Shendet

Shqipëria është e rrezikuar nga përhapja e fruthit

Vaksinimi ndaj fruthit është ulur gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave nga INSTAT, mbulesa vaksinale gjatë këtij viti është 91.0% nga 97% që ka qenë vitin e shkuar. “Ky grup vaksinash, në vitin 2020, ka rënë me 4,0 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019,” shkruhet në të dhënat zyrtare.

Në fillim të shtatorit të vitit 2019 Shqipëria së bashku me katër vende të tjera europianë ndryshuan statusin për sa i përket sëmundjes së fruthit. OBSH i ndryshoi statusin Shqipërisë duke e cilësuar si “vend me fruth” që do të thotë se nuk mund të konsiderohemi të pastër nga kjo sëmundje. Aso kohe specialistë deklaruan se kjo situatë, erdhi për shkak të shtimit të personave që nuk pranojnë të kryejnë vaksinën.

Shefja e Shërbimit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP, Erinda Nelaj ka shpjeguar për Gazetasi.al se prindërit kanë shtyrë vaksinimin gjatë pandemisë, por nuk është vënë re ndonjë mosdëshirë nga ana e tyre.
Nelaj i tha Gazetasi.al se pritet që të përmirësohet gjendja e vaksinimit të fruthit tashmë që do të nisë kopshti dhe shkolla, regjistrimi në të cilat e kërkon me detyrim vaksinimin.

Erinda Nelaj

Pas këtij lajmi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, deklaroi se programi i vaksinimit do të shkonte derë më derë dhe Nelaj, në atë periudhë shpjegoi për Gazetën “Si” se një ndër masat e para që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është që specialistët do të evidentojnë çdo vaksinim. Ajo tha se ishin ngritur grupe pune nga Njësite Vendore te Kujdesit Shëndetësor, për kontrollin rigoroz të kartelave të vaksinave, duke kontrolluar jo vetëm regjistrimet aktuale ne institucionet arsimore publike dhe private, por edhe ato që janë kryer gjatë viteve të kaluara.
Por nga të dhënat vërehet se viti 2020 shihet se me shifrat më të ulëta që prej vitit 2016, koka kur janë shkruar të dhënat. Ulja e mbulesës vaksinale ka kaluar edhe vitin 2018 që është cilësuar si viti më i keq për vaksinimin e fruthit nga ekspertët e ISHP.Tashmë është e konfirmuar se fruthi mund të parandalohet plotësisht me dy doza të vaksinës që merren përkatësisht në moshën 1 dhe 5 vjeç.
Për sa i përket të dhënave mbi vaksinat e tjera shihet se mbulesa vaksinale shihet se përgjatë vitit 2020 është mbi vlerat mesatare, 97% duke përmbushur kështu dhe kriterin bazë, ku çdo antigen vaksinal duhet të jetë mbi 95 % në nivel kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë