Ngjarje

Luftë nga toka e ajri me flakët, 5 vatra aktive. Shpërthime municionesh në Fier. Policia: Nga 1 korriku, 17 zjarre të qëllimshme (foto)

Gazeta Si - Pavarësisht nga rënia e temperaturave, 5 vatra aktive zjarri janë konstatuar këtë të hënë në territorin e vendit.

Për shuarjen e tyre janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura, 13 mjete, 3 zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar, të cilët po luftojnë nga toka dhe ajri për shuarjen e tyre.

Ministri i Mbrojtes, Niko Peleshi, thotë se po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Peshtan, Plyk, Kraps, Kreshpan, njësia administrative Frakull në Fier.

“Ndërsa u kërkua ndërhyrja e helikopterit në pyllin me pisha në fshatin Gjorgoz, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni është e pamundur. Po punohet ndërkaq edhe në një vatër zjarri në fshatin Hekal, bashkia Mallakastër”, tha Peleshi.

Po vijon gjithashtu operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Vlorë. Në fshatin Buz, në Bashkinë Memaliaj po vijon puna nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Është bërë e munduar shuarja e vatrës së zjarrit në fshatin Skrevan, bashkia Dimal, ku aktualisht ka vetëm prezencë tymi.

“Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Gjallicës, njësia administrative Shtiqën, Bashkia Kukës”, - shkruan Peleshi në një postim në Facebook.

Në një raport për muajin korrik, policia thotë se 17 raste të zjarreve në vendin tonë kanë qenë të qëllimshme, të vendosura nga dora e njeriut.

Për 14 prej tyre është gjetur autori, ndaj të cilëve ka nisur një hetim, e ndërsa 1 tjetër është arrestuar. Ky i fundit është vënë në pranga në fshatin Peshtan të Fierit, ku situata ka qenë më problematike, e ndërsa 14 të tjerët “kanë shpëtuar” për shkak se nuk ka patur dëme të mëdha në tokat bujqësore dhe kullota.

Zjarri "zbulon" municione luftarake në Fier

Dy fshatrat e Fierit, Peshtani dhe Kreshpani vijojnë të jenë nën pushtetin e zjarreve edhe këtë të mërkurë, ku lufta me flakët atje duket një betejë e vështirë.

Kjo pasi masivet pyjore të këtyre fshatrave edhe mëngjesin e kësaj të mërkurë vijojnë të jenë në pushtetin e flakëve.

Një vatër, e cila ka qëndruar aktive përgjatë gjithë natës, në mesnatë, ka marrë përhapje më të gjerë duke rrezikuar edhe banesat në Kraps, por falë ndërhyrjes së shpejtë të mjeteve zjarrfikëse është neutralizuar. Gjashtë mjete zjarrfikëse ndodhen në terren në përpjekje për neutralizimin e flakëve dhe 80 forca ushtrie.

Në ndihmë të tyre ka mbërritur edhe helikopteri “Cougar”, ndonëse era favorizon përhapjen e flakëve dhe riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

Ndërkohë, zjarri në zonën e Peshtanit ka nxjerrë në rrugë municion luftarak. Fare pranë rrugës Fier-Cakran është gjetur një kuti e mbushur me fishekë, të cilat përdoren për automatikë kallashnikov.

Nuk dihet se cilës periudhë i përkasin, por mendohet se janë fshehur në këtë zonë nga trazirat e vitit ‘97. 

Shpërthimi i fishekëve është dëgjuar edhe një ditë më parë, ndërsa një sasi e madhe e tyre si pasojë e flakëve kanë dalë edhe në rrugë.

Banorë të zonës deklaruan jashtë kamerave se në këto ditë kur pylli është përfshirë nga flakët shpesh janë dëgjuar shpërthime të fishekëve, ndërsa arkat me municion kane dale edhe ne aksin rrugor. Nuk dihet nëse ka të tjera municione në këtë zonë dhe të kalibrit më të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë