Ka ndodhur

Fushës së mbetjeve i vihet zjarri në Vlorë. ‘Skenar’ i njëjtë si në Fier?

Fusha e mbetjeve urbane është përfshirë nga flakët këtë të hënë në Vlorë, duke shkaktuar një alarm mjedisor. Fusha është kthyer në një rrezik serioz për banorët e zonës, pasi aty grumbullohen të gjitha mbetjet urbane të qytetit. Zjarri ka nisur që prej orës 7:30 të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që dyshohet se është i qëllimshëm.

Sipas informacioneve paraprake, në zonë është parë vetëm një makinë zjarrfikëse, e cila ka nisur punën për shuarjen e flakëve.

Megjithatë situata është e rënduar për shkak të çlirimit të gazrave kancerogjenë në ajër nga djegia e plastikeve dhe mbetjet e tjera urbane.

Ky zjarr në fushën e mbetjeve në Vlorës, duket se është i njëjti skenar si ai i rasteve në Fier, Patos dhe Lushnjë, ku zjarret shkaktuan vërtet një situatë të rëndë.

Në Fier flakët zgjatën me ditë të tëra dhe e mbushën qytetin me një re të zezë tymi. Ndërkohë që shuarjes përfundimtare të zjarrit, mbetjet filluan të transportoheshin në incinerator. 

Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, e konsideron ngjarjen një incident, edhe pse pohoi se informacionet janë për një zjarrvënie të qëllimshme.

“Prej 20 vitesh këtu digjeshin plehrat dhe nuk kujtohej askush, ndërsa sot e konsideroj një incident, policia është duke gjetur shkaktarët. Thuhet se është zjarrvënie e qëllimshme, por le ta gjejnë organet e Policisë së Shtetit”.

Leli tha se zgjidhja përfundimtare për menaxhimin e mbetjeve në Vlorë është landfilli i Sherishtës.

“Landfilli i Sherishtës do të zgjidhë përfundimisht çështjen kaq të nxehtë të trajtimit të mbetjeve në Vlorë dhe jo vetëm. Është duke u ndërtuar. Vlora ka zgjidhje komplet të ndryshme, që është garanci e bashkëpunimit mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane që do të jetë një histori suksesi në menaxhimin e integruar të mbetjeve në Bashkinë e Vlorës dhe Selenicës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë