Bota

Franca digjet nga zjarret, në flakë dhjetëra shtëpi. Evakuohen fshatra dhe mijëra banorë

Gazeta Si - Prej rreth një muaji, Franca po përballet me zjarre gjigante në pjesën jugperëndimore të vendit, duke shkatërruar bimësinë dhe shtëpitë midis Landes dhe Gironde.

Megjithatë, që nga e mërkura, flakët kanë rifituar oksigjen, duke gllabëruar 6200 hektarë të tjerë pyll dhe duke detyruar mbi 10 mijë njerëz të evakuohen.

I gjithë fshati Moustey, i cili numëron 700 banorë, u braktis dhe 17 shtëpi në fshatin Belin-Beliet u dogjën. Është mbyllur edhe autostrada, të paktën për momentin nuk ka viktima raportojnë autoritetet.

Një raport i trishtë që i shtohet atij të javëve të fundit, kur flakët përpinë 14 mijë hektarë bimësi, duke mbërritur në brigjet e Atlantikut.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin, shprehu dyshimet e tij për origjinën e zjarrit: “Sot në mëngjes kanë rënë tetë zjarre, nga ora 8:00 deri në 9:00, të nisura disa qindra metra njëri nga tjetri, gjë që është krejt e pazakontë”.

Në fakt, ideja se zjarri mund të jetë me origjinë keqdashëse po fiton terren.

Këtë të enjte, në Gironde pritet edhe kryeministrja franceze, Elisabeth Borne e shoqëruar nga ministri i Brendshëm.

"Mobilizimi i qeverisë dhe shërbimeve shtetërore, së bashku me të zgjedhurit vendorë, vullnetarët dhe banorët, është total", shkroi Borne në Twitter.

Në total, më shumë se 400,000 hektarë janë djegur këtë vit në Francë, sipas qeverisë, ose 500,000 hektarë, sipas të dhënave satelitore europiane: në çdo rast, ky numër është shumëfishi i mesatares vjetore të 15 viteve të mëparshme.

Një nga efektet më të verifikuara shkencërisht të ndryshimeve klimatike, është se valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive.

Vala e nxehtësisë përcaktohet nga tre kritere: temperatura jashtëzakonisht të larta, netët e nxehta që nuk e lejojnë trupin të ftohet dhe kohëzgjatja e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë