Futboll

Four-midable! Shtypi botëror ngre në piedestal Guardiolën dhe Mançester Sitin

Gazeta Si – Perfeksion dhe turpërim janë dy fjalët më të përdorura në artikujt kushtuar triumfit të Mançester Sitit nga të përditshmet më të njohura angleze, por edhe ato të gjithë Europës. Të gjithë kanë thurur elozhe për Mançester Sitin, që mundi 4-0 Realin e Madridit në gjysmëfinalen e kthimit dhe shkoi në finale të Championsit.

Për shtypin anglez, protagonisti është Pep Guardiola. Emri i tij është në titujt kryesorë të gjithë gazetave dhe siteve sportive. Mançester Siti është "skuadra më e mirë angleze e të gjitha kohërave” për ‘The Indipendent’, që flet shumë për "magjinë më të bukur të futbollit nga Guardiola". Siti është shumë afër tripletës në Angli.

Faqja e pare e 'L'Equipe'. Gazeta Si, 18 maj 2023

"Mançester Siti arrin perfeksionin me turpërim", - është titulli i tabloidit ‘Sun’, që shigjeton Realin e Madridit. Në faqet e brendshme ka një lojë fjalësh, që i referohet 4 golave të shënuar ndaj spanjollëve: "Four-midable. Sity 4, Real Madrid 0: masterklasi i Pep avzhdon rrugëtimin drejt ‘Treble’, kurse gjigantët e Championsit dalin me një vërshëllimë".

Perfeksion është fjala që zgjodhi edhe ‘Guardian’, për të cilin, me një metaforë të diskutueshme, Siti arriti "perfeksionin e një fushate ushtarake të ekzekutuar në mënyrë të përpiktë". "Ja ku vjen ‘Treble’. Pep Guardiola dhe Mançester Siti vetëm 3 hapa larg tripletës historike, nëse mundin Çelsin, Mançester Junajtid dhe Interin".

Entuziazmi i fitores ka përfshirë edhe ‘Times’, që shkruan se “Skuadra e Pep është me shumë mundësi më e madhja e të gjitha kohërave". Më pas shton: "Do të ishte tragjedi, nëse një skuadër kaq e madhe nuk fiton trofeun më të rëndësishëm europian".

Trajneri spanjoll është vlerësuar mjaft edhe nga shtypi francez. ‘L'Equipe’ kishte zgjedhur titullin "Siti-titanik, kryevepër e Guardiolës. Ja si gjiganti u duk shumë i vogël". "Mancester Siti shkurorëzon Realin me një paraqitje të madhe, që e bën favorit për finalen", - shkruan ‘New York Times’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë