Kombetarja

Hysaj: Francën nuk e kemi frikë, duhet të shënojmë

Në konferencën për shtyp dy ditë para ndeshjes me Francën, ka dalë mbrojtësi Elseid Hysaj. Pas një verë shumë të nxehtë, ku emri i tij ishte çdo ditë i lakuar në merkato, Hysaj rikthehet në ekipi kuqezi, i gatshëm për të ndeshjet, me Francën dhe Islandën.

Duke folur për ndeshjen e së shtunës, Hysaj tha se Shqipëria ka treguar se ka bërë mirë në të shkuarën kundër “gjelave” dhe të njëjtën gjë do të tentojë të bëjë edhe këtë herë. Sipas Hysajt duhet tentuar që të shënohet një gol në “Stade de France” dhe duhet të kihet besim në një rezultat pozitiv.

“Shqipërisë i mungojnë golat pasi edhe në ndeshje të tjera kemi treguar se dimë të luajmë, kemi shkuar deri te porta por nuk kemi arritur të shënojmë. Mendoj se edhe fati është një pjesë e rëndësishme që na mungon. Ne kemi sulmuesit që po shënojnë me klubet e tyre dhe shpresoj ta bëjnë edhe me Kombëtaren. Për ne ka qenë një eksperiencë e paharrueshme kur jemi kualifikuar në Europian dhe shpresoj ta përjetojmë sërish. Kemi një skuadër të mirë me futbollistë që stërviten shumë dhe besoj se kjo ditë do të vijë sërish.”

Më tej mbrojtësi i Napolit tha se me një ekip si Franca mund t’ia dalësh nëse jep 200% të formës dhe duke vënë zemrën në fushë. “Kemi provuar në vitin 2016 që dimë si të luajmë kundër Francës. Bëmë një ndeshje të mirë dhe treguam se dimë të ambientohemi. Nëse luajmë lojën tonë dhe pa frikë dhe duke mos menduar se janë kampionë bote, do të përballemi me to. Do të vëmë zemrën dhe do të shohim se çfarë ndodh. Në futboll ndodh gjithçka dhe me këtë trajner e këto futbollistë, Shqipëria mund edhe të fitojë”, tha Hysaj.

Në fund Hysaj foli edhe për çështjen e lojtarëve shqiptarë që luajnë në kampionatet eurupiane, që sipas tij penalizohet për shkak të rregullave që kanë kampionatet për ekstrakomunitarët. “Ky është një problem sepse është shumë i kufizuar numri i ekstra-komunitarëve në Europë. Besoj se ata do të tregojnë veten e tyre dhe do të shtohen në klubet europiane pasi si te Shpresat, ashtu edhe me skuadrat e moshave po rriten breza që premtojnë shumë.”- u shpreh Elseid Hysaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë