Ka ndodhur

Akuzat e KLSH-së, Haki Çako zbret në terren pas zjarreve: Kam qenë në një event familjar

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, iu është përgjigjur të martën akuzave të ardhura nga KLSH se nuk ka qenë në krye të detyrës gjatë situatës së zjarreve në vend.

Nga terreni, në zonën e Dukatit të Ri, Çako ka thënë se akuzat e KLSH janë të pavend në një situatë të tillë emergjente.

Ai pohoi se gjatë fundjavës ka qenë në një eveniment familjar, por theksoi se nuk i merr leke askujt, përveç Zotit.

“Kam qenë në fundjavë për një eveniment familjar, nuk mund t'i marr leje askujt përveçse Zotit dhe procedurave ligjore, - u shpreh Çako nga Vlora. - Nuk është e vërtetë që kam një javë që kam humbur. Kam qenë për dy ditë në një eveniment familjar", tha ai.

Sipas tij, në këto momente është e rëndësishme që vëmendja të përqendrohet te puna në terren për shurjen e zjarreve.

“E thashë, u bë bajate kjo puna e deklaratave. KLSH-ja po bën punën e vet dhe ne po bëjmë punën tonë. Ajo që vlen të themi, është që gjithë këto struktura dhe gjithë forcat që janë në terren, kanë më shumë rëndësi se të gjitha procedurat e tjera”.

Një ditë më parë, Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është refuzuar nga Emergjencat Civile me argumentin se drejtori nuk është zyrë.

Pas KLSH-së, edhe presidenti Meta i ka bërë thirrje drejtorit Haki Çako të rikthehet në punë në këto momente krize.

Përmes një statusi në Facebook, Meta apeloi për rikthimin urgjent në zyrë të Çakos, teksa ka dënuar sjelljen e tij që e cilëson në kufijtë e veprës penale dhe shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë