Shendet

Fruthi dhe vaksina e re që vjen në Shqipëri

Para disa javësh vendi ynë u përball me një ndryshim të statusit, për sa i përket gjendjes së fruthit. Ne kaluam në një vend pa fruth, në një vend me fruth i cili qarkulloi ne vend. Specialistë deklaruan se kjo situatë, erdhi për shkak të mos vaksinimit të personave të prekur. Më vonë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, deklaroi se programi i vaksinimit do të shkonte derë më derë.
Por si do të vijojë programi i vaksinimit në vendi tonë?
Specialistja e shëndetit Publik, Erida Nelaj, shpjegon për Gazetën “Si” se një ndër masat e para që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është që specialistët do të evidentojnë çdo vaksinim. Ajo shpjegon se janë ngritur grupe pune nga Njësite Vendore te Kujdesit Shëndetësor, për kontrollin rigoroz të kartelave të vaksinave, duke kontrolluar jo vetëm regjistrimet aktuale ne institucionet arsimore publike dhe private, por edhe ato që janë kryer gjatë viteve të kaluara.
“Do të ketë një lloj testimi si kanë kaluar, në çfarë lloji filtri kanë kaluar dhe si janë lëshuar kartelat që vërtetojë vaksinimet. Shqipëria ka një kalendar vaksinimi të krahasueshëm me vendet e tjera të rajonit dhe vendet Europiane dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në kemi 11 të tilla, që i quajmë antigen vaksinal, pra lë të themi 11 vaksina që mbrojnë nga 11 sëmundje të cilat konsiderohen të rrezikshme që shkaktojnë epidemi, e komplikacionet prej tyre mund të lënë fëmijët me gjymtime apo që shkojnë edhe deri në vdekje,” shprehet specialistja.

Specialistja e Institutit të Shëndetiti Publik, Erida Nelaj

Nelaj thotë për Gazetën “Si” edhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Ajo parashtron se gjatë këtij viti në kalendarin e vaksinimit do të shtohet edhe vaksina per parandalimin e infeksioneve ndaj rotavirusit. Nelaj tregoi se në vendin tonë janë kryer një sërë studimesh, është mbledhur komiteti teknik këshillimor i ekspertëve mbi imunizimin(procedurë që ndiqet për çdo vaksinë) dhe ka keshilluar MSHMS që kjo vaksinë të vendoset në kalendar.
“Vaksina do të fillojë në datën 1 tetor, për të gjithë fëmijët që kanë lindur që nga 1 gushti e më pas. Është një vaksinë orale, do të jepet nga goja dhe është me e menaxhueshme për bebet dhe nënat. Vaksina e re do t’i mbrojë fëmijët ndaj infeksioneve nga rotavirusi, që janë viruse që shkaktojnë diarre të rënda tek fëmijët, të cilat çojnë deri në dehidratim,” shton Nelaj.
Evropa ende po përjeton një shpërthim të rëndë të sëmundjes së fruthit, megjithëse instancat shëndetësore Europiane kanë deklaruar herë pas herë që ndërgjegjësimi i njerëzve është rritur. Rreth 90,000 fëmijë dhe të rritur në Evropë u infektuan nga fruthi në gjysmën e parë të vitit 2019. Shifra është më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (44,175) dhe tashmë është më i lartë se i gjithë viti i kaluar (84,462).
Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë njoftoi në muajin shkurt se bëhej fjalë, për 51 raste të regjistruara në më pak se katër javë kohë. Pjesa më e madhe e personave të infektuar ishin persona të lindur nga 1980 deri në 1990, fëmijë nën dy vjeç dhe fëmijë që prindërit kishin hezituar t’i bënin vaksinën. Për sa i përket këtij fakti, specialistja shprehet për Gazetën “Si” se pjesa më e madhe e peronave të prekur nuk kishin kryer vaksinën e fruthit.

“Shumë prindër tentojnë të shtynin vaksinën ndaj fruthit, për lidhjen e gabuar te vaksinës me autizmin dhe kjo krijoi një dëmtim të madh në programin e vaksinimit. Ne përgjithësi nuk kemi refuzime totale, por prindërit kanë tendencë për ta shtyrë vaksinimin,” shtoi Nelaj
Specialistja shprehet gjithashtu se, njerëzit në zonat urbane janë më të pirur për të anashkaluar këshillat mjekut sepse lexojnë dhe shkëmbejnë informacione, të cilat në të shumtën e rasteve janë të gabuara. Ndërsa, për sa i përket pjesës së ndërgjegjësimit, kjo qasje fillon që nga shtatzënia, ku nëna këshillohet vazhdimisht edhe për vaksinat që duhet të kryejë vetë, sikurse është vaksinimi ndaj gripit, por edhe për kalendarin e vaksinave të fëmijëve. Në një thirrje për të gjithë njerëzit, Nelaj thekson se nuk është asnjëherë vonë për t’u vaksinuar. Të gjithë kanë të drejtë të kthehen dhe të bëjnë vaksinat e munguara në çdo kohë. Ndërkohë që Instituti i Shëndetit Publik hera herës, kryen fushata që mbulojnë vaksinimin e të rriturve, për sa i përket fruthit, Hepatiti B e disa sëmundjeve të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë