Futboll

Francë, nga fushat e blerta në spital për të luftuar Koronavirusin

Një histori e bukur njerëzore, një miks midis dashurisë për futbollin e atë për njerëzit, vjen nga Franca. Maxime Tarasconi, mesfushori 29 vjeçar i As Gémenos, klub i kategorisë së tretë të kampionatit francez, ka kaluar nga fushat e lojës në repartet e spitaleve. Ish-lojtari i Istres (33 ndeshje në Ligue 2 mes 2011 e 2013 ) po lufton kundër koronavirus si infermier në terapi intensive në spitalin Timone në Marsejë.

Futbollisti me zemër të artë, i cili kishte rifilluar studimet për infermier në moshën 25 vjecare, paralelisht me futbollin, rrëfen për L’Equipe dramën e këtyre ditëve. “Në terapi intensive, jemi mësuar të shohim situata serioze. Sidoqoftë, në ditët e fundit, kemi kaluar në modalitetin koronavirus. Ka disa raste që kanë nisur të intensifikohen – shpjegoi ai -. Jemi gjithnjë e më shumë në veprim. Pacientët tanë janë kryesisht të infektuar nga Covid-19 dhe ka masa paraprake të reja që duhen marrë. Ky virus është më kërkues në procedurat e izolimit. Duhet të kesh kujdes nga gjithçka që transmetohet. Ka kolegë, mjekë e punonjës të tjerë të kujdesit shëndetësor që janë infektuar rreth meje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë