Bota

Foto-Video/ Me dhjetëra viktima nga përmbytjet shkatërruese në Kinë. Një digë në rrezik shembjeje

Përmbytje shkatërruese kanë goditur provincën qendrore kineze të Henan në orët e fundit. Rrugët dhe stacionet e metrosë janë zhytur nën ujë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut ditët e fundit.

Në një zonë të madhe të provincës, autoritetet regjistruan 40 cm shi. Në Zhengzhou, i gjithë sistemi i metrosë së qytetit u detyrua të mbyllet për shkak të përmbytjeve. Vendimi erdhi pas lajmit për 12 viktima në metronë e qytetit.

Në Zhengzhou 12 vdekje në metro - Të paktën dymbëdhjetë njerëz vdiqën në përmbytjen e metrosë në qytetin e Zhengzhou në Kinën qendrore. Lajmi u njoftua nga autoritetet lokale, pas publikimit në internet të imazheve të udhëtarëve të zhytur në ujë. Qyteti "ka provuar një seri stuhish të rralla dhe të dhunshme që kanë shkaktuar akumulimin e ujit në metronë Zhengzhou", thanë zyrtarët në kryeqytetin e provincës Henan në një mesazh të postuar në rrjetin social Weibo, duke specifikuar se të paktën 25 njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Të paktën 300,000 njerëz të zhvendosur - Autoritetet kanë ngritur alarmin në nivelin 1, më të lartin, për Henanin për shkak të rrezikut të përmbytjeve të reja me reshje shiu që vazhdojnë të godasin provincën dhe që duhet të vazhdojnë deri në mesnatë, ndërsa rreth 300,000 njerëz janë evakuuar dhe dërguar në vendet që konsiderohen më të sigurta.

Shira të rrëmbyeshëm - Shirat deri tani kanë derdhur nivele të papara të 449 mm ujë në Zhengzhou, nga ora 6:00 pasdite të dielën, deri në mesnatën e së martës, duke shkaktuar bllokimin e më shumë se 160 trenave me pasoja të rënda për transportin lokal. Ministria e Menaxhimit të Emergjencave, ka dërguar një grup pune në zonat e prekura të Henanit për të ndihmuar autoritetet lokale në operacionet e ndihmës ndaj katastrofave.

Frikë për një digë në rrezik shembjeje - Ushtria kineze ka paralajmëruar se një digë në qendër të vendit "mund të shembet në çdo moment", përveç dy të tjerave që u shembën në Mongolinë e Brendshme disa ditë më parë pa shkaktuar dëmtime serioze, pasi u dëmtuan nga stuhitë e rrëmbyeshme që vranë të paktën tre njerëz. Të martën në mbrëmje, njësia rajonale e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit (PLA), shpjegoi se një dëmtim prej 20 metrash u formua në digën Yihetan në Luoyang, një qytet me rreth shtatë milion njerëz në Henan, me rrezikun "e shembjes në çdo kohë". Komanda Qendrore, tha se kishte dërguar ushtarë për të dhënë një përgjigje emergjente, duke përfshirë shpërthime dhe devijime përmbytjesh.

Flet presidenti Xi - Presidenti kinez, Xi Jinping, i ka quajtur përmbytjet vdekjeprurëse që goditën vendin "jashtëzakonisht serioze", duke iu bërë thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet të japin përparësinë më të lartë për sigurinë e jetës së njerëzve, si dhe mallrat e tyre dhe të "zbatojnë me kujdes dhe rigorozitet masat e parandalimit të përmbytjeve dhe lehtësimit të katastrofave".

Në udhëzimet e dhëna, pas viktimave të fundit të regjistruara në Henan, Xi tha se "situata e kontrollit të përmbytjes është jashtëzakonisht serioze" dhe se ngjarjet ishin në një "fazë kritike", sipas raportit të mediave zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë