Politike

Frrokaj del nga linja e Bashës: Nuk do nxis turmat në protesta kundër Ndreut

Fran Frrokaj shumë shpejt do duhet ta lirojë zyrën e bashkisë Lezhë, pasi aty do të shkojë Pjerin Ndreu. Por kryebashkiaku i Lezhës nuk ka ndër mend të bëjë si shumë kolegë të tij të PD, të cilët kanë organizuar protesta duke tentuar të mos lejojnë hyrjen e kryebashkiakëve të rinj.

Në një prononcim për mediet, Fran Frrokaj ka thënë se nuk do të bëjë asnjë tubim dhe nxitje proteste kundër kryebashkiakut të ri të Lezhës.

"Unë nuk do ta pres në zyrë për një arsye, sepse këto votime nuk ishin votime por një proces fals. Nuk më shkon në mënd të bëj protesta.”- ka thënë Frrokaj.

Ndër të tjera ai theksoi në intervistën e tij se gjatë këtyre viteve është munduar të jetë kryebashkiak i të gjithëve dhe nuk ka ndër mend të baltos punën e gjithë këtyre viteve.

“Jam munduar të jem kryetar i bashkisë i të gjithë qytetarëve, të majtë e të djathtë. Përfituesit në mënyrë jokorrekte me ligjet janë të majtët, por gjithsecili të paktën një herë ka qenë në zyrën time dhe nuk e kam ndërmend të baltos 16 vite të punës time si kryetar bashkie dhe të nxis turma të ekzaltuara pro apo kundra atij. Dua ti uroj mbarëvajtje institucionit të bashkisë."

Më tej Frrokaj shtoi se këto zgjedhje ishin jo të drejta, pasi një palë përfitoi në kurriz të tjetrës dhe shprehu besim te aksioni që ka nisur PD në këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë