Ngjarje

Foto-Video/ Djegia në fushën e plehrave në Fier vijon, vatra mbyllet për 24 orë

Ndotja e shkaktuar nga rënia e zjarreve në fushën e mbetjeve urbane, ka shkaktuar një situatë jo të zakontë mjedisore për qytetetin e Fierit.

Edhe pse kanë kaluar katër ditë nga emeregjenca mjedisore nga djegia e plehrave, retë e mëdha të tymit nuk janë zhdukur plotësisht. Situata në fakt ka qenë shumë problematike për banorët e një prej qarqeve më të mëdha në vend. Gjatë këtyre ditëve është punuar me makineri të rënda për fikjen e zjarrit, duke mbuluar vatrat me dhe.

Ndërkohë, përmes një postimi në Facebook, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, akuzon PD, duke shkruar se bëri gjithçka në Këshillin Bashkiak për të penguar investimin në impiantin e ri. Sipas tij PD po shpif dhe po helmon njerëzit me shpifje.

Armando Subashi premtoi se brenda dy ditësh problemi i djegies së mbetjeve urabane merr zgjidhje dhe situata do të jetë nën kontroll.

Ai tha se 30 gushti do të jetë afati maksimal i zgjidhjes përfundimtare të kësaj situate dhe më pas do të mbyllet fusha 74-vjeçare e venddepozitimit të mbetjeve urbane të Fierit për të filluar me inceneratorin.

Subashi shtoi se e vetmja zgjidhje është mbyllja me dhera e gjithë fushës, pasi zjarrfikëset nuk japin rezultat edhe pas mendimit të ekspertëve.

Për situatën reagoi këtë të premte edhe kryedemokrati Lulzim Basha, duke akuzuar për një skemë të qëllimshme kriminale.

Mbetjet e Fierit prej kohësh duhej të menaxhoheshin dhe digjeshin në inceneratorin e këtij qyteti, i cili duhej të kishte përfunduar së ndërtuari në prill të këtij viti.

Ndërtimi i inceneratorit është realizuar më anë të një kontrate partneriteti publik privat, e cila i ka kushtuar taksapaguesve 28 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë