Politike

Francezët kapen edhe me Kosovën: Serbisë t’i hiqen kushtet

Pas sinjalizimeve se Qeveria franceze mund të bllokojë negociatat për Shqipërinë, eurodeputetja franceze e ekstremistëve të “Frontit të Djathtë”, Julie Lechanteux, përmes një letre dërguar Komisionit Europian kërkon të dijë nëse kushti i vendosur për Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian qëndron ende në fuqi, apo jo.

Në letrën e saj, Lechanteux akuzon Ramush Haradinajn se sabotoi dialogun dhe kujton se qëndrimet e ish-Kryeministrit të Kosovës janë kritikuar si nga diplomacia e Bashkimit Europian, ashtu edhe nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

“Në dritën e këtyre zhvillimeve, a e mendon Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë se kushti i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën mund të qëndrojë ende për Serbinë?”, pyet eurodeputetja franceze.

Në përgjigjen që Komisioni i ka kthyer përmes vetë Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn, konfirmohet qëndrimi se normalizimi i marrëdhënieve është kusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë në mënyrë që të dyja vendet të vazhdojnë avancimin në rrugën e integrimit europian.

“Pa një normalizim efektiv të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian nuk mund të ketë stabilitet dhe paqe afatgjatë në rajon. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme dhe e zbatueshme për normalizimin është urgjente dhe thelbësore për Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara në rrugën e tyre drejt BE-së”, thuhet në përgjigjen që Komisioneri Hahn i ka kthyer eurodeputetes franceze.

Letra mbyllet me pritshmërinë që ka Bashkimi Europian që të dyja palët të tregohen më serioze dhe më të gatshme për të biseduar, si dhe të vetëpërmbahen nga veprimet dhe provokimet që prodhojnë një klimë kundërshtuese me normalizimin e marrëdhënieve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë