Politike

Fotomesazhet e (zh)veshura të Presidentit

Temperaturave të larta meteorologjike Presidenti Ilir Meta u është shmangur këtë verë herë në bregdet, herë në mal. Megjithatë dhe pavarësisht nga distanca ai nuk u është shmangur temperaturave të larta politike. Që prej 8 qershorit, kur nxorri dekretin që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit, konferencat e shpeshta për shtyp në Presidencë, Meta i shoqëronte me postime të shpeshta në rrjetet sociale dhe rrëzime po aq të shpeshta të ligjeve të miratuara nga mazhoranca.

Shpesh në postime të shfaqura në formën e fotove dhe të videove, Presidenti del gjysmë i zhveshur, vetëm me rroba plazhi. Në një pjesë të mirë të tyre mesazhi shoqërues është thjesht përshëndetës për ndjekësit e tij në botën online, por nuk mungojnë edhe mesazhet për krizën politike.

“Të dashuri miq! Sot me Blushin tim duke shijuar këtë të diel historike, plot diell dhe muzikë”. Me këtë shënim shoqëron Presidenti vetëshkrepjen (Selfie) ku shfaqet pa bluzë në shoqërinë e zëdhënësit të tij, Tedi Blushi në Gjirin e Lalëzit.

Në një datë tjetër, fotoja do të ishte vetëm një përshëndetje për miqtë online të Presidentit, por e postuar më 30 qershor, pikërisht në ditën kur Qeveria organizonte zgjedhjet që Meta i kishte anuluar me dekret, ajo mbart edhe një mesazh ironizues drejt mazhorancës. Ironia përforcohej me foton e dytë, sërish gjysmëlakuriq, por këtë herë me ish-futbollistin e Kombëtares, Klodian Duro.

Pushimet e asaj të diele pasuan javën me daljet e shpeshta, ku Meta i cilësonte zgjedhjet e 30 qershorit si “votime moniste” dhe akuzonte Edi Ramën se kishte devijuar reformën në drejtësi, që tashmë e quante “Ramaformë”. Në një prej këtyre postimeve, më 3 korrik, akuzat ndaj Kryeministrit për kapje të reformës në drejtësi i ilustron me këtë foto:

Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama gjate fushates elektorale per zgjedhjet vendore 2015

Postimi mbërrinte një ditë pas një konference për shtyp, Meta zbuloi një mesazh që sipas tij ja kishte dërguar Kryeministri Edi Rama në shkurt. “Më 18 shkurt me shkruan: Lulit i kam shkuar në fund të 2017 se pas zgjedhje lokale nuk do jetë kryetar partie, ndërsa ty po të shkruaj se pasi të mbarosh mandatin si President nuk do gjesh më gjurmë LSI”, deklaronte Meta.

Në fundjavë rikthehet në bregdet, ku gjashtë ditë pas 30 qershorit poston një tjetër foto me rroba banjoje, ku shfaqet duke ecur zbathur në rërë. Përshkrimi që e shoqëron këtë foto është thjesht përshëndetës dhe urues për miqtë virtualë të Presidentit, por ajo hidhej në rrjetet sociale një ditë pasi në media u publikua raporti i socialistëve që do të diskutohej në Kuvend për shkarkimin e tij.

Fotoja ishte gjithashtu e mjaftueshme që të merrej nga faqet satirike në rrjet dhe të “përpunohej” sipas variantit të tyre. Metën nuk i tërhoqi vëmendjen nisma e socialistëve në Parlament, por modifikimi i fotos dhe njërin prej tyre, ku Presidentin e “transformojnë” në një personazh në dukje meksikan, të mbuluar me tatuazhe, mes të cilave edhe një foto e Monika Kryemadhit shoqëruar poshtë me emrin e saj dhe një shkop bejsbolli në dorë e shpërndau vetë me shënimin: “Top Fake Photo of the Day – Faleminderit, ma bëtë të dielën edhe më argëtuese”.

Seria e postimeve me mesazh të fshehur politik vazhdon me një video, ku Presidenti shfaqet duke notuar në det të hapur. Shënimi që e shoqëron është “Motto of the Day – Më mirë ne det, se sa në pishinë!”. Mesazhi ishte ironizues ndaj Edi Ramës, të cilin Presidenti e akuzoi para zgjedhjeve se ftesës për t’u takuar i ishte përgjigjur duke u larë në pishinë vetëm 200 metra larg Presidencës.

https://www.instagram.com/p/Bznq1zngI65/

Kryeministri iu përgjigj në distancë me një tjetër video ku këtë herë shfaqej duke notuar, jo në pishinë, por në det.

Me mesazh të fshehtë politik mund të interpretohet edhe fotoja ku Ilir Meta shfaqet duke mbajtur në dorë domaten e pakëputur dhe të pabërë ende. “Domatet duan ende kohë për t'u pjekur. Do durojmë edhe ca!”, ishte mesazhi që shoqëronte këtë foto. Ndoshta me domate Presidenti nënkuptonte kushtet që palët të ulen në dialog, ndërsa në pjesën e dytë këmbënguljen dhe durimin për të pritur edhe ca.

Muajin korrik dhe ditët e para të gushtit i kaloi mes bregdetit dhe Presidencës, me përjashtim të pjesëmarrjes në një samit të organizuar në Bosnje. Këtu u prezanton ndjekësve Darkon, një qenush dhe në videon në fjalë përshëndet edhe macen e vet, Sashan. Edhe këtë herë, postimi mbërrinte në një kohë socialistët e qortonin për pjesëmarrjen në këtë samit, që Qeveria e bojkotoi për t’iu bashkuar bojkotit të Kosovës.

https://www.instagram.com/p/BzuenCFA9XX/

Fillimi i gushtit e gjeti në Presidencë, ku në një konferencë për shtyp përsëriti thirrjen për dialog dhe për 13 tetorin, duke deklaruar se në të kundërt Shqipërisë rrezikohej të mos i hapeshin negociatat as në vjeshtë.

Pas kësaj nisi pushimet malore në Prevallë të Kosovës. Postimin e parë pas nisjes së pushimeve malore e ka një video të shkurtër. Në video nuk shfaqet lakuriq, por është sportiv dhe i zbathur duke ecur përmes rrymës së një përroi të formuar nga shkrirja e dëborës. Mesazhi që përcjell duket se më shumë se për në Tiranë, adresohej për në Uashington.

https://www.instagram.com/p/B0sTNWFg7o1/

“Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike: Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?”, shkruan ai.

Presidenti nuk përmend asnjë emër, as në përshkrim dhe as në videon, ku e vetmja audio është zhurma e rrjedhës së përroit. Por, indiciet e dhëna në përshkrimin e videos të çojnë vetëm tek një emër dhe ai është Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.

Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, Palmer tha se SHBA nuk mban anën e Ramës, ndërsa përsëriti se sa i takon ligjshmërisë së procesit zgjedhor të 30 qershorit duhet të jenë institucionet shqiptare. Ato që të vendosin. Për këtë, në një intervistë të mëhershme dhënë po për Zërin e Amerikës para 30 qershorit, Mattheë Palmer kërkoi që zgjedhjet të realizoheshin dhe më pas të vendoste Gjykata Kushtetuese kur të ngrihej për vlefshmërinë e tyre.

Në një tjetër video, të postuar një javë më vonë Presidenti shfaqet në 1850 metra lartësi nga Ujëvara e Prevallës, ku uron ndjekësit për një fundjavë të këndshme dhe të gëzueshme. Ngjitjen e vazhdon dhe nga lartësia 2180 metra mbi nivelin e detit poston një tjetër video, këtë herë duke notuar në Liqenin e Jazhincës. Edhe këtu mesazhi i përcjellë është thjesht përshëndetës, por sa më lart ngjitej Presidenti në Prevallë, aq më të shpeshta bëheshin ligjet që i bllokoheshin mazhorancës në Tiranë.

Presidenca ktheu për rishqyrtim në Parlament ndryshimet në Kodin Penal, ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe PPP-të dhe ligjet që u hapnin rrugë koncesioneve sipas skemës PPP të rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat. Në të gjitha rastet, fotoja ilustruese ishte e përzgjedhur.

Pushimet në territorin e Kosovës i mbylli me pjesëmarrjen në festivalin e nisjes së vjeljes së rrushit në Rahovec, së bashku me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj. Postimeve me veshje sportive u rikthehet me disa foto nga malësia mes Bizës dhe Martaneshit në Dibër, ku është takuar edhe me banorë vendas, për të cilët Presidenti tregon vështirësitë e jetesës.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/1678141348984049/

“Në këtë udhëtim mes këtyre bukurive magjepsëse pata kënaqësinë të takoja dhe disa nga blegtorët, të cilët punojnë mes shumë vështirësive dhe nuk dorëzohen, me bindjen se një ditë do të bëhet më mirë dhe për ta, do të ketë më shumë vëmendje dhe mbështetje, që këto vende të bekuara të mos braktisen. Ndoshta për këtë ndihmojnë dhe objektet e kultit dhe besimit që ekzistojnë në këtë zonë, që njerëzit t’u qëndrojnë me kurajo disa vështirësive dhe pengesave që nuk i meritojnë”, thotë ai.

Këto janë postimet e deritanishme dhe mesazhet e përcjella prej presidentit Ilir Meta përmes tyre. Të tjera pritet që të pasojnë në ditët në vazhdim, sidomos me ngjitjen e Malit të Korabit.

E sollëm në vëmendjen tuaj në mënyrë kronologjike këtë kolazh fotosh dhe mesazhet jo pa qëllim. Është e dukshme që “Likja” siç e ironizon pa skrupuj maxhoranca, nuk ka nevojë për “Like”, por qëllimi i tij i vetëm është të ironizojë dhe të godasë politikisht edhe ai kundërshtarin e tij më të madh, kryeministrin Edi Rama dhe pikërisht me armën e tij më të fortë, rrjetet sociale. Ilir Meta u angazhua të shfaqej aq i “çlirët, popullor dhe filozofik” dhe po kaq konkurrues në aventurat e tij verore sa dhe kryeministri.

Por, ne vumë re nga ana tjetër se tërësia e foto-mesazheve të tij ndahen lehtësisht në dy grupe: Ilir Meta politikan dhe Ilir Meta president. Si politikan ai shfaqet sportiv, gjysmë i zhveshur dhe me qasje agresive politike ndaj qeverisë. Ndërsa, Ilir Meta president vesh kostumin zyrtar dhe flet me vendime, dekrete, ose del mbi palët për të bërë thirrje për dialog dhe reflektim, duke qortuar edhe opozitën.

Këtë verë pamë dy Ilir Meta, një të veshur e një gjysmë të zhveshur, njëherë politikanin partiak e njëherë presidentin që thotë se është mbi palët. Nuk e dimë se cili profil do të dominojë në jetën politike të mëtejshme të zotit Meta, por këtë verë shqiptarët e kanë parë më shumë zhveshur sesa të veshur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë