërhyrë në raste të tillë. Policia akuzon klubin e Kamzës se nuk kishte plotësuar detyrimet dhe përgjegjësitë ligjore për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes.

“Megjithatë Komisariati i Policisë Nr. 5 Tiranë për sigurimin e rendit e sigurisë publike jashtë ambienteve të stadiumit, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, hartoi plan masash”, thuhet në komunikatë.

Siguria e ndeshjes është marrë përsipër nga 12 persona të një shoqërie private sigurie.

“Në përfundim të kësaj ndeshje një punonjës i SH.R.S.F., i cili ishte në hyrjen kryesore të stadiumit hapi portën dhe kërkoj ndihmën e policisë, pasi disa tifozë kishin hyrë në fushë dhe kishin goditur arbitrin dhe punonjësit e SH.R.S.F-së”, sqaron policia.

Policia thotë se ka shoqëruar 14 persona të tjerë dhe vijon punën hetimore për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve të dhunës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë