Histori

Foto e rrallë nga ceremonia mortore e Ismail Qemalit

Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të firmëtarit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, Muzeu Marubi ka publikuar një foto të veçantë.

“Sot 100 vite më parë, një moment nga ceremonia mortore e patriotit Ismail Qemali (1844-1919), kryefirmëtar i Pavarësisë, ndër kontribuesit më të mëdhenj në formimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali ndërroi jetë në Peruxhia ku ndodhej i ftuar, me ftesë të qeverisë italiane”.

Karroca me arkëmortin e Ismail Qemalit, shoqërohet nga xhandarmëria italiane dhe patriotë shqiptarë, ndërkohë që flamuri shqiptar duket i mbështjellë në arkivolin që mban trupin e pajetë të tij.

I shoqëruar nga tre djemtë e tij, Et’hemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi.

Më pas, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.

I njohur tashmë si Plaku i Shqipërisë, Ismail Qemali veproi, punoi pa rreshtur e luftoi në kushte shumë të rrezikshme për kombin, për shpëtimin e popullit nga skllavëria anadollake, ku gjithçka u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë, në 28 nëntor 1912.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë