Ngjarje

Foto / Tritoli në Durrës për ‘Endacakun vrasës’! Dyshohet për hakmarrje ndaj 35-vjeçarit që vrau fqinjin

Gazeta Si - Disa persona janë shoqëruar si të dyshuar në lidhje me shpërthimin me tritol të ndodhur mbrëmjen e të hënës në banesën e Ilir Koçiljas në Durrës, i cili pak ditë më parë vrau me thikë Halil Kokën për vendparkimin para banesës.

Sipas burimeve, policia ka ndërtuar identikitin e autorit të dyshuar bazuar në kamerat e sigurisë së bizneseve përreth.

Në fasadën e jashtme të shtëpisë së 35-vjeçarit Ilir Koçilja, ishte shkruar me bojë të zezë në murin pranë banesës: “Endacaku Vrasës”!

Policia dyshon se menjëherë më pas i është vënë tritol banesës, ku aktualisht nuk jeton njeri. Përcjellja e një mesazhi nga persona të paidentifikuar, që policia e Durrësit paraprakisht hetimet i lidh me ngjarjen e ndodhur më 14 shkurt, ku Ilir Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka, është një nga pistat në të cilën po hetohet.

Për të bërë të mundur identifikimin e autorit, policia ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë ku shihet një person me kapele e kapuç, që lëvizte në vendin e ngjarjes pak minuta para shpërthimit.

Afro 500 gramë me fitil zjarrpërcjellës u vendos në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit Ilir Koçija, i cili ndodhet në paraburgim për vrasje.

Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme të konsiderueshme, jo vetëm në shtëpinë e Koçiljas, në të cilën nuk banonte askush, por edhe tek makinat e parkuara pranë vendit të shpërthimit si dhe tek apartamentet ngjitur.

Më 14 shkurt, Koçilja, i cili dyshohet se vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka për shkak të një vendi parkimi.

Në 17 shkurt, Gjykata e Durrësit vendosi “arrest me burg” për Ilir Koçiljen, i cili në gjykatë është shfaqur i penduar, por në deklarimin e tij, ka qenë i paqëndrueshëm mendërisht.

Fillimisht ka deklaruar se ka humbur disa tenderë përballë mafies dhe më pas shpjegoi se si kishte ndodhur ngjarja.  Ai tha se kanë qenë 3 vetë që po e ndiqnin për ta rrahur, midis tyre edhe viktima.

Gjyqtarja Besjana Garxenaj kërkoi që të bëhet edhe ekpertim i gjendjes psikologjike dhe mendore. Autori ka qenë i dënuar në vitin 2018 për përndjekjen e një shtetaseje me 4 muaj e 20 ditë burg. 

Ai jeton i vetëm në Durrës, pasi familjarët e tij janë në emigracion. Ngjarja e rëndë ndodhi pas një sherri mes dy fqinjëve për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.

Konflikti e kishte zanafillën disa ditë para vrasjes, që sipas 35-vjeçarit Koçilja i kërkonte të mos e parkonte makinën aty.

Koçilja tregoi se i kishte gërvishtur mjetin Halil Kokës, pasi ky i fundit vazhdonte ta parkonte para pallatit. E sipas tij, ditën e ngjarjes, Halil Koka e kërcënoi. Ai u kap pas disa orësh nga policia, teksa 47-vjeçari kishte ndërruar jetë në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë