Futboll

Frutat e thata të Sedloskit dhe një histori tipike euforie shkodrane!

Fatjon Rupi – Shkodranët e dinë fare mirë se një nga dobësitë e tyre më të mëdha është euforia. E pranojnë me keqardhje këtë dobësi të tyre dhe i druhen sa herë që fiton Vllaznia, duke thënë se shkodranëve u hipën shpejt ‘vedi n’qejf’.

Rasti tipik ishte ai ai pak javëve më parë, pas fitores së Vllaznisë me Erzenin, ku në stolin shkodran debutoi trajneri maqedonas Goce Sedloski. Sapo arbitri vërshëlleu për përfundimin e asaj ndeshjeje, 3-1, vërshuan komplimentet ndaj trajnerit. Sedloski mori gati portretin e një magjistari që kishte transformuar Vllazninë e drejtuar më parë nga Mirel Josa dhe Auron Miloti.

Trajneri Sedloski dhe stoli i Vllaznise. Gazeta Si, 23 prill 2023

Euforia pushtoi jo vetëm tifozët, por edhe specialistët e futbollit në Shkodër dhe jo vetëm, të cilët, vetëm pas 90 minutash e bënë maqedonasin një strateg të vërtetë. Në pak minuta bënë ‘skanerin teknik’ të ish-trajnerit të Shkupit, duke e aprovuar unanimisht dhe u shprehën me bindje të plotë se me këtë trajner Vllaznia kishte rilindur.

Shtypi sportiv ndërkohë, që gjithashtu nuk i kurseu elozhet për Sedloskin, evidentoi disa rregulla ‘të padëgjuara’ më parë në futboll të vendosura prej tij, të tipit ‘shefi jam unë dhe vendos vetëm unë’. Po ashtu, shtypi zbuloi edhe sekretin që transformoi lojtarët e Vllaznisë: frutat e thata.

Trajneri maqedonas kishte kërkuar në mënyrë specifike që lojtarët të konsumonin sa më shumë fruta të thata, sepse ndikojnë në performancën e tyre në fushë. ‘Efekti’ në ndeshjen e parë ishte i menjëhershëm, më pas ra në barazimin 0-0 me Kukësin në transfertë dhe të shtunën nuk u ndje më në humbjen 0-1 me Tiranën në “Loro Boriçi”. Ose në Shkodër mbaruan shpejt frutat e thata, ose ndikimi i tyre është i pallogaritshëm në një ndeshje futbolli…

Sedloski duke shkuar ne stadiumin 'Loro Boriçi'. Gazeta Si, 23 prill 2023

Tani ndeshjet e trajnerit Sedloski në krye të Vllaznisë janë tre. Sigurisht, edhe kaq nuk mjaftojnë për konkluzione të sakta, por janë më shumë se një dhe diçka më shumë tregojnë. Ai ka 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Kjo e fundit dhemb shumë, sepse u pësua në shtëpi dhe ndaj Tiranës rivale.

Trajneri i tretë i Vllaznisë për këtë sezon rezulton thjesht një ‘në vend numëro’, vetëm se me kosto më të lartë financiare për klubin. As ndryshimet taktike, apo lëvizjet në formacion dhe as frutat e thata nuk e kanë ndryshuar Vllazninë. Të paktën deri tani.

Ndërsa euforia e shkodranëve mbetet po ai vesi tipik i tyre. Ndoshta për të shpjeguar më mirë Vllazninë enigmatike të këtij këtij sezoni duhet përmendur një batutë që po qarkullon së fundi në ambientet futbolldashëse dhe që thuhet se ka dalë nga goja e ish-trajnerit të saj, Mirel Josa: ‘Futbolli nuk është një herë e fik dhe një herë e ndez’…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë