Analize

Franca nuk e do Turqinë, por SHBA e ka xhan

Turqia mund të jetë duke fjetur në të ftohtë, jashtë derës së Bashkimit Europian, por duket se e pret një shtrat i ngrohtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që është kthyer vitet e fundit në rojtarin e kësaj dere, Franca, ka shuar jo vetëm çdo shpresë të Turqisë për t’u anëtarësuar, por ka ndërmarrë një betejë të fortë gjepolitike kundër Ankarasë, duke i kërkuar të sprapset nga Mesdheu.

Presidenti Emmanuel Macron duket se e ka vënë Turqisë në një tabelë qitjeje, duke i kërkuar NATO-s dhe BE-së të frenojnë Ankaranë përpara se të kthehet në një rrezik potencial për kontinentin e vjetër. Për Macron, një shtet autokrat si Turqia, që po luan në njërën portë me Rusinë dhe në portën tjetër me Iranin, duhet ndaluar përpara se të zgjerojë më tej influencën e saj në Mesdhe si dhe Ballkanin Perëndimor.

E izoluar nga Europa, Turqia duket se ka gjetur një aleat të ri në përpjekjen e saj për të shtrirë ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë që Franca nuk po e fsheh “tërbimin politik” me Ankaranë për shkak të ndërhyrjes në Libi, duke marrë edhe mbështetjen e pothuajse të gjitha fuqive europiane, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket se ka arritur të fitojë besimin e homologut amerikan Donald Trump. Erdogan raportohet se telefonon Trump dy herë në ditë dhe se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kalojnë “drejtpërdrejt” tek presidenti amerikan.

“CNN” shkruan se duke analizuar telefonatat e krerëve të huaj të shtetit gjatë katër viteve të tij në detyrë, Erdogan ishte ndër drejtuesit që ishte më shpesh në kontakt me presidentin amerikan..

“Frekuenca e telefonatave me Erdoganin, gjatë të cilave presidenti turk i kërkon Trumpit lëshime politike dhe favore të tjera është veçanërisht shqetësuese për ekspertët, aq më tepër për shkak të lehtësisë me të cilën Erdogan anashkalon protokollet normale të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe procedurat për të arritur tek presidenti, “shkruan CNN.

“Erdogan arrin gjithmonë atë që do”, thotë gazetari Carl Bernstein i CNN, i cili citoi një burim që tregon se Erdogan ishte në gjendje të drejtonte politikën në favor të Turqisë, siç është vendimi i Trump për të tërhequr forcat amerikane nga Siria, duke i hapur rrugën operacionit të Turqisë kundër kurdëve.

Por tensionet aktuale midis Parisit dhe Ankarasë, veçanërisht rreth Libisë dhe Mesdheut lindor kanë bërë që SHBA, si vend anëtar i NATO-s të gjendet nën presion për të ndëshkuar Turqinë. Megjithatë, deri më tani aleanca duket e patundur.

“Përplasjet e vazhdueshme mes Francës dhe Turqisë rrezikojnë të kthehen në rivalitet të gjatë”, thonë ekspertët.

Konflikti filloi të përshkallëzohej nëntorin e kaluar kur Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan këshilloi homologun e tij francez Emmanuel Macron të “kontrollonte nëse i ka vdekur truri” pasi të dy udhëheqësit u përplasën për ofensivën ndërkufitare të Ankarasë në verilindje të Sirisë.

Kohët e fundit Turqia fajësoi Francën për “zhytje e Libisë në kaos”, vetëm një ditë pasi Macron akuzoi Ankaranë se ishte përfshirë në një “lojë të rrezikshme” në Libi dhe i kërkoi Erdoganit që t’i jepte fund ndërhyrjes së tij në vendin e shkatërruar nga lufta.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti Emmanuel Macron, Gazeta Si, 2020

Turqia mbështet Qeverinë e Akordit Kombëtar (GNA) në Tripoli dhe ka akuzuar Francën për favorizimin e komandantit rival të GNA-së Khalifa Haftar, megjithëse Parisi e mohon.

Tensionet midis dy aleatëve të NATO-s kohët e fundit u përshkallëzuan pas një përplasje mes anijeve luftarake turke dhe një anije detare franceze në Mesdhe më 10 qershor. Franca akuzoi Ankaranë se po trafikonte armë në Libi, me anije ushtarake. Megjithëse Ankaraja mohoi akuzën, NATO ka nisur një hetim mbi incidentin. Ndërkohë, këtë javë Turqia arrestoi katër shtetas të saj në 22 qershor me dyshimin e spiunimit për Francën përmes grupeve konservatore dhe fetare.

Me të gjitha kartat politike dhe ushtarake në tryezë, pyetja thelbësore është nëse përplasje të tilla të nxehta mund të përshkallëzohen deri në pikën e rivalitetit dhe të ndryshojnë ekuilibrin politik në Mesdhe.

“Përplasja midis Francës dhe Turqisë në Libi dhe Mesdhe është vetëm një kënd i një tendence më të gjerë gjeopolitike që përfshin Rusinë, SHBA-në, Greqinë dhe Turqinë,” thotë Marc Pierini, një studiues i Carnegie Europe.

Pierini, një ish ambasador i BE në Turqi, bëri një krahasim midis sfidës që paraqet Rusia për bllokun perëndimor dhe lëvizjeve të fundit të Turqisë.

“Rusia ka filluar prej kohësh të sfidojë NATO-n dhe BE-në me aneksimin e Krimesë. Ajo ndoqi interesat e saj ushtarake dhe politike duke instaluar ose zgjeruar bazat në Siri. Në mënyrë të qëndrueshme, Moska po shtrin ndikimin ushtarak në Libi, “tha ai. “Turqia po ndjek një model të ngjashëm; pas katër operacioneve të saj të veçanta ushtarake në veri të Sirisë, ajo ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kufijtë detarë me Greqinë në Mesdheun lindor me pëlqimin e GNA të Libisë kundër mbështetjes ushtarake.”

Përveç blerjes së diskutueshme të sistemit rus të mbrojtjes raketore, Pierini mendon se Rusia dhe Turqia kanë krijuar një realitet të ri gjeopolitik në krahun jugor të Europës, i cili, pavarësisht pritshmërive, duket se nuk po kundërshtohet nga SHBA-ja

“Për BE-në, Mbretërinë e Bashkuar, dhe NATO, kjo është një sfidë e re,” tha ai. “Megjithatë SHBA duket shumë e relaksuar përballë një perspektive të tillë”.

Franca, e cila akuzon Ankaranë për bllokimin e përpjekjeve të armëpushimit në Libi dhe thyerjen e embargon e armëve dhe u kërkoi aleatëve të NATO-s të marrin masa për rolin “agresiv” të Turqisë në Libi.

Për Emre Kursat Kaya, një analist i Sigurisë në Qendrën e Stambollit për Ekonominë dhe Studimet e Politikës së Jashtme (EDAM), nëse aktorë të tillë si Gjermania ose Italia nuk arrijnë të tejkalojnë hendekun, situata aktuale mund të kthehet në një rivalitet gjeopolitik.

“Ekziston nevojë për një arbitër. Situata është më e ndërlikuar sesa thjesht dallimet ideologjike. Bëhet fjalë për interesa të kundërta në Mesdheun dhe madje edhe Afrikën Sub-Sahariane, “tha Kaya. “Në kushte normale, arbitri do të ishte SHBA-ja, por nën udhëheqjen e Trump kjo duket e pamundur”.

Ai mendon se një rivaliteti midis Francës dhe Turqisë mund të ketë ndikime strukturore në NATO.

“Qeveria aktuale franceze ka një axhendë për të ndërtuar ushtri europiane. Ajo i cilëson veprimet e Turqisë si shembuj pse një alternative e tillë është e nevojshme. Në ngjarjet e fundit, Parisi ka zgjedhur të mbështesë kundërshtarët rajonalë të Ankarasë si kurdët, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, “tha Kaya.

Ozgur Unluhisarcikli, drejtori i zyrës në Ankara i Fondit Marshall mendon se interesat e Turqisë dhe Francës kanë krijuar një konkurrencë marramendëse gjeopolitike midis dy vendeve, veçanërisht në Mesdhe.

“Të dyja vendet po veprojnë bazuar në interesin e tyre kombëtar. Në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje midis Turqisë dhe Francës, kjo përplasje mund të evoluojë në rivalitet duke reflektuar në mënyrë të pashmangshme në marrëdhëniet BE-Turqi, duke e bërë madje edhe bashkëpunimin midis dy palëve shumë të vështirë,” thotë ai.

Erdogan mund të ketë bërë vërtet një armik të ri, por duket se ka fituar një aleat të madh: SHBA-në.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Presidenti Trump, Gazeta Si, 2020

Marrëdhëniet midis Presidentit Trump dhe homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, ishin në gjendjen më të keqe që dikush mund të imagjinonte 10 muaj më parë, sidomos nëse kujtojmë përplasjet midis dy ushtrive përtej kufirit sirian-turk, ndërsa zoti Trump kërcënoi të asgjësonte ekonominë e Turqisë.

Por këto ditë, ndërkohë që dy ish-kundërshtarët e tyre janë nën presion në shtëpi dhe u kanë mbetur shumë pak miq jashtë vendit, si Trump ashtu edhe Erdogan do ta vlerësonin patjen në krah të një aleati. Këtë javë, sipas mediave turke, ata ndanë disa shaka gjatë një telefonate.

“Për të qenë i sinqertë, pas bisedës sonë sonte, një epokë e re mund të fillojë midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë,” tha Erdogan gjatë një interviste televizive të hënën. Interesat e presidentëve janë përafruar për disa nga çështjet më të mëdha që i kishin ndarë vitet e fundit.

Në muajt e fundit, zoti Trump nuk ka qëndruar në rrugën e Ankarasë dhe madje as ka dënuae ndërhyrjet e Turqisë si në Siri ashtu edhe në Libi. Ai falënderoi Turqinë për çlirimin e një pastori ungjillor amerikan dhe FBI ka nisur hetimet mbi predikuesin islamik Fethullah Gulen.

Zoti Trump ka ndaluar vendosjen e sanksioneve kundër Turqisë për blerjen e tij të një sistemi raketash ruse, diçka që e ka shtyrë Turqinë të largohet më larg nga Perëndimi. Libia është vendi i fundit ku të dy burrat  duket kanë arritur marrëveshje, me Trump që duket se në mënyrë efektive ndërhyrjen ushtarake të Erdogan, edhe pse ajo kundërshtohet nga të gjithë aleatët politikë.

“Ne arritëm në disa marrëveshje për zhvillimet në Libi,” thaErdogan pas telefonatave me Trump.

“Uashingtoni nuk ka protestuar për përdorimin e armëve amerikane nga Turqia në operacionet e saj në Libi”, tha Ozgur Unluhisarcikli. “Nuk është çudi që SHBA-së t’i pëlqejë fakti që Turqia po ngatërrohen në këmbët e Rusisë në Libi”.

Për Erdogan, kjo është një kthesë dramatike në marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara. Vjeshtën e kaluar ai ishte në prag të shkuarjes në luftë në Sirinë veriore kundër trupave amerikane , aleatët e NATO-s dhe po ndëshkonte çdo ditë Uashingtonin për mbështetjen e tij të armatosur për forcat kurde atje.

Përfaqësuesi special i SHBA për Sirinë, James Jeffrey, ka qenë i hapur në lëvdatat e tij për veprimet e Turqisë në frenimin e qeverisë ruso-siriane. “Ne mbështesim fuqimisht armëpushimin; ne mbështesim fuqimisht aksionin ushtarak turk, ” tha ai një konferencë në prill.

Këto zhvillime nuk do të thonë që Turqia do t’i kthejë shpinën Rusisë, thanë analistët, por se Erdogan po kryen një “akt balancues”

Duke qënë se Europa nuk po ia hap derën, Turqia duket se ka gjetur një dritare mundësie për një aleancë me SHBA-në, edhe nëse kjo do të thotë se do t’i duhet të tradhëtojë Rusinë apo edhe BE-në nëse është e nevojshme.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë