Shendet

Fruthi, OBSH heq Shqipërinë nga vendet “e pastra”

Për herë të parë që prej vitit 2012, kohë kur Organizata e Kombeve të Bashkuara nisi procesin e verifikimit dhe monitorimit të rasteve të fruthit në Shqipëri, vendi ynë ka dalë nga lista e vendeve të pastra të kësaj organizate.

Kjo nuk do të thotë se vendet në këtë listë nuk kanë patur raste të fruthit, por ajo tregon vendet ku është regjistruar të paktën një viktimë si pasojë e këtij virusi. OBSH flet për një përkeqësim në masa në katër vende të Europës. Tre prej këtyre vendeve janë anëtare të Bashkimit Europian dhe vetëm Shqipëria është vend joanëtar i BE-së. Përkeqësimi është vërejtur në Greqi, Britaninë e Madhe dhe Çeki.

Por, dallimi është se në Greqi, Britaninë e Madhe dhe Çeki pjesa më e madhe e rasteve fatale të verifikuara me këtë sëmundje janë emigrantë dhe persona të pastrehë dhe jo në përmasat me të cilat u përhap në Shqipëri në muajt e parë të këtij viti.

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi në muajin shkurt se bëhej fjalë për 51 raste të regjistruara në më pak se katër javë kohë. Pjesa më e madhe e personave të infektuar ishin persona të lindur nga 1980 deri në 1990 dhe fëmijë nën moshën 2 vjeç. Dy ishin rrethet më të prekura. Në Korçë epiqendra e vatrës ishte fshati Bulgarec dhe Tirana.

Tre raste ishin me pasoja fatale. Një foshnje 7 muajshe, një grua 49-vjeçare që ndërruan jetë në Tiranë dhe një 35-vjeçar në Korçë.

ISHP bëri thirrje për kujdes dhe vaksinim, sidomos të fëmijëve nën 2 vjeç. Në mes u përfshi edhe politika. Opozita deklaronte në atë kohë se bëhej fjalë për një epidemi dhe se ISHP po mbante të fshehura rastet e identifikuara me virusin e fruthit.

Shqipëria u klasifikua nga OBSH në raportin e fillimit të këtij viti në vendin e 9 sa u takon vendeve me përhapjen më të madhe të fruthit. I njëjti raport thotë se ka një përkeqësim në shkallë globale sa i takon masave parandaluese për këtë virus dhe sidomos në Europë, ku rastet u trefishuan në 2018 në krahasim me 2017-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë