Politike

Zjarret, Meta kërkon ndërhyrje emergjente: E patolerueshme që punohet me mjete rrethanore

I shqetësuar për situatën e zjarreve në vend, presidenti Ilir Meta, ka kërkuar reagimin në kohë strukturave lokale dhe qendrore për të qenë në gatishmëri të plotë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta ka thënë se inkurajon ndërhyrje të menjëhershme për të vënë vatrat e zjarrit nën kontroll.

Meta shkruan se aktualisht ka mbi 70 vatra aktive zjarri në të gjithë Shqipërinë, ku një pjesë e tyre kërkojnë organizimin e operacioneve ajrore nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Më tej, presidenti shton se “është e patolerueshme, që strukturat vendore dhe qendrore, në shumicën e operacioneve, shfaqen vetëm me mjete rrethanore”.

Për këtë arsye, ai inkurajon “domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje emergjente, të drejtuar dhe të koordinuar më së miri, për të patur sukses në luftën kundër zjarrit, nëpërmjet marrjes së menjëhershme të të tjera masave efektive dhe drastike”.

Meta shton se është e nevojshme kthimi urgjent në detyrë i Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

“I njohur me thirrjen publike të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, e ndaj të njëjtin vlerësim mbi nevojën e rikthimit urgjent në detyrë për zbatimin e detyrimeve, që ka sipas ligjit, të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe e dënoj me forcë këtë sjellje të papranueshme, të papërgjegjshme dhe në kufijtë e veprës penale, të shpërdorimit të detyrës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë