Njerez

‘From Albania with love’… Për 40 dollarë mund të shkruash një dedikim mbi predhat që ukrainasit hedhin mbi rusët. Dikush e ka bërë edhe nga Shqipëria

Një ushtar ukrainas po shet mundësinë që çdo person që dëshiron të dërgojë një mesazh me anë të predhave që u hidhen rusëve, ta bëjë këtë për 40 dollarë, një nismë të cilës i është bashkuar edhe dikush nga Shqipëria duke dërguar mesazhin e tij.

Anton Sokolenko, një student IT 22-vjeçar në Cherkasy thotë se ka mbledhur mijëra dollarë për të mbështetur trupat ushtarake lokale.

Reklamat e tij, në platformat e mediave sociale si Reddit, kanë marrë mesazhe si "Gëzuar ditën e babait" dhe "Nga Shqipëria, me dashuri" që shkruhen në predha përpara se ato të përdoren.

"Ju keni shansin të vrisni ‘Orc’ me një tekst tuajin në një granatë artilerie 82 mm që do të qëllohet drejt ushtarëve rusë", thuhet në një nga postimet promovuese të Sokolenkos. (Orc është një fyerje e zakonshme ukrainase për ushtarët rusë.)

"Gjithashtu do të merrni një foto të granatës tuaj të nënshkruar".

Sokolenko thotë se kjo është një nismë joformale dhe nuk është e miratuar nga komandantët e lartë ushtarakë ukrainas. Imazhet, tha ai, nuk tregojnë identitetin dhe vendndodhjen e ushtarëve.

Predha me shënime nga njerëz anonimë.

Sokolenko tha se ai merr porosi në internet, veçanërisht përmes kanalit të tij Telegram dhe punon me një OJQ lokale për t'i shkruar predhat. Më pas ai ia kalon 40 dollarët OJQ-së.

OJQ-ja, "Qendra për Asistencë për Ushtrinë, Veteranët dhe Familjet e tyre", konfirmoi se Sokolenko është vullnetar i regjistruar që i ka dërguar më shumë se 18,000 dollarë.

Ai siguron pajisje taktike dhe mallra për batalionet aty pranë.

Sokolenko tha se paratë e mbledhura deri më tani kanë blerë dy sisteme Starlink, një kamionçinë dhe një kamer termike. OJQ-ja ofron gjithashtu radio, ilaçe, ushqime dhe çanta.

"Unë nuk jam aq i guximshëm për të marrë pjesë në luftë, kështu që po përpiqem të bëj më të mirën për të ndihmuar ushtarët të jenë gjallë dhe të vrasin armiqtë", tha ai. “Në fillim të luftës nuk po bëja asgjë dhe kjo më demoralizonte”.

Ai bëri kokteje molotov, siç bënë shumë ukrainas në fillim të luftës, por shpejt vendosi se mund të ishte më i dobishëm në një mënyrë tjetër.

Në vend të kësaj, ai vendosi t'i përkushtohej mbledhjes së fondeve, duke hapur një kanal Telegram që rishpërndante videot ushtarake virale, duke fituar rreth 12,000 ndjekës në këtë proces.

Pasi fitoi 1600 ndjekësit e tij të parë, ai iu afrua OJQ-së dhe i pyeti se çfarë kishin nevojë për të blerë. Ai mendoi se mund të kërkonte donacione.

Shuma e tij e parë ishte 500 dollarë, nga një grua amerikane. Kjo “e bëri të qartë se isha në rrugën e duhur”.

Më pas, në maj, i lindi ideja për projektin ‘mesazhe mbi predha’, kur pa se ushtarët po i shkruanin mesazhe për t'u hakmarrë për kolegët e tyre të rënë në luftë.

Porositë kanë ardhur nga e gjithë bota, duke dërguar "dashuri" nga vende si Belgjika, Gjermania, Shqipëria dhe Australia. Të tjerë e kanë shfrytëzuar atë si një mënyrë të pazakontë për t'u thënë "gëzuar ditëlindjen" miqve dhe të dashurve të tyre.

“Afrimi i Ditës së Babait solli rreth 30 porosi”, tha Sokolenko.

I pyetur në lidhje me etikën e projektit, i cili mund të shihet si një mënyrë për të shpërndarë urrejtje, ai tha se “si ukrainas, si çdo ukrainas, mund të them se jam i lumtur kur marr vesh se u vranë sa më shumë ushtarë rusë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë