Kombetarja

Franca për prestigj, Islanda është sfida reale e Kombëtares

Dy ndeshjet e radhës, Franca dhe Islanda, janë një moment kyç sa u takon eliminatoreve të Europianit 2020 për Shqipërinë, që mban vendin e 4-t në Grupin H, me 6 pikë pas 4 ndeshjesh. Ose më mirë, Islanda është ndeshja kyçe, që duhet fituar patjetër. Trajneri Edi Reja me siguri i bën llogaritë për këtë ndeshje, kuptohet pa e nënvlerësuar Francën.

Idealja do të ishte marrja e 4 pikëve në këto 180 minuta, që do të thotë barazim në Francë dhe fitore me Islandën në “Elbasan Arena”. Italiani i stolit kuqezi e ka të qartë se ndeshjen me Islandën duhet ta fitojë me çdo kusht, pavarësisht si shkon puna në Francë, ku edhe humbja do të ishte krejtësisht “normale”. Në këtë situatë, edhe formacionin anti-Francë ai po e mendon në funksion të Islandës.

Kombëtarja ka mbërritu në Francë. Gazeta Si, 5 shtator 2019

Sigurisht, në Francë do të zbresë në fushë një Shqipëri mbrojtëse. Nuk ka si të ndodhë ndryshe ndaj kampionëve të botës, që edhe pse me mungesa, mbeten të “frikshëm”. Skema e lojës do të jetë me shumë mundësi 3-5-2-shi i preferuar i Rejas, që vërtet i tillë do të jetë me Islandën, sepse në “Stade de Francë” Shqipëria do të rreshtohet me skemën 5-3-2, duke qenë se në krahët e mesfushës pritet të jenë Hysaj dhe Lenjani, dy mbrojtës anësorë. Ismajli, Mavraj dhe Gjimshiti mendohet të jenë treshja mbrojtëse dhe pas tyre Strakosha. Për portën nuk mund të flitet me siguri në fakt, pasi Berisha është shpallur portieri më i mirë në dy javët e para të Serisë A dhe gëzon një formë të shkëlqyer.

Kumbulla dhe Gjasula, dy lojtarët e rinj të grumbulluar nga trajneri Reja, do të jenë në stol, pasi në Francë duhen lojtarë më ekspertë, të cilët e njohin më mirë ekipin. Xhaka, Abrashi dhe Memushaj kanë shanset më të mëdha për qendrën e mesfushës dhe për të mbështetur sulmin. Mbetet për t’u parë zgjedhja e trajnerit italian për sulmin në ndeshjen e parë. Balaj dhe Cikalleshi janë alternativat për qendrën, ku me siguri ai që do të jetë titullar në Francë, do të ulet në stol ndaj Islandës. Balaj është më në formë për momentin dhe gjasat janë që Reja të ruajë për Islandën. Njëri mes Uzunit dhe Roshit mund të bëjë sulmuesin e dytë të shtunën në mbrëmje, kurse të martën mund ta shohin veten të dy titullarë.

Mavraj dhe Roshi në stërvitje. Gazeta Si, 5 shtator 2019

Një lojë e mirë në Francë dhe më shumë akoma një rezultat pozitiv, do ta rriste ndjeshëm moralin e kuqezinjve para Islandës, sfida e vërtetë e tyre dhe trajnerit Reja. Siç e ka pohuar edhe ish-kapiteni Lorik Cana në një intervistë për Gazeta Si, do të ishte sukses nëse Shqipëria do të linte pas njërën mes Turqisë dhe Islandës, pra nëse do të zinte vendin e tretë në këto eliminatore. Turqia na mundi në Shkodër, Islanda na mundi me një episod në fushën e saj, kështu që në “Elbasan Arena” kuqezinjtë duhet të marrin revanshin patjetër për të mbetur brenda objektivave. Franca duket si një ndeshje prestigji, Islanda është “finalja” e kuqezinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë