Ngjarje

Foto-Video/ Vatra të reja zjarri në Vlorë, era favorizon flakët në Karaburun. Në rrezik Parku i Llogarasë

Zona e Karaburunit nuk është pika e vetme kritike në Vlorë pas situatës së zjarreve masive që kanë prekur prej më shumë se një jave këtë qark.

Këtë të martë, janë regjistruar vatra të mëdha edhe në fshatin Dukat të Ri, ku raportohet se puna e Forcave të Armatosura është ndërprerë, pasi flakët janë të mëdha dhe të favorizuara nga era.

Në fakt, zjarri është vetëm 2 km larg kurorës së gjelbër të Parkut të Llogarasë, i cili rrezikon të preket nëse nuk ndërhyhet në kohë. Në afërsi të zjarrit për fikjen e tij, helikopterët kanë dërguar ushtarë të cilët do të ngjiten në mal në kembë.

Rreth 500 efektivë të FA-ve në terren dhe helikopterë privatë

Sipas ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi, ndërhyrja është ndërprerë për momentin për shkak të erës dhe forcat e ushtrisë dhe të pushtetit vendor e kanë të pamundur të punojnë.

“Kemi 500 ushtarë në terren, por kapacitetet i kemi të kufizuara”, - u shpreh Peleshi. - Po kërkojmë ndihmë, por fqinjët tanë janë në emregjencë për vete”, - shtoi ai, duke iu referuar emergjencës së zjarreve në Greqi, Turqi, Itali.

Edhe në Maqedoninë e Veriut ka pasur situatë problematike me zjarret, por në ndihmë i ka ardhur Sllovenia përmes NATO-s.

Ndërkohë, një tjetër vatër është shënuar këtë mëngjes edhe në Himarë, ku shtëllunga të mëdha tymi janë vërejtur shumë pranë shtëpive të banuara. Zjarr ka rënë edhe në njësinë administrative Novoselë dhe zjarrfikësja ka shkuar drejt vendit të ngjarjes.

Ndërsa ka qenë e pamundur shuarja e zjarreve në Vlorë me vetëm 1 helikopter një ditë më parë, sot janë nxjerrë në terren 3 të tillë.

Neutralizohet plotësisht zjarri në Delisuf

Zjarri në fshatin Delisuf të Vlorës është neutralizuar plotësisht. Lajmin e bën të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ndodhet në terren në krah të forcave zjarrfikëse dhe të ushtrisë.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, ministri Peleshi thekson se ndërhyrja e trupave mbi fshatin Dukat ka bërë të mundur që të reduktohet zjarri dhe kështu të eliminohet edhe rreziku nga banesat.

Në fotot e publikuara shihen zjarrfikësit në përpjekje për të shuar flakët, ndërsa dëmi i bërë nga vatrat e zjarrit është i dukshëm.

Kreu i Emeregjencave Civile zbret në terren

Ashtu siç tha edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, dy prej mjeteve ushtarake janë huazuar nga subjekte private. Në terren mëngjesin e sotëm ka zbritur edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

Nga Dukati, ai udhëzoi forcat e ushtrisë të formojnë një kordon, duke punuar me kazma dhe lopata, për të parandaluar përhapjen e flakëve. Çako tha se do të vijojë shtimi i kapaciteteve ajrore, një mjet i rëndësishëm për të shmangur përhapjen e flakëve.

Drejtuesi i Emergjencave Civile theksoi se është operuar gjatë gjithë ditës dhe është kërkuar ndihmë dhe nga mekanizmi i mbrojtjes civile Europiane në Bruksel, por për shkak të situatës së rënduar në shtetet e tyre nuk mund të ndihmojnë.

Kreu i Emergjencave civile, Haki Çako në terren

Vatra zjarri edhe në Vaun e Dejës dhe Gjirokastër

Një tjetër vatër aktive është në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejës ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për shuarjen e flakëve.

Gjithashtu puna po vijon për vënien nën kontroll të zjarrit të rënë në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri në bashkinë e Gjirokastrës, ku bashkë me punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses së këtij qarku janë bashkuar edhe 20 efektivë të FA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë