Franca duket se ka marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian për ndryshimin e modelit të zgjerimit, pak përpara marrjes së vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von del Leyen ka konfirmuar zyrtarisht se metodologjia e zgjerimit do të ndryshojë. Duke folur në një vizitë zyrtare në Kroaci, Von der Leyen paralajmëroi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se modeli i ri i bisedimeve të anëtarësimit do të jetë shumë më i vështirë.
“Metodologjia e re do të jetë komplekse dhe do ta prezantojmë së shpejti. Do të gjejmë një rrugë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që dera për to të jetë e hapur dhe që të çelim negociatat. Duhet të plotësojnë kriteret të dyja vendet. Jam e sigurt se do të kemi sukses lidhur me këtë ”, tha Presidentja e KE-së.
Ky ishte konfirmimi i parë që ka ardhur nga Komisioni Europian për pranimi e kërkesës së presidentit Emmanuel Macron për ndryshimin e metodologjisë.
Modeli i paraqitur nga presidenti francez i cili zëvendëson 35 kapitujt e anëtarësimit me 7 faza, ka qënë kryefjala në të gjitha takimet e vendeve të BE-së. Disa vende anëtare kanë dalë tanimë kundër propozimit francez, por Gjermania mësohet se ka mbështetur ndryshimin e modelit të negociatave. Komisioni Europian duket se ka pranuar ndryshimin e kësaj metododlogjie, edhe pse shumë vende të BE-së kanë paralajmëruar se janë shumë të kujdesshme në lidhje me dokumentin, kryesisht për shkak të frikës se futja e një metodologjie të re do të vononte në të vërtetë fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Gazeta “Si” mëson se përveç vendeve anëtare, propozimi i ri është dërguar edhe Tiranës zyrtare si edhe vendeve të tjera të rajonit. Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashmte Gent Cakaj tha gazetës në nëntor 2019, se për aq kohë sa ky propozim nuk është miratuar nga BE-ja, qeveria shqiptare nuk mund të dalë me një qëndrim zyrtar. Ai u shpreh së modeli francez bën në një farë mënyre një riorganizim të 35 kapitujve në 7 faza, por mbetet për tu parë nëse do të bëjë të mundur përshpejtimin e anëtarësimit në BE.
“Shqipëria mbetet e hapur ndaj këtyre propozimeve për aq kohë sa nuk zëvendësojnë integrimin në BE. Risia është se nëse plotëson kushtet për një sektor të caktuar, për shembull peshkimi, bëhesh pjesë e strukturave të BE-së për peshkimin, duke marrë kështu edhe fonde për këtë sektor”, i tha Cakaj Gazetës “Si”.
Qeveria gjermane nga ana e saj ka njoftuar sot se është e hapur për ta diskutuar propozimin, por kërkon që ai të mos ketë ndikim mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por ndërkohë që disa ekspertë e shohin këtë propozim si përpjekje e Francës për të frenuar zemërimin e Berlinit për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, disa ekspertë besojnë se ky model është thjesht për të ngadalësuar negociatat me Ballkanin Perëndimor dhe për ta bërë më të vështirë integrimin “de facto”.
Studiuesi i Qendrës Austriake për Çështjet ndërkombëtare, në Universitetin e Vjenës, Vedran Džihić ka paralajmëruar vendet e Ballkanit Perëndimor të “kenë kujdes” nga propozimi francez, duke e cilësuar një “lëvizje cinike të BE-së”.
“Është një veprim që nuk është në përputhje as me parimet e BE-së, as nuk përputhet me metodologjinë dhe parimet që vetë BE-ja ka përcaktuar për këtë proces”, tha Džihić, duke shtuar se “modeli francez për negociatat e anëtarësimit paraqet një model teknokratik”.
“Ai vjen si një përpjekje e Francës për të justifikuar bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi eksperti austriak gjatë një konference të mbajtur në Vjenë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ajo që bie në sy është fakti që sundimi i ligjit është në fazën e parë. Kjo do të thotë që, pa sundimin e ligjit, lirinë e medieve dhe ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, nuk do të jetë e mundur që vendet e Ballkanit të bëjnë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër”, thotë analisti Srđan Cvijić. “Kjo qasje është plotësisht e kundërt me atë ekzistuese, pasi kapitujt 23 dhe 24 të sundimit të ligjit hapen në fillim të negociatave të pranimit dhe mbyllen në fund, pikërisht sepse ato janë më komplekse dhe më të vështirat, sidomos kur bëhet fjalë për rajone që nuk kanë një traditë të fortë demokratike. Lind dyshimi se prapa zemërgjerësisë së Francës për të dhënë fonde për vendet që janë duke negociuar, qëllimi i vërtetë është që vendet e rajonit, duke pasur parasysh performancën e tyre të dobët në fushën e sundimit të ligjit, do të qëndrojnë të bllokuara për shumë vite vetëm në fazë fillestare”, thotë analisti serb në Institutin e Politikave Europiane në Bruksel.
Propozimi i Francës përmbledh në fakt disa nga idetë kryesore që mund të jenë dëgjuar kohët e fundit në komunitetin e ekspertëve. Por nëse do ta analizonim me kujdes, duket se pjesa më problematike e këtij dokumenti është kushti që integrimi de “facto” do të vijë vetëm pasi BE të jetë reformuar. Duke qenë se askush nuk mund të parashikojë se kur do të ndodhë kjo, vendet e rajonit mund të gjenden përballë një skenari kur i kanë plotësuar “kushtet e rrepta” dhe mos të pranohen në BE, duke pritur këtë të fundit të vetë-reformohet.
Eksperti shton se problemi nuk qëndron në vetë metodologjinë, por në sistemin e vendimmarrjes brenda Bashkimit Evropian, i cili, për shkak të nevojës për vendime unanime të zgjerimit, lë mundësinë që anëtarët të bllokojnë zgjerimin, pavarësisht nëse vendi kandidat po përparon apo po bën hapa pas.
Cvijić beson gjithashtu se me këtë përpjekje për të ndryshuar procesin e negociatave, Parisi dëshiron ta paraqesë vetëm si një partner konstruktiv dhe jo i paparashikueshëm përballë Berlinit, Romës dhe Vjenën.
“Pa një zgjidhje për sistemin e vendimmarrjes, çdo lloj ndryshimi metodologjie nuk do të jetë e dobishme. Nëse Franca është vërtet e sinqertë në dëshirën e saj për të reformuar sistemin e negociatave të pranimit, ajo duhet të kërkojë që ta hapen negociatat e pranimit me Tiranën dhe Shkupin” thotë Cvijić.
“Franca do të zhvillojë zgjedhje lokale në mars të vitit të ardhshëm, si dhe zgjedhjet presidenciale në prill të vitit 2022. Partia qeverisëse e Presidentit Macron dëshiron të minimizojë rrezikun e humbjes së këtyre zgjedhjeve përballë Marin Le Pen”, deklaron ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.